Një “projekt” i fortë në dy gjuhë

Botuar ne ‘Gazeta Tema’ Shkurt, 2004

Kurorzimi i një aventure gjashtë mujore për të realizuar “brënda afatit” një projekt për qëndrën e Tiranës në datë 21 Shkurt 2004, një moment delikat ky për mazhorancën socialiste, padyshim që i nxori këtij projekti në pah karakterin propagantistik të tij, një vlerë të cilën gjithsesi ai nuk ishte përpjekur ta mbante të fshehur. Ky karakter i cili shfrytëzon momentet e vështira të cilat po përjeton shoqëria shqipëtare e përfshirë në dilema ekzistencialiste, përpiqet të fsheh të vërtetetat e hidhura të kësaj shoqërie dhe së bashku me të dhe të urbanistikës dhe arkitekturës shqipëtare. I mbingarkuar me doza të tilla vlerësimi si “Europianizimi” ose sic thuhet rëndom “bërja më në fund e Tiranës një kryeqytet Europian” (a thua se Shqipëria është shtet Afrikan?,) ai përbën në fakt më shumë sesa propagandë, sidomos kur thuhet nga një qeverisje që është e gatshme ta lejë Shqipërinë përjetësisht jashtë këtij komuniteti. Kjo propagandë e bën të vështirë për qytetarët e thjeshtë të kuptojnë mënyrën e realizimit apo materjalizimit të këtij projekti dhe vlerave reale që ai mbart. Kur flitet për idetë që ai përçon ,ai paraqitet nga autoret me terma të tillë metaforike si “të folurit e projektit me dy gjuhë, në globalisht dhe lokalisht”, dhe kur flitet për elementët konkret flitet për ndërtime thuajse uropike “super high tech” (?!), dhe pallateve te rendomtë e lulishteve u vishen terma poetik si “rrokaqiej”, “hapësira të reja parqesh”  apo flitet për”librari” spektakolare mbi Lanë etj. (shih; Edi Rama “Një projekt i fortë në dy gjuhë” , gazeta Shekulli 22, 2, 2004.) Ndërkohë në asnjë moment përgjatë odisesë së miratimit të këtij projekti nuk u dëgjua për bazën e tij ligjore, ekonomike, sociale, kulturore. Në fakt duket shumë normale që në këtë amulli sociale dhe ekonomike që përjeton Shqiperia një projekt i tillë të mos bazohet mbi këto faktorë, të cilët janë energjitë e vërteta të zbatimit të cdo projekti, por mbi vlera utopike të cilat fshehin abuzimin e nesërm mbi po atë ekonomi dhe mbi po ato të drejta sociale dhe trashëgimi kulturore që nuk i ka marrë parasysh apo i ka shkelur me kembe në mënyrë arbitrare. Të dallosh kontradiktën ndërmjet këtyre termave është e vështirë dhe pothuajse e pamundur nëse nuk kapet thelbi i problemit dhe të kuptohet se për çfarë ka në të vërtet nevojë urbanistika e Tiranës.

Do ishte e paudhë nga ana ime si arkitekt nëse do t’i kundervihesha idesë së përdorimit të metaforave për të përshkruar një projekt urbanistik apo arkitektonik ose t’i kundërvihesha pranisë së ideve utopike qofshin këto edhe të parealizueshme për momentin, nëse nuk do isha i bindur se në arkitekturë çdo metaforë ka nevojë të konkretizohet në përfundime analitike për të mos u kthyer në demagogji, dhe se cdo utopi e përzier me pushtetin mund te kthehet në abuzim.

Metafora e “gjuhës” nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me arkitekturën e cila ndryshe nga gjuha është një art me një prezencë të fortë në kohë dhe në hapësirë (cilësi që janë munduar ta shfytëzojnë për të përjetësuar egot dhe pushtetin e tyre diktatorë të mëdhenj e të vegjël.) Megjithatë kjo metaforë ka lidhje indirekte me të pasi përshkruan faktorë kyç që bëjnë të mundur ekzistencën dhe realizimin e arkitekturës. Ajo shpreh idene e përmbajtjes, komunikimit, trashgimisë kulturore, gjendjes sociale etj. të cilat i japin arkitekturës kuptimin e artit. duke e shkëputur atë nga materjaliteti. Si rrjedhim jo vetëm marrja parasysh e këtyre faktorëve por mbi të gjitha mënyra se si merren ato parasysh përcakton cilësinë e arkitekturës ose po të shprehemi nëpërmjet metaforës “elokuencën” e saj, e cila nuk mund të jetë as demokratike dhe as e kulturuar, nëse nuk do ishin të tilla mënyrat e trajtimit të këtyre elementëve.

Ndërkohë çdo kritikë do ngelej e pamjaftueshme  nëse nuk do të futeshim në detaje për të kuptuar sesi ajo përkthehet në realitetin e projektit. Për shembull personalisht më duket shumë absurde ideja që nesër do t’i kërkohet një investitori të ndërtojë një objekt “Super High Tech” të projektuar nga dikush që nuk ka marrë parasysh asnjë nga interesat ekonomike, estetike apo funksionale të këtij investitori të ardhshëm. Në një shoqeri të mbështetur në parimet e demokracisë dhe tregut të lirë mund të vendosësh kufizime, por nuk mund ta imponosh zhvillimin, në mënyrë arbitrare. Ky zhvillim mund të vij vetëm si pasojë e lirive brenda një demokracie dhe konkurencës në tregun e lirë. Në një vend si Shqipëria ku ndërtimet më të mira janë nën mesataren e shumë vendeve të tjera Europiane më duket e paarsyeshme t’i imponohesh dikujt për të ndërtuar në stilin arkitektonik “Super High Tech” (shih; Edi Rama “Një projekt i fortë në dy gjuhë” , gazeta Shekulli 22, 2, 2004.)

Po ashtu nëse do flisnim për ligjshmërinë e projektit është shumë e vështirë për tu kuptuar se mbi ç’kode dhe ligje urbanistike mbështetet ai. A i është nënshtruar ky projekt ligjit të urbanistikës dhe planit rregullues sikundër çdo projekt tjetër, dhe nëse jo në bazë të kujt ligji dhe arsyetimi është bërë? (duke ditur që ky është vetëm një projekt i qëndrës së Tiranës dhe jo plan rregullues.) Cilat do jenë mardhëniet e projektit me ligjin e ardhshëm urbanistik ,duke ditur se ai do të ndryshojë përgjatë një periudhe 30-të vjecare? Sa fleksibël është ky projekt për të përballuar ndryshimet që i kërkon vetë koha e gjatë e zbatimit të tij?

Hapësira që ky projekt lë për abuzim zmadhohet po të analizojmë edhe më thellë në aspektin teknik të tij. Mbetet e paqartë se si do të trajtohen problemet e pronësisë dhe menaxhimit të trruallit. Cilat janë fazat e projektit, dhe kush është baza e tyre ekonomike?  Është shumë e vështirë të kuptosh se cilave standarte, apo  programeve ekonomike për nxitjen e zhvillimeve urbane, parashikimeve afatshkurtra dhe afatgjata të zhvillimit të qytetit u është nënshtruar ky projekt. Cilat kanë qënë organizatat jo-qeveritare, përfaqësues të medias, përfaqësues të grupeve qytetare (rast ideal për lëvizjen Mjaft.), njerëz të artit, akademik apo individë që kanë marrë pjesë në vendim marrje? Duke vijuar pastaj me një mori pyetjesh të tjera që trajtojnë problemet sociale, të pastrehëve, të trashëgimisë kulturore, etj.

Pikërisht këtu kthehemi në problemin fillestar të ngritur qysh në fillim të këtij debati; hapësirën që lë për abuzim shtrirja e gjërë e projektit kundrejt nivelit të detajimit të tij. Kjo nga ana e saj e ka origjinen e vet tek arsyet përse u ndërmor kjo nismë dhe tek mënyra se si kjo u ndërmor, duke u reflektuar ndërkohë përgjat gjithë procesit, që nga përzgjedhja e studios fituese deri në momentin e vendimmarrjes.

Pa dashur të vazhdoj në detaje, e aq më tepër në paraqitjen e opsioneve të mundshme që do t’i duhej zhvillimit urbanistik të Tiranës për të hyrë në rrjedhat e një zhvillimi normal, pasi do të kërkonte më shumë artikuj dhe më shumë eksperiencë, por edhe një kapitull të ri të historisë së kryeqytetit, do theksoja se projekti i sapomiratuar i qëndrës së Tiranës flet vërtet me dy gjuhë. Këto dy gjuhë janë ato të Demagogjisë dhe Abuzimit.

Lorjan Agalliu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s