Status-quoja e një muzeumi

Botuar ne ‘Gazeta Tema’ 11 Janar, 2008 

Drejtori aktual i Muzeut Historik Kombëtar në një intervistë në gazetën Shekulli të datës 08, 01, 2008 ka hedhur idenë e heqjes së mozaikut që ndodhet në fasadën qëndrore në sheshin Skëndërbej të muzeut që ai drejton. Për këtë ai sjell gjithashtu disa argumenta, ku ndër më kryesorët janë vlerat ideologjike që përcon vepra dhe sensibiliteti i një pjese të kombit ndaj një periudhe e cila nuk mund të përfaqësojë gjithë historinë tonë.

Para se të jap ndonjë mendim për këtë më duhet të theksoj fillimisht se po bëhet vazhdimisht e qartë se tashmë kemi nevojë për të përcaktuar një qëndrim të përgjithshëm ndaj trashëgimisë kulturore të diktaturës. Në gazetën Korrieri të datës 16, 12, 2007 Fatos Lubonja adresonte po të jëjtin problem në shkrimin me titull Biznesi banal me nostalgjinë e komunizmit“. Ndërsa autori fokusohej në shkrimin e tij në “trushpëlarjen” që i bëhet sot publikut me veprat e realizmit socialist, dhe më saktë nëpërmjet muzikës me anë të spektakleve që i ripërpunojnë këto vepra që edhe publiku t’i ripërtype ato më kollaj, ai gjithashtu prezanton edhe dy koncepte të ndryshme të trajtimit të këtyre veprave: 

  • 1. ruajtjen për arësye të studimit të fazave të ndryshme të asaj kohe, per të dalluar, nëpërmjet ndryshimeve të teksteve dhe të melodive, periudhat e ndryshme të diktaturës dhe të propagandës socrealiste që e ka shoqëruar atë.
  • 2. rimarrjen e cila ndryshe nga ruajtja kërkon identifikimin me veprën për atë që angazhohet në rrimarje. Dhe për ta ilustruar më tej me shembuj ai përmend dikë që këndon këngën e komandantit Che Guevara dhe identifikohet me të sepse beson në mitin e revolucionarit, apo edhe komunistit do shtoja unë. Ndërkohë kush mund të identifikohet sot me këngën “Shoqet tona ilegale” apo “Baballarët” që janë këngë që u bënë shumë më vonë, jo në kohën e Luftës, për të rritur edhe më tej kultin e shoqeve (si shoqja Nexhmije) dhe shokëve (si shoku Enver) udhëheqës të partisë që në emrin e Luftës shtypën e çnjerëzuan një popull të tërë për 45 vjet? Është e qartë se kush, po të përjashtojmë një pjesë të “trushpëlarëve” për të cilët rëndësia për t’u identifikuar me ndonjë vlerë nuk është në rend të ditës.

Por ndërsa solla përqasjen e Lubonjes për të përkufizuar nocionet e vleresimit të këtyre veprave, më duhet të theksojë gjithashtu një ndryshim cilesor midis rastit që analizon Lubonja, dhe që i referohet kryesisht muzikës, dhe rastit në fjalë i cili implikon artin dekorativ, arkitekturën dhe urbanistikën. Ky ndryshim ka të bëjë me dimensionin e ndryshëm publik që kanë këto arte nga njeri tjetri, gjë që e bën si ruajtjen ashtu edhe rimarrjen të trajtohen ndryshe në këto arte.  

Muzika mund të jetë sa nje experiencë private aq edhe publike sipas dëshirës së atyre që duan ta shijojnë ate, pra nuk është dicka e imponueshme. Edhe nësë artit muzikor që evokuon nazizmin, apo komunizmin i hiqet mundësia për t’u shfaqur në publik kjo nuk i pengon individe të vecantë ta “shijojnë” atë. Gjithashtu mundësia që të lejon vetë mediumi nëpërmjet rregullimit të orareve të transmetimeve në radio apo kanaleve private televizive, ose shfaqjeve të limituara për publikun e gjerë është një mënyrë tjetër për ta adresuar këtë problem. Pra dimensioni publik i muzikës është i tillë që e lejon ruajtjen si të ndryshme nga rrimarja. 

Arkitektura nuk e ka këtë fat, ndryshe nga pjesa më e madhe e arteve si letërsia, muzika, piktura, skulptura, fotografia, filmi etj. Dimensioni publik i arkitekturës është si të thuash i pashmangshëm – c’ka do të thotë se edhe ruajtja, edhe rrimarja në arkitekturë kanë dimension publik. Procesi i ruajtjes për efekt studimi dhe njohjeje në arkitekturë nuk mund të bëhet jashte funksionalitetit të veprës, po aq sa c’është e vërtet që ky lloj funksionaliteti implikon vazhdimisht rimarrjen. Dhe  në rastin në fjalë megjithëse flasim për një mozaik, ai ka tashmë një dimension të padiskutueshëm arkitektonik, c’ka domethëne se vlerat e mozaikut dhe të ndërtesës janë të ndërlidhura. Arkitektura është një art që i ka vlerat kryesore në cilësitë hapësinore dhe strukturore – na angazhon jo nëpërmjet cilësive vizuale sic bën piktura, por nëpërmjet cilësive hapësinore. Muret (struktura) shërbejnë për të orientuar vëmendjen tonë drejtë hapësirës. Pikërisht për këtë artet dekorative në arkitekture kanë një funksion primar ndërmjetës midis hapësirës dhe strukturës. Nga ana tjetër nëse ka ndonjë art që qëndron tërësisht mbi themele ideologjike kjo është arkitektura sepse i ka disa dimensione të detyrueshme sic janë ai social, ekonomik, politik dhe historik. Pra si të thuash arkitektura i vë në punë elementet e saj në unison. Edhe sikur të mendohet se mozaiku do zëvendësohej me një mozaik tjetër me përmbajtje ideologjike dhe stil tjetër, a nuk do ishte ky i vendosur në vendin e gabuar, dhe a do t’i shpëtonim ne asaj që e quajmë rimarrje?  

Është e vërtet që historia ka njohur gjithmonë raste të tilla , sidomos në konvertime që kanë shënjuar momentet historike të kalimit nga një ideologji fetare tek tjetra (kristianizëm – myslymanizëm, hinduizëm – budizem etj.),  por këto asnjëherë nuk kanë pasur vlerësimin historik dhe kulturor si dimension. Të thuash që problemi qëndron tek mozaiku, ndërkohë që nuk do (nuk di) të njohësh problemet e arkitekturës, nuk e adreson problemin por i ke hapur mundësinë një problemi akoma më të madh që ka lidhje me strukturën arkitektonike apo akoma më shumë atë urbane. Dhe për mendimin tim është pikërisht në këtë të fundit – urbanistikën – që duhet kërkuar zgjidhja. 

Një nga dukuritë më negative do thosha unë por edhe më e përhapura që është vërejtur në zhvillimin urban të qyteteve tona, është mungesa totale e respektit për stukturat ekzistuese. Dhe këtu nuk e kam fjalën për mungesë e respektit qëqytetarë e thjeshtë apo edhe firmat e ndërtimit kanë për ambientet e banimit, parqeve, fushave të sportit apo ku e di unë se c’farë, që janë okupuar  nga ata, duke dëmtuar shpesh edhe cilësinë e jetës së tyre. E kam fjalën për atë mungesë respekti që strehohet pikërisht në instancat më të larta vendimarrëse që kanë në dorë planifikimin në Shqipëri. Kush mund të harrojë shkatërrimin e Kinema 17 Nëndorit me vendim të KRRTSH-së dhe ngritjen në të të pallateve, dhe që u premtua nga kryetari i sotëm i Bashkise së Tiranes bashkë me kryeministrin e atëhershëm se do ndërtohej njësoj si e para?! Kush mund të harrojë gjithashtu Projektin e famshëm Francez për Tiranën,  që planifikonte në oborrin e brendshëm të këtij Muzeu për të cilin flasim të ngrihej një kullë xhami (ëndrra falike e kryetarit të bashkisë në mes të Tiranës!), kurse në ish godinën e Komitetit Qëndror mbivendosej parlamenti. Të gjithë e kanë parë se c’farë travestie arkitektonike u përzgjodh në konkursin më të fundit për t’u ndërtuar atje! Sigurish përvec atyre që i planifikojnë këto monstra dhe nuk rreshtin së lavdëruari ato. 

Ndërkohë kjo dukuri negative në planifikim patjetër që do shoqërohej ose do vinte si shkak i një dukurie po aq negative sa c’është mungesa e vizionit në planifimin urban. Planifikimi i kryeqyteti Shqiptar e ka reduktuar gjithë vëmëndjen e zhvillimit të dimensionit të vet publik në qëndër! Kujt nuk i bën përshtypje përshembull se ndërsa popullsia e Tiranës është pothuajse trefishuar, shërbimit urban nuk i është shtuar as edhe një linjë e vetme urbane, dhe as edhe nje kilometër më shumë se c’kishte në vitet 80-të dhe fillim të viteve 90-të. 

Po c’fare lidhje ka e gjithë kjo do pyesi dikush me mozaikun e Muzeut Historik. Ka shumë lidhje do thosha unë, sepse jeta urbane në Tiranë vazhdon të mbetet e varfër me gjithë energjitë që rrezaton. Në fakt dikush duhet të kishte menduar se nëse kjo ndërtese bashkë me mozaikun e vet që nuk na përfaqson, në vend se të kerkohej për të hyrë në operacione gjysmake, ndoshta do ishte me vend propozimi i një Muzeu te ri për Historinë e Shqipërisë, që do bënte të mundur eleminimin e shumë të metave që paraqet muzeu aktual. Kjo do e linte atë në nivelin e një relikeje, ashtu sikurse qëndron sot piramida e ndërtuar për nder të diktaorit. Nisma të tilla si ajo e ndërtimit të Parlamentit të Ri, Muzeut Historik Kombëtar, monumenteve për Nënë Terezën, duhet të përdoreshin për t’i dhënë gjithë qytetit dhe strukturës urbane një dimension të ri, dhe jo të reduktoheshin në konvertime të dyshimta që nuk duket se i sjellin asgjë publikut. Nëse ai mozaik dhe ajo godinë por edhe shumë të tjera kanë atë ndikim në politikë dhe shoqëri sa kanë sot, nuk i kanë për vlerat që mbartin, por për shkak të qëndrimit tonë ndaj tyre. Hapësira e sheshit Skëndërbej vazhdon të trajtohet sikur të ishte gjithcka që shkon keq me Tiranën. Edhe kur kërkohet të preket, trajtohet si e ngurtë, sikur gjithcka që ajo i ofron këtij qyteti sot të ishte në rregull përvecse trafikut dhe mungesës së ndonje ndërtimi të lartë në periferi të saj – në të njëjtën kohë i lejojmë vetes të trajtojmë fare pa kujdes strukturat rreth saj, në një perpjekje donkishoteske për të dominuar status-quone.

 

Lorjan Agalliu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s