Tirana drejt një perspektive të re

Botuar ne ‘Gazeta Tema’ Shtator, 2003

Përgjatë periudhës dymbëdhjetë vjeçare pas rënies së sistemit totalitar, struktura e Tiranës me gjithë transformimet e mëdha sociale, demografike, apo kulturore ka ndryshuar shumë pak dhe ende ka një perspektivë të paqartë. Megjithëse qyteti ka kaluar në disa faza (ose më saktë në dy faza) duke nisur nga periudha e shpërfytyrimit, në atë të rikthimit të kohës përtej shpërfytyrimit, tregjet, transporti, banimi, muzeumet, teatrot, parqet janë dhe vazhdojnë të konceptohen po ato të dymbëdhjetë viteve më parë. Strukturat e tregjeve, të banimit, apo të transportit nuk kanë ndryshuar. Ato vetëm se po përqendrohen dhe dendësohen brenda strukturave ekzistuese duke i kthyer ato problem në vetvete. Ndërkohë periferinë e zgjeruar në mënyrë drastike e bën pjesë të qytetit vetëm afërsia gjeografike me këtë të fundit. Si rrjedhim të kërkosh rrugëzgjidhje dhe perspektivë të qartë pas nje periudhe dymbëdhjetë vjeçare të karakterizuar nga mungesa e vizionit është imediate. Por kjo nuk mund të bëhet pa një lexim dhe formulim të problematikës ekzistuese dhe perspektivës së qytetit të Tiranës. Ndërkohë që ky lexim ose interpretim i strukturës së qytetit mos të ngelet thjesht në kuadrin e metaforës ka nevojë të konkretizohet në përfundime analitike, të cilat i referohen strukturës reale të qytetit. Nga kjo pikëpamje qyteti ka pak ndryshim nga i sëmuri psiqik, i cili për t’u shëruar, ka nevojë fillimisht të kuptohet.  

Në këtë shkrim unë do të përpiqem të formuloj atë që personalisht e konsideroj si rruga e drejtë se si mund të trajtohet problemi i qytetit, e cila me pas do të vijohet nga një propozim që akoma më shumë shpreh vetëm gustot personale të autorit. Për ta bërë sa më konkrete problematikën do të trajtoj tre elemente realë të saj, të zgjedhur sipas preferencës sime, të cilët janë; struktura e qytetit, qendra e qytetit, dhe monumenti i Nënë Terezës, për të cilin së fundi u zhvillua edhe një konkurs. Mendimet më shumë se në trajtë lineare do të trajtohen në formën e një kolazhi, zgjedhje e cila vjen nga natyra e pavarur, por edhe nga ndërthurjet që këto elementë kanë tek njëri tjetri. Duke qenë se lidhjet, ndërthurjet, kombinimet ose një lloj kolazhi ndërmjet tyre është më i rëndësishëm sesa trajtimi i tyre individual do ishte më e saktë që të trajtonim marrëdhënie të tilla si ato ndërmjet qendrës dhe qytetit, monumentit dhe qendrës apo monumentit dhe qytetit. 

Për të filluar së pari me atë që konsideroj si më të rëndësishmen, marrëdhënien ndërmjet qendrës dhe qytetit, do t’i referohem përkufizimit që bën për qendrën kritiku francez Roland Barthes në esenë e tij “Semiology and the Urban” ku thotë “…pika qendrore e qendrës së qytetit (çdo qytet ka një qendër) të cilën ne e quajmë ‘nukël solid’, nuk përcakton pikën më të lartë të ndonjë aktiviteti të caktuar por një lloj ‘fokusi’ bosh të imazhit që komuniteti zhvillon për qendrën. Ne kemi këtu një lloj hapësire boshe, e cila është e nevojshme për organizimin e qytetit.” Dhe nuk është rastësi që monumentet që i referohen historisë apo moralit të shoqërisë vendosen në këto qendra. Në të njëjtën kohë vetë këto munumente nuk mund të qëndrojnë jashtë llogjikës dhe arsyeve për të cilat ato janë krijuar, pra atyre historike, morale apo estetike. Nga ky këndvështrim mospërputhjet që krijohen ndërmjet këtyre llogjikave, si p.sh., historike kundrejt asaj estetike, apo morale kundrejt asaj historike krijojnë deformimet në strukturën e qendrës apo të qytetit. Pa hyrë në detaje po përmend vetëm dy deformimet kryesore që i kanë ndodhur përkatësisht strukturës së qendrës dhe asaj të qytetit nga rrjedha e zhvillimit të tyre gradual dhe natyror.  

Kështu, deformimi i parë ka të bëjë me qendrën dhe ka nisur me shpalljen e Tiranës kryeqytet i vendit me 1920-ën kur lindi nevoja për krijimin e një qendre që në një farë mënyre duhet të konkurronte me qendrat e tjera europiane. Kjo tendencë solli si pasojë krijimin e një bulevardi i cili ishte në disproporcion me strukturën aktuale të qytetit. Ky bulevard perceptohet si qendër edhe sot, pra siç e përkufizuam më sipër jo si një hapësirë me pikën më të lartë të ndonjë aktiviteti të caktuar, por një lloj hapësire boshe për të realizuar orientimin në qytet. Ky deformim është aq i madh saqë jo rrallë ajo që është në realitet qendër e qytetit, pra bulevardi, është parë gabimisht si strukturë aktive e tij. Kjo ka ndihmuar në deformimin e dytë që ka të bëjë më strukturën e qytetit për të cilën do flasim më poshtë. 

Së dyti gjatë periudhës së diktaturës si pasojë e ideologjisë, por edhe e një zhvillimi të komanduar dhe jo natyror, qyteti filloi të perceptohej si unazor rrezor. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u perceptua dhe u ndërtua unaza e parë, si dhe u projektua unaza e vogël dhe një sërë unazash të jashtme që sipas këtij plani do t’i paraprinin zhvillimit të qytetit. Ndërkohë që qyteti vazhdon të perceptohet si unazor rrezor, në fakt ai nuk është i tillë. Së pari pasi unazat ekzistojnë vetëm në letër, dhe së dyti një nga ato që konsiderohet rreze e rëndësishme e tij në fakt s’është veçse qendër. Ai mund të quhet në gjendje kaotike, për shkak të mungesës së një vizioni të qartë.  

Ndërkohë një aspekt tjetër i këtij deformimi është edhe planifikimi e legjislacioni. Për këtë do t’u referohem dy projekteve, Planit Austriak për Zhvillimin e Tiranës, dhe Masterplanit Urbanistik të Tiranës që daton vitin 1989. 

Plani Austriak për Zhvillimin e Qytetit të Tiranës përcakton qartë perspektivën e zhvillimit të qytetit si lineare, duke treguar në të njëjtën kohë përparësitë e këtij të fundit kundrejt sistemit unazor rrezor. Ndërkohë që pothuajse të gjithë arkitektët shqiptarë në shumë çështje i referohen këtij projekti, harrojnë t’i referohen atij për atë që është themelore, perspektiva e zhvillimit të qytetit. Fakti që ky studim nuk arriti të shndërrohej kurrë në një dokument ligjor më shumë se çdo gjë tjetër tregon pamundësinë për të pranuar një ndryshim në konceptimin e qytetit, duke preferuar më mirë një plan urbanistik të 15 viteve më parë dhe tërësisht jashtë kohe. Por keqkuptimi kryesor me Planin Austriak qëndron në faktin që ky është një plan strategjik dhe jo një masterplan. Ndërkohë për të shprehur idetë e veta hartuesit e këtij plani nuk nuk kanë krijuar planimetri të reja, por kanë shfrytëzuar ato të masterplanit ekzistues të vitit 1989. Ato kanë shartuar nga ky plan disa unaza të tepërta duke ruajtur prej tyre vetëm disa segmente në trajtat e superstradës (ose high-way-it), të cilat do të shërbenin për të shkarkuar trafikun nga qyteti dhe për të shkurtuar distancat. Duke mos dashur të largohem nga tema dhe të tregoj se sa të rëndësishme dhe jetike janë këto superstrada për trafikun e kryeqytetit, dua të përmend se autorët e këtij Plani lanë, – nga Masterplani ekzistues, – të paprekur unazën e vogël që planifikohet për t’u ndërtuar rreth sheshit Skënderbej. Por këtu vërehet një gabim. Duke parë natyrën e Planit Austriak që siç e thashë më sipër është një plan strategjik, nuk mund të pritet që ai të japë një zgjidhje për sistemimin e sheshit Skënderbej, e cila është detyrë e një studimi pjesor. Si rrjedhim për të përcaktuar perspektivën e zhvillimit të qendrës duhet t’i referohemi asaj pjese të këtij plani që ka lidhje me strategjinë duke vënë në pikëpyetje atë pjesë ku ai paraqitet si masterplan. Kjo bën të domosdoshëm shprehjen e një vullneti për braktisjen përfundimtare të konceptit të vjetër për qytetin, dhe kalimin në një etapë të re të zhvillimit të tij.  

Si konkluzion mund të themi se zhvillimi linear i qytetit në drejtimin lindje -perëndim duhet të jetë perspektiva e re e Tiranës. Zhvillimi në krah të kundërt me orientimin e qendrës pra të bulevardit do ta zbehë rëndësinë e tij si një nukël orientimi në qytet. Shpërbërja graduale e këtij nukli do të çojë drejt zbehjes së vlerave të tij urbane dhe rivlerësimit të vlerave të tij arkitektonike. Ndërkohë lindja e qendrave të tjera, për të cilat do flasim pak më poshtë, bëhet e domosdoshme. Gjithashtu nga pikëpamja ligjore kërkohet zëvendësimi i Masterplanit (të cilët për hir të së vërtetës nuk përdorën më në planifikimin e qyteteve me struktura ekzistuese) me Rregullore Urbanistike, e cila përcakton në mënyrë ligjore marrëdhëniet midis projektit dhe faktorëve të tjerë, pra: pronave, zonave historike, ambjenteve publike, gjelbërimit, etj.. Kjo rregullore duhet të shoqërohet përkatësisht nga harta e pronave, e zonave historike e atyre publike etj.. Gjithashtu është e tepërt të theksoj se ajo që ekziston sot si Rregullore Urbanistike nuk është e tillë, dhe trajton vetëm një pjesë shumë të vogël dhe në mënyrë të përciptë të asaj që duhet të jetë rregullorja e ardhshme. Përfundimisht skema rigjide e masterplanit do të zëvendësohej me një skemë dinamike të planifikimit në qytet. Kjo do të ishte një ndërthurje e planit strategjik me rregulloren e urbanistikës e kombinuar me studimet pjesore. 

Momenti tjetër i kësaj analize, që ka të bëjë me monumentet, do të fokusohet në dy aspekte të saj; monumentet në qendër dhe qendra si monument. 

Monumentet vijnë në qendër për shumë arsye, por së pari sepse karakteri i tyre përputhet me funksionin orientues që ka qendra. Nëse hapësira e qendrës më së shumti shërben si një pikë orientuese në qytet me ndikim nga qendra në periferi dhe anasjelltas, monumentet kanë një cilësi tjetër. Përveçse për të orientuar nëpërmjet pasqyrimit të vlerave të tyre morale, politike, kulturore, historike etj., ato shërbejnë për të identifikuar komunitetet. Duke integruar qendrën në komunitet, ato ndihmojnë atë për të realizuar qëllimin e saj orientues. Ato sjellin vlera reale në një ambient abstrakt siç është ai i qendrës së qytetit duke e bërë atë më të afërt për qytetarin dhe duke e ndihmuar atë ta gjejë veten natyrshëm në një ambient të tillë. Siç shihet që të dy këto elementë, pra qendra dhe monumenti, pavarësisht nga lidhjet e tyre teorikisht perceptohen si të pavarur. Ndërkohë në praktikë për shkak të dominimit të monumenteve në qendër jo rrallë, gabimisht ose në trajtë metaforike, ato perceptohen si një element, dhe që unë do ta quaja qendra si monument. Kjo është një dukuri që vihet re aktualisht në qendrën e Tiranës. Ajo ka marrë një mbivlerësim në kurriz të këtyre vlerave jo vetëm për shkak të përqendrimit në të të veprave monumentale, arkitektonike, kulturore apo administrative, por më tepër për shkak të luftërave ideologjike të herëpashershme që janë bërë për ta zotëruar qendrën nëpërmjet mbivendosjes apo eleminimit të vlerave kulturore. Si pasojë me dashje ose pa dashje më shumë flitet për ruajtjen e vlerave të hapësirës së qendrës si një hapësirë monumentale (që për hir të së vërtetës nuk ekzistojnë) sesa për të evidentuar vlerat individuale të objekteve dhe monumenteve që janë aty prezent. 

Si rrjedhojë do të thoshim se dy janë rrugët nga do të kalojë zhvillimi i qendrës. Së pari, afirmimi i vlerave monumentale dhe kulturore nëpërmjet një procesi evidentimi të tyre. Së dyti, si pasojë e zhvillimit linear të qytetit qendra do të kalonte një proces transformimi, që do ta quaja procesi i linearizimit të qendrës. Kjo më shumë se sa për strukturën e bulevardit, e cila për shkak të linearitetit e realizon natyrshëm integrimin në strukturën e qytetit, ka vlerë për sheshin Skënderbej. Ky proces do të risillte lidhjet natyrale të rrugës së “Durrësit” me atë të “Dibrës” dhe rrugës së “Kavajës” me atë të “Elbasanit”, ndërkohë do të ndihmonte në identifikimin e vlerave monumentale dhe arkitektonike. Mënyra se si do të përkthehej kjo në arkitekturën e re të sheshit është çështje që u përket projekteve konkrete, por mëse e realizueshme duke pasur parasysh fleksibilitetin e fjalorit të arkitekturës bashkëkohore pas rënies së tabuve funksionaliste. 

Transformimi i qendrës, qyteti linear, dhe Monumenti i Nënë Terezës, i cili do të jetë një pjesë e rëndësishme e qytetit në të ardhmen, risjellin edhe njëherë problemin e qendrave. Duke e konsideruar analizën e mësipërme një shtrat të mirë për të marrë në konsideratë problemin e pozicionimit të monumentit të Nënë Terezës po jap edhe mendimin tim për trajtimin e këtij problemi. Së pari nuk do isha pozitiv për vendosjen e tij në qendrën tradicionale dhe për më tepër në sheshin Skënderbej. Kjo për disa arsye. Kryesisht për të shmangur një përplasje ndërmjet monumenteve me karakter të njëjtë të cilët kanë tendencë ta personalizojnë hapësirën për shkak të cilësive të tyre, siç mund të jetë ai i Skënderbeut. Historia e qendrës është e mbushur me eksperienca të tilla, të cilat kanë rezultuar jo pozitive. Gjithashtu duke qenë një element rigjid i formulimit të hapësirës ai nuk do të ishte elementi transformues i kërkuar për sheshin. Megjithatë duke parë si të nevojshme trajtimin jo thjesht dekorativ të këtij monumenti, nuk do isha kategorik në përjashtimin e mundësisë për ta vendosur atë në sheshin Skënderbej. Veçse kjo duhet të plotësonte kushtin që arkitektura e re e qendrës të realizonte njëherësh një shpërbërje të hapësirës së sheshit dhe evidentimin e vlerave arkitektonike të objekteve përbërës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër një hapësirë dhe strukturë të re arkitektonike për të mbështetur monumentin. Por për të njëjtat arsye, pra mbështetjes arkitektonike, do ta përjashtoja, përsëri jo në mënyrë kategorike, mundësinë e vendosjes së tij në sheshin Nënë Tereza, megjithëse ato mbajnë të njëjtin emër. 

Një zgjedhje alternative për këtë problem personalisht do ta kërkoja tek perspektiva e zhvillimit të qytetit. Natyra lineare e qytetit e bën të pamundur orientimin vetëm nëpërmjet një qendre, dhe të pashmangshme krijimin e qendrave të tjera për orientim. Kurse vetë natyra e monumentit të Nënë Terezës që si asnjë monument tjetër në Tiranë është personifikimi i vlerave absolute dhe më të larta njerëzore kam bindjen se nuk e ka të nevojshme gjetjen e një hapësire të gatshme. Ai është një monument me shumë potencial për të gjeneruar apo mbledhur rreth vetes vlera arkitektonike apo sociale. Propozimi im vjen jo nga gjetja e një hapësire të gatshme por nga bashkimi i disa vlerave, të cilat do të ishin të afta për të formuar një qendër të denjë për qytetin. Ky vend për mua do të ishte në rrugën e Elbasanit aty ku qyteti i Studentit, blloqet e banimit të rrugës së Elbasanit, kompleksi i shkollave dhe fakulteteve dhe natyra e mrekullueshme e parkut takojnë njëra-tjetrën. Këtu do kombinoheshin vlerat qytetare, me vlerat e dijes dhe ato studentore në një qendër që do të kishte për simbol monumentin e Nënë Terezës. Do të ishte detyrë e një projekti urbanistik dhe arkitektonik që të zbulonte vlerat më të mira të këtyre komponentëve duke realizuar integrimin jo vetëm midis tyre, por edhe me qytetin dhe natyrën e bukur të parkut. Ky ndoshta do të ishte rasti ideal për të ndërtuar një qendër që do ta çonte Tiranën drejt rikonceptimit të qendrave të tjera të saj dhe krijimit të një metropoli kompleks bashkëkohor.

Këto mendime kishin për synim të pasqyronin vetëm një vizion personal për disa probleme dhe për të ardhmen e qytetit të Tiranës. Por arsyeja kryesore përse janë shprehur në këtë shkrim buron nga bindja se nuk ka të ardhme pa vizion.

Lorjan Agalliu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s