Sheshet e Tiranës

Botuar në ‘Gazeta Tema’ 10 Prill, 2008

Në emër të kujt? 

Rrugët janë penelat tanë. Sheshet telajot tona.” 

Kështu do të shpallte Majakovski, mbasi Lenini të kishte parashtruar planin e tij të famshëm për “propagandën monumentale” menjëherë pas revolucionit bolshevik më 1918-ën. Por dikur mund të kishte qënë fare mirë edhe motoja e fushatës së ngjyrave në Tiranë (ndoshta edhe sot!), sikur vetë ngjyrat të mos ishin shndërruar tashmë në një monotoni besdisëse, dhe qëllimi për efektin propagandistik në zhvillimin e turizmit dhe vitalizimin e qytetit të mos ishte zbehur nga prania e plehrave, dëndësia e tymrave dhe smogut që mbulon qytetin, dhe vlerat e tyre si prezantuese të kulturës lokale e ripërteritjes së saj, të mos ishin të dyshimta. Por koreografia, ngjyrat, dhe butaforia e Tiranës tashmë pak-kujt i intereson. Përtej ngjyrave, sot mbi qytetin dhe qytetarin si asnjëherë rëndon një pyetje tjetër: Cfarë do të ndodhë?

Cfarë do të ndodhë? – pyet edhe Rama në ftesën e konkursit,  kësaj radhe për Sheshin Skëndërbej (apo trofeu proagandistik i radhës?):

“Qyshse sheshi ka mbetur peng i dilemave e i makinave, hapësira e pajetueshme ne degradim të vazhdueshëm, bëjnë përshtypje siluetat e qytetarëve, të moshuar e familjarë me fëmijë të vegjël, të cilët ulen pasditeve në kufijtë e tij me të dalë dimri dhe ngjajnë si spektatorë që, prej 17 vjetësh, presin të ndodhë dicka në boshllëkun e arenës. Cfarë do të ndodhë?

Ju ftoj ta gjejmë së bashku.

Edi Rama 

Kryetari i Bashkisë” 

Cfarë do të ndodhë? – është pyetja që rëndon. Po a janë pyetjet e qytetarëve dhe ajo e kryebashkiakut të lidhura me njëra tjetrën? Dhe nëse janë të lidhura, në c’pikë, në c’moment, në c’problematikë? 

Kohë më parë, duke folur për një tjetër konkurs – atë për Qëndrën e Tiranës, i cili hapi rrugën edhe konkursit të sotëm në shesh – arkitekti dhe studiuesi francez Wim Cuyvers në artikullin e tij “Tirana – Mercedez, Shtëpi dhe Plehra” Archis, #4 2004, do të shkruante: 

“Dhe ndoshta ata (Architecture Studio; shënimi im) do të kishin qënë në gjëndje të kuptonin që Rama dhe ata ishin duke luftuar të njëjtën betejë, dhe ishin duke ndjekur të njëjtën strategji: pastrimi i qëndrës së vjetër, kthimi i qëndrës së vjetër në një shesh festivali, zgjatimin e aksit të nisur nga fashistët, përgatitjen e terrenit për biznesin e madh – dhe kush e can kokën nëse është konform regullave monetare ndërkombëtare apo vjen nga Mafia?”  

Është pikërisht kjo dilema – konformizmi – që prezantohet përsëri sot pas katër vjetësh nga konkursi i parë për qëndrën e Tiranës. Kjo dilemë nuk është vetëm e studiove projektuese pjesmarrëse në konkursin e sotëm për Sheshin Skëndërbej (nëse ato vërtet kanë një të tillë), apo edhe e arkitektëve shqiptar që e kanë për detyrë morale dhe profesionale të hulumtojnë atë c’ka ndodh me kryeqytetin e tyre, por është më shumë një dilemë në sensin e qytetarisë, të detyrimit që një komunitet ka ndaj qytetit të vet në mirëmbajtje, apo edhe në vendimarrje. Dilema që vjen nga fakti që në Shqipëri ende nuk ka një lëvizje apo shprehje mendimesh në rrethet akademike, profesioniste e  vendimmarrëse që lufton për “ruajtjen”, “ripërtëritjen”, apo “restaurimin” në qytet, që do të ngjallte interesin dhe besimin në rruget e thjeshta të qyteteve, dhe strukturave tradicionale te tij, për t’i kthyer ato në cështje kryesore të planifikimit të qytetit, dhe që ekziston vetëm një lloj profesionisti; profesionisti komformist. Dhe nuk mund të mos vijë ndër mend shembulli 50-të vjetëve me parë kur u publikua “Vdekja dhe Jeta e Qyteteve të Mëdha Amerikane” (The Death and Life of Great American Cities) nga Jane Jacobs, dhe lëvizja që ajo ngjalli, ku shembulli emblematik i ndikimit të vet do të bëhej New York-u, qyteti i saj i frymëzimit, për të cilin mund të thuhet pa frikë se ajo e shpëtoi, por që ende mbeten një frymëzim dhe realitet i largët për Tiranën. Përkundrazi, sot vlerat arkitektonike e urbane të Tiranës, të nëpërkëmbura në shkaterrimet e ndërhyrjet në hapësirat publike, blloqet e banimit, kinematë me vlera historike (si ajo “17 Nëntori”), apo në shkatërrimin e stofit urban të lagjeve të vjetra dhe zonave historike, nuk kanë hasur në asnjë lloj rezistence. Kurse  përqasjet koreografike, si në rastin e idesë së lëvizjes së mozaikut të Muzeut Kombëtar, flasin shumë për një plagë të thellë, dhe perceptim tërësisht sipërfaqsor, të kësaj shoqërie për qytetin dhe vlerat e tij. 

Por a mund të ketë alternativë, qytetare apo profesionale, ndaj tendecës së vazhdueshme për një prezencë të ashtëquajtur globale, të variantit postmodern të “tabula rasa”, të neokolonializmit të përfaqsuar më së miri nga studio të kudogjendura, dhe të mediatizimit të proceseve urbane për të ushqyer pushtetin, në aleancë interesash reciproke? Atij mediatizimi që më shumë përpiqet ta largoj vëmendjen nga problemet urbane sesa t’i zgjidh ato, sepse në fund të fundit zbulimin dhe zgjidhjen e tyre nuk e ka ceshtje dite. 

Projekti dhe pushteti 

Për t’iu përgjigjur pyetjes nëse është e mundur alternativa ose jo, ndaj c’do lloj pushteti, dikush duhet t’i përgjigjet pyetjes se; cfarë e shqetëson qytetin në mardhëniet e tij me pushtetin? 

“Tabula rasa globale, aksi i djallit të Tiranës” (The Global Tabula Rasa, Tirana’s Axis of Evil) do t’a quante Wim Cuyvers projektin e Architecture Studio, fituese e konkursit për qëndrën e Tiranës kater vjet më parë. Epitet ky që u referohej mardhënieve të projektit me pushtetin, mardhënie që kanë qënë të formuluara shumë kohë përpara se Architecture Studio të prekte Tiranën.“Architecture Studio – thotë Cuyvers – ka parë vetëm qëndrën e qytetit, dhe në mënyrë të dukshme ka parë vetëm gjurmët e vendosura gjatë periudhës së fashizmit Italian nën Mussolinin nga arkitektet Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Ata e cuan të gjithë këtë akoma më tutje me të njëjtat mënyra, por për pronarë të ndryshëm, njësoj si në kohën e tyre De Fauston dhe Brasinin nuk i vriste ndërgjegja ta kthenin dorën e tyre për të punuar një ditë për fashistët dhe ditën tjetër për Papën.”  

Por cfarë mund të ketë tjetër për të parë në qëndër të qytetit, përvec gjurmëve të Mussolinit, që nuk i ka parë Architecture Studio? 

Sipas Fatos Lubonjës, në shkrimin“Tirana si qytet i qytetarëve dhe kryeqytet i pushtetarëve” Korrieri, 24 Shkurt 2004, si pasoj e mardhenies qytet – pushtet, Tirana ka pasur dy qendra historikeE para është qëndra që tashmë mund të quhet thuajse e humbur: ajo që sillej rreth xhamisë themeluese të Tiranës, e Sulejman Pashës (1614) si dhe Pazarit të Vjetër, të cilës (qëndër) i kanë mbetur tashme pak objekte ku, ndër kryesoret janë Xhamija e Ethem Beut me Kullën e Sahatit, si dhe Sarajet e Toptanëve….

…E dyta është qëndra aktuale, e cila u konceptua në kohën e Zogut nga italianët, kur tashmë Tirana u bë kryeqytet dhe kryeqëndra e pushtetit dhe vazhdoi të jetë e tillë edhe në kohën e komunizmit, duke bërë që në këtë qëndër të grumbullohen me shumë se kudo gjetkë simbole…” 

Pra, kur flitet për qëndrën dhe sheshin, është e qartë që nuk flitet për dicka unike, por për dicka të dyzuar, për dy elemente të konceptuara si të papajtueshme, që qartësisht përfaqsojnë; njëri qytetin, dhe tjetri pushtetin.          

          

Plani i Qendres i vitit 1936    Vizatim i Sheshit sipas planit te vitit 1941 

Uniteti koreografik Qëndër-Bulevard 

Por, rimarrja e temës së aksit të Brasinit, dhe qëndrës fashisto-komuniste si alternativa e padiskutuesheme nga projektuesit e sotëm, pra përforcimi i unitetit qëndër -bulevard në këto vija, vlen edhe për një analizë strukturore më të thelle.

“Qëllimi i këtij aksi si mekanizëm urban nuk ishte rregullimi i rrjetit rrugor, por formulimi i një ure lidhëse të vetme midis qëndrës së vjetër dhe ‘qytetit modern’.” do të thoshte Artan Shkreli për planin e Brasinit (të njëjtit plan të rimarrë si teme nga Architecture Studio)  në referatin e tij mbajtur në konferencën “Tirana dje dhe sot” Shkurt, 2000 ( një përimtim i cuditshëm, kur mendon se vjen, gjithsesi, nga dikush që është përkrahës i paepur i planit të Architecture Studio). “Ky escamotage (gjetje e trukuar, hileqare; shënimi im) urban i ka shpëtuar mjaft vëzhguesve, një pjesë e të cilëve ndodhen edhe në këtë sallë” këmbëngul Shkreli, si për të komfirmuar pikërisht atë që nuk shkon edhe me vetë projektin e Architecture Studio dhe unitetit qëndër-bulevard. “Kritiku bolonjez Gessleri – citoj përsëri Shkrelin –  vëren se “plani rregullues që Brasini shtroi për Tiranën në 1925… …ishte një rishikim i kritereve të përdorura në Urbe Massima (1917). Projekti përshkohej nga ideja e nje bulevardi të madh, me orientim veri-jug si qëndër administrativo-monumentale e nje qyteti autonom i cili do të zhvillohej duke shpërfillur paraekzistencat e tij dhe do të shkëputej krejt nga konteksti…” 

Pa dashur të spekulloj në kontradiktat, midis përimtimit urban të Shkrelit, dhe qëndrimit të tij ndaj projektit të Architcture Studio, nuk mund të mos pyes; derisa ky projekt nuk kishte si qëllim ristrukturimin e qytetit ekzistues, por autonominë prej tij, mos ndoshta dikush ende shpreson në idenë e Brazinit, të një qyteti aoutonom duke injoruar qytetin historik? Përvec kësaj vështirë të besohet në përqasje të tilla, nëse ke parasysh zhvillimet e lëna në mëshirë të fatit, në periferi apo në qëndër, në Tiranën e sotme, të cilat nëse deri më tash janë perceptuar si zhvillimet fenomenologjike më të mëdha autonome të qytetit, sot i japin atij fizionominë, të cilat qyteti autonom e i ngurtë i Brasinit, apo c’do përqasje tjetër e ngurtë, është e pamundur t’i adresojë. Atëherë kush është arsyeja e unitetit hapësinor bulevard-qëndër – arsye që do ta bënte atë të nevojshme, përkundër të qënit pengues dhe i padobishëm – dhe që nuk vë në pikëpyetje; rolin strukturues të bulevardit dhe skemës së imponuar të qytetit qëndërsynues (unazor qëndror), domosdoshmërinë e unazës së vogël, përjashtimin e automjeteve nga sheshi si dhe theksin që vihet mbi rolin butaforik përkundër atij historik në qëndër?       

Plani i Qendres nga Architecture Studio ku shihet qendra e unifikuar me Bulevardin  dhe Unaza e Vogel e perfunduar me spastrimin e objekteve rreth qendres

Ndërsa, sic vëren me të drejtë Shkreli, “aksi në projektin e Brasinit është një urë lidhëse midis dy njësive autonome, qëndra nuk është atribut i aksit të bulevardit por atribut i qytetit të vjetër”. Kjo përforcohet sidomos edhe në menyrën se si do të zhvillohet qyteti gjatë dhe pas implementimit të projektit të Brasinit nga fashistët. Dhe nëse do i referohesha përsëri Shkrelit që citon Gresslerin; “…për hartimin e një Plani Rregullues të Tiranës dhe përfundimtar, aksi brazinian e që sidoqoftë merrej parasysh në vija të përgjithshme, ndërthuret në zhvillimet e reja me të njëjtat qëllime sikurse në Afrikën orientale i hapej udhë ndërtimit të lidhjeve “cerniere” që ndanin zonat europiane nga ato vendase.” Dëshmi e kësaj skeme “cerniere” janë vete objektet e  Bankës së Shqiperisë dhe Kompleksi i Ministrive me ish Bashkinë e vjetër, kurse vet qëndra dhe bulevardi si ansambël shërbenin për të theksuar një ndarje zonale në kolonizimin e qytetit. 

Pra shihet se konceptimi i qëndrës dhe bulevardit ka kaluar në disa faza, fillimisht në atë të një qyteti autonom që injoronte qytetin e vjeter, drejt një faze të asimilimit e cila, e lënë përgjysëm nga fashistët, do të rimerrej nga regjimi komunist për ta cuar drejt një procesi që unë do t’a quaja denatyrizimi, dhe cpërfytyrimi: 

“Një nga shprehjet më kuptimplota të konceptimeve “realist-socialiste” për revolucionin urbanistik në Tiranë – thote  Ardian Vehbiu në librin e tij “Kulla e Sahatit” – ishte shkatërrimi i disa vatrave nga më vitalet të qytetit të vjetër, për hir të xhelozisë prej fëmije me të cilën komunistët iu vërsulën qëndrës historike të qytetit, për ta tjetërsuar. Regjimi, megjithatë, e ruajti Tiranën fashiste, pse instiktivisht i pa si lehtesisht të përvetësueshme stilemat neoklasiciste, në thelb totalitare, të Ministrive, Bashkisë, Bulevardit të Madh, Luogotenecës, Stadiumit, Konservatorit, etj. Në një kuptim, arkitektura musoliniane në Tiranë u ruajt e mumifikuar, dhe deri-diku e përcudnoi kontaktin e vetvetishëm të kryeqytetasve me mjedisin e tyre qytetëror. Me gjerësinë e vet të frikshme, e me mungesën, qëllimplotë, të strukturave shoqëruese, Bulevardi i Madh ftonte vetvetiu për një koreografi masive…” 

Është pikërisht kjo koreografi masive e bulevardit, trashëgimi e një realiteti kolonial, që do përbënte edhe thelbin e sheshit qëndror më vonë, por dhe vet thelbin e unitetit qëndër-bulevard, ndërsa arsyet strukturore të qytetit do të mbeteshin të injoruara. 

Por përimtimet strukturore për skemën unitare qëndër-bulevard, në fakt duhen bërë duke pasur parasysh pikërisht propozimet që bëhën sot për qëndrën, të ballafaquara me realitetin urban. Duhet vënë re se këto propozime e kanë origjinën e tyre (ligjore dhe konceptuale) në Masterplanin e vitit 1989-të. Sheshi i “zbrazur” nga makinat, unaza e vogël, zgjatimi i Bulevardit (elementë të fiksuar gjithashtu në projektin e Architecture Studio për qëndrën e Tiranës), janë huazuar të paprekura dhe duket pa asnjë lloj kritike. 

Unaza e Vogël dhe Sheshi “këmbësor” – parakusht për ndërhyrje të re apo rrënim i qëndrës së vjetër? 

Projekti i qëndres, dhe vete sheshi  ideuar sipas Masterplanit të 1989-ës, është më i hershëm se ky i fundit (Masterplani), dhe daton fundin e viteve shtatëdhjetë dhe fillimin e viteve tetëdhjete. Ai ishte ideuar ndërsa formulohej, gjithashtu, ideja e Muzeut Historik Kombëtar dhe monumentit të Hoxhës në qëndër (që në fakt janë pjesë e të njëjtit projekt), i cili do të projektonte “pavdekësinë” e vet. Dhe ku mund të bëhej kjo më mirë, vecse në një shesh qëndror, në një vënd qëndror, dhe në një pozicion mbiqëndror, ku cdo gjë – duke filluar nga bulevardi masiv dhe qyteti, i cili gradualisht po formohej i tillë që t’i vinte përqark qëndrës me unaza pa mbarim – ishte në shërbim të këtij monumenti? Kjo do të jetë edhe zanafilla e një skeme urbane, e cila e kthente sheshin në një hapësirë jo vetëm të plotë, por edhe të shkëputur, që kryente izolimin dhe përjashtimin e pjesës tjetër të qytetit. Dhe kjo e fundit (izolimi) ishte arsyeja dhe misioni i të ashtequajturës “unazës së vogël”, krijimi i hapësirës së peligrinazhit në mes të qytetit, që do shërbente për adhurimin e këmbësorit të “pavdekshëm”, dhe sheshit të këmbësorëve, në qytetin ku makina është “mbret”, në atë qytet ku c’do rrugë, c’do qoshe, c’do park është i destinuar të kthehet në parkim dhe në fjetore. 

Ndërkohë, si për të provuar se sa jashtë kohe janë idetë e unazës së vogël dhe qëndrës pa automjete (nëse vërtet kanë pasur ndonjëherë kuptim), do duhej vetëm një ngjaje e vogël e kohëve të fundit që do t’i ndërpriste, jashtë dëshirës së sipërmarrësve, punimet që tashmë kanë nisur në këtë unazë, kur ndërtuesit hasën në një nga ato pengesat që rëndom hasen në qëndrat historike; në murin e një kalaje. Historia e këtij muri (ende i pa datuar) i shtrëngoi, gjithësesi, kryerësit e punimeve t’i ndalonin ato (një gjest ky i respektueshëm po të kihen parasysh një lloj tradite e mbrapshtë në qëndrimin ndaj veprave me apo pa rëndësi historike) 

Por kjo ngjarje thërret në fakt për arsyet e vërteta të mosfunksionimit të kësaj unaze që kanë të bëjnë me vetë skemën e trafikut, dhe me ndikimin negativ që ka ajo në morfologjine e qëndrës, sidomos të asaj pjese që ka qënë historikisht më e dëmtuara në ndërhyrjet e vazhdueshme, të cilat mund t’i përmbledhesh në dy arsye kryesore: 

Së pari, karakteri i sheshit është i tillë, që mund të thuhet me siguri, se është një kryqëzim rrugësh që tërheq dhe shpërndan trafik në të gjitha anët (akset e rrugës së Durrësit, Kavajës, Dibrës, Elbasanit, Bulevardit kryqëzohen në këtë pikë), që nëse do t’a shmangnim nga kjo pikë, për t’a shpërndarë atë në periferi, nuk do bënim gjë tjetër vec se do kishim penguar kalimin e trafikut tranzit në shesh, i cili shumë rrallë është destinacion. Kjo do të bllokonte arteriet e tjera që nuk janë thjeshtë tranzit, por së shumti destinacion (që në vetvete nënkupton ngjeshje, ngadalësim ose bllokim trafiku). 

Së dyti, për t’a realizuar qoftë edhe në parametra minimal – që duhet thënë se nuk garantojnë, gjithesesi, asnjë lloj funksioni të saj si skeme qarkullimi – do duhej një ndërhyrje në zonën historike të qëndrës, “pastrim” objektesh, të cilët, edhe ashtu, janë tashmë një gjë e rrallë në zonën e “qëndrës historike”, që sic duket edhe kësaj radhe do duhet të mbajë gjithë barrën e “riformulimit” të qëndrës koloniale fashisto-komuniste. 

Sytë që nuk shohin! 

Për rrjedhojë, e vetmja risi e ndërhyrjeve në hapesirat dhe strukturat historike me vizione të ashtëquajtur “bashkëkohore”, me struktura të larta qëndrash tregtare, biznesi, banimi, shumëfishim pronash të patundeshme, shpronësime, rikonfigurime dhe fshirje strukturash të vjetra për t’i hapur rrugën gjigandëve të rinj, nuk janë asesi vizione të reja, qoftë për qëndrën apo për qytetin, por skema të huazuara që nuk garantojnë asnjë lloj funksioni, dhe që i shërbejnë asaj që Masterplani i 1989-ës nuk e garanton dhe justifikon dot; legalizimin e  ndërhyrjeve në zonat historike, sic është për më tepër edhe ajo e qëndrës. 

“…pikëpyetje mbeten të ngritura mbi sheshin ku është shkruar historia e shtetit shqiptar, i cili s’ka mbushur ende 100 vjet. Këtyre pikëpyetjeve duhet të na ndihmojnë t’u japim përgjigje sy që e shohin Sheshin Skëndërbej nga jashtë, sy të pagjakosur me historinë tonë të jetuar dhe të stërvitur në beteja të tilla konceptuale, sy pa paragjykim për c’ka ka lënë e shkuara e as frikë nga c’mund të lindë e ardhmja në këtë hapësirë sfiduese.”thotë Rama në ftesën për konkursin në Sheshin Skëndërbej. 

Des yeux qui ne voient pas!” (Sytë që nuk shohin!) – thoshte mjeshtri i madh Le Corbusier, kur iu drejtohej kryesisht projektuesve të kohes së vet, ndërsa u referohej zhvillimeve teknologjike në mekanike dhe industri, të cilat reflektonin ndryshimet e mëdha transformuese në shoqeritë moderne. 

Por kush nuk është në gjendje të shohë fenomenet transformuese që kanë shoqëruar qytetin këto 15-të vjet? Kush nuk është në gjëndje të dallojë zhvillimet fenomenologjike autonome në periferi dhe në qëndër, brenda dhe jashtë “vijave të verdha”, por të vazhdojë të flasë për skema të ngurta qëndërsynuese, frenuese, izoluese, dhe për më tepër të provuara si të dështuara? Kush nuk është në gjendje të dallojë, po ashtu, që qyteti i imponuar rreth-qëndror ka shkuar, pashmangshmërisht, drejt qytetit linear që synon metropolin – Tiranën që synon Durrësin, Kamzën (qytezën autonome) që synon Krujën, lindjen që synon perëndimin? Po në qëndër, kush nuk është në gjendje të shohë se roli butaforik i saj ka marre fund, dhe përqasjeve të vjetra dhe vazhdimësisë totalitare në projektim i ka ikur koha; që skemat e ngurta të transportit nuk janë përqasja e duhur; që rrënimi i qëndrës historike, për t’i hapur rrugë automjeteve, nuk ka asnjë kuptim kur qëllimi i vetëm i saj është që të lërë të paprekur, nga automjetet e kudogjendura, qëndrën e “re”, me koreografine e saj butaforike; që “unaza e vogel” nuk e ndihmon, përkundrazi e pengon trafikun në qytet; që skema të tilla unazore të transportit në qëndër, vec se e përjashtojnë qytetarin dhe e izolojnë qëndrën, dhe jo e kundërta; që rivleresimi historik i qëndrës është i domosdoshëm? 

A mund të jetë rivlerësimi historik i qëndrës, përgjigje ndaj akuzash të tilla drejtuar opinionit qytetar dhe profesionist për;  “paragjykim për c’ka ka lënë e shkuara”, dhe; “për frikë nga c’mund të lindë e ardhmja në këtë hapësirë sfiduese”. 

Pa paragjykuar atë që do lind e ardhmja me ndihmen e atyre që do “ e shohin Sheshin Skëndërbej nga jashtë” dikush sot mund të flasë me siguri vetëm për historinë, nëpërmjet të cilës do vlerësohet edhe e sotmja. Dhe për hir të kësaj historie është detyrim që po ashtu dikush t’i përgjigjet akuzave të tilla (edhe ashtu të shprehura midis rreshtash) – sepse politika nuk mund të dalë, dhe as duhet lejuar të dalë sot, e të pretendojë se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për atë që ka ndodhur me qytetin – duke thënë se faji qëndrokërka diku atje, i paemër, midis syve të gjakosur nga historia, që nuk qënkërkan të aftë të shohin qartë e të konceptojnë drejtë, e njëjta politikë që s’ka qënë asnjëherë e interesuar rreth ideve por rreth shfaqjes. Dhe kuptohet këto akuza u drejtohen profesionistëve shqiptar, sepse është e veshtirë të imagjinohet se c’mund të thonë këta politikanë për qytetarët e thjeshtë që  konceptet urbanistike nuk mund t’i kenë prioritet, por që s’do të thotë se nevojat për parqe, hapësira të gjelbëruara, ajër të pastër, qetësi pas pune, pushim dhe argëtim nuk i synojnë, dhe nuk kanë të drejtë të shprehen për to! Në sferën qytetese – thotë Vehbiu te “Kulla e Sahatit” – shkatërrimi i pamëshirshëm i ekzistueses u përligj si parakusht për ndërtimin e së resë, sadoqë jo rrallë kjo e re nuk ishte vecse një rrasë në varrin e së vjetrës. Konkursi i sotëm është një proces mediatik apo akoma më shumë, nëse do huazoja përsëri nga  Ardian Vehbiu, ” një shpronësim semiotik“, sic e quan ai “aktin brutal të përvetësimit simbolik dhe asgjësimit të qëndrës së vjetër.” Ajo që po ndodh sot në Sheshin Skëndërbej, ka pak të bejë me qytetin, dhe aq më pak me problematikën e tij dhe të ofruarit të metodes, mjeteve dhe koncepteve për t’i zgjidhur ato, dhe ndoshta adresojnë vetëm cështjet e imazhit të tij dhe turizmit por jo thelbin. 

“Si një formë arkitektonike tepër e lashtë,  –  thotë Ardian Vehbiu në librin tij “Kulla e Sahatit” –  kulla tashmë është shndërruar në një funksion të kulluar; sepse c’mund të ishte një funksion i saj më i denjë sesa të jetë e tillë kullë? Nuk është e banueshme, si rrokaqielli; as mëton t’i afrohet Hyjnisë, si kambanarja a minareja; as kremton ndonjë triumf, si obelisku; as fsheh në stomak ndonjë kufomë, si piramida. Nuk përcjell ndonjë mesazh religjioz, as ushtarak, as ideologjik, as metafizik. Thjesht eshte atje, në emër të organizimit të hapësirës së qytetit…” 

Dhe c’mund të jetë tjetër rivleresimi historik i qëndrës, vecse rivleresim i strukturave arkitektonike dhe urbane të saj për të qënë atje, në emër të organizimit të hapësirës së qytetit? Dhe nëse një ndërhyrje në një zonë historike nuk bëhet në emër të historisë dhe të ndërgjegjesimit që sjell pranimi dhe rivlerësimi i saj, atëherë në emër të kujt bëhet? 

 
Lorjan Agalliu

 

 

 

 

 

One thought on “Sheshet e Tiranës”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s