Tiranë – Durrës dhe një “vështrim i ri” rreth idesë së një metropoli shqiptar

Botuar ne ‘Gazeta Tema’ 28 Shtator, 2007

Prania në të njëjtin takim, që kishte si shqetësim të përbashkët zhvillimin urban të Tiranës, e liderit të opozitës kryebashkiak i Tiranës, e kryeministrit, dhe e kryetarit të shtetit është në thelb nje zhvillim pozitiv që i ndihmon si problematikës së Tiranës dhe politikës në një kuptim më të gjërë. Por përtej shprehjes së një vullneti poltik ky takim nuk ishte në gjëndje të garantonte me tëper. Dhe arsyeja është e thjeshtë: askush nuk ka qënë në gjëndje deri më sot të thotë pas shumë dështimesh se cila është rruga nëpër të cilën duhet të eci zhvillimi i urbanistikës, qoftë ky politikan apo profesionist.

Nuk duhet mohuar se zhvillimet urbanistke nga natyra janë shumë të varur nga politika dhe rrjedhimisht pre e retorikës së saj. Pa dashur të shqyrtojmë në qëllimet e kësaj retorike ajo duhet analizuar në atë që i ofron realitetit urban të cilin ajo formëson ndërkohe që as mendimi profesionist në Shqiperi ende nuk e ka një koncept dhe vizion të qartë për zhvillimin urban të Tiranës dhe më gjerë. Është pikërisht ky kombinim – retorika politike dhe mungesa e pikëpamjeve dhe aksionit profesional përgjegjës për të cilën jemi të gjithë ne profesionistët shqiptar – që riciklon pas 17-të vjetësh kaosi urban projekte të modeluar në periudha të cilat nuk kanë asgjë të ngjashme me realitetin e sotëm. Për më tepër këto projekte ofrohen si modele nga një kryebashkiak që pas 7-të vjetësh në detyrë thjeshtë konstaton se kryeqyteti është zhytur në kaos urban duke anashkaluar përgjegjësitë, kurse kryetari i shtetit dhe kryeministri ofrojne si zgjidhje projekte të vitit 1989 dhe një pamje tërësisht të ngrirë për kryeqytetin. Jo se këta janë të përjashtuar nga mundësia për të ofruar modele porse janë modelet që ato ofrojnë që të bën të mendosh se ka një kapitullim përball kaosit që nuk i ofron asgjë të ardhmes së qytetit.

Shqetesuese në këtë paraqitje nuk ishte mugesa e pikëpamjeve nga protagonistët por pikëpamjet e gabuara. Në fakt pikëpamjet e tyre nuk ndryshonin shumë nga njeri tjetra dhe kishin të përbashkët dicka thelbësore: ato nuk e shohin qytetin si një marrëdhenie por si të ngurtë dhe pa dinamikë.

Dy përqasjet kryesore të problemit nga protagonistët – përqasja historike dhe përqasja planifikuese – nuk ishin në vetvete përqasje ideore por ishin me synime të paracaktuara kryesisht pragmatike. Ndërsa për kryetarin e bashkisë kontrolli i territorit përbënte si të thuash shqetësimin kryesor por edhe celësin e suksesit, kryeministri por edhe kryetari i shtetit shihnin infrastrukturën si shkopin magjik që hap dyert e zgjidhjeve të problemeve urbane të Tiranës. Ajo që do argumentoj duke nisur nga ky moment është se vërtet të dy këto elementë – infrastruktura dhe kontrolli i territorit – janë mjete bazë me të cilat veprohet në një ambient urban për ta kontrolluar, porse nuk përbëjnë thelbin e mënyrës se si konceptohet zhvillimi i tij. Jo cdo qytet me infrastrukturë të zhvilluar që menaxhon mirë territorin e vet është i suksesshëm. Por për këtë le të përimtojmë (apo analizojmë) në dy përqasjet kryesore – përqasjen historike dhe atë planifikuese. 

Kritika historike 

“Tirana sot ka nevojë për implementimin e atij projekti, i cili për fat të mirë, por edhe për fat të keq, është mjaft i hershëm. Unaza e Madhe e Tiranës është projektuar të bëhet që në vitin 1989, atëherë kur nuk ishte menduar që do të kishte pesëfishim të popullsisë së Tiranës, nuk ishte          menduar që do të kishte një numër kaq të madh makinash”

Duke u nisur nga fakti që unaza e madhe tashmë është një realitet që kërkon vetëm t’i hidhet asfalt kryetari shtetit në citimin e mësipërm e paraqet atë si një projekt vizionar të kohës së komunizmit që ka parashikuar se cdo të ndodhte në një demokraci me ekonomi të lirë duke harruar që e vetmja arsye përse ajo është bërë realitet është se në Tiranë qysh prej 17-të vjetësh sipërmarrje të lirë punohet sipër vijave të një plani që nuk ka asgjë të përbashkët me këtë realitet, aq sa pas gjithë kësaj kohe ky plan është tashmë më “realitet” se realiteti.

Kurse kruebashkiaku thotë: “Vizioni mbi një Tiranë Metropolitane nuk është i ri. Ai u strukturua për herë të parë në vitin 1940, kur Gherardo Bosio redaktonte Planin Rregullues të Kryeqytetit. Qe koha kur Shqipëria administrohej nga Italia dhe ekspertiza më e mirë italiane u fokusua në Planet Urbanistike të Shqipërisë… Ky vizion progresiv u la pas në vitet e komunizmit, i cili mëtonte ruajtjen e raporteve fshat-qytet në bazë të principit për zhvillim të planifikuar e të centralizuar të ekonomisë.”  ndërkohë që është e qartë për këdo që di të lexojë planet apo ka edhe njohjet minimale historike dhe ideologjike se planet e komunizmit me ate Italian ndryshojne vetëm nga pikpamja estetike dhe sasiore dhe e kuptojnë qytetin si një njësi të unifikuar në të gjitha nivelet për të cilin do flas pak më poshtë.

Ndërsa në të njëjtën teme (rastësi?) kryetari i shtetit vazhdon: “Për ata që e njohin urbanistikën e Tiranës, e cila filloi të zhvillohej realisht në vitet `30, Tirana ka pasur një konfiguracion rrugor të tipit radial, pra me rrugë që vinin nga periferia drejt qendrës dhe ky është një element që qëndron edhe sot.”  

Këtu ka një përpjekje për ta paraqitur Tiranën si qytet të unifikuar qysh në fillesat e tij. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Tirana gjatë kësaj periudhe ka pasur një realitet urban të dyzuar ndërmjet qytetit historik që shkonte në drejtimin lidje-perëndim dhe aksit administrativ në drejtimin veri-jug (por që nuk përbënin një unitet) që ka zgjatur deri në periudhën e komunizmit. I tille është pëshkruar ky realitet edhe nga Petraq Kolevica në librin e tij Historia e Arkitekturës së Tiranës, dhe në një kontekst më të gjërë do të pershkruhet së fundi nga Fatos Lubonja në shkrimin e tij ‘Tirana si Qytet i Qytetarëve dhe Kryeqytet i Pushtetarëve’. Ptraq Kolevica e vë theksin mbi ndërtimin e bulevardit në drejtim të kundërt me orientimin e qytetit në planin a Brazinit dhe thekson përpjekjet e mëvonshme për unifikim. Ndërkohë Lubonja ndërsa ve theksin në dualitetin e asaj që ai quan “Dy qendrat e Ahmet Zogut” i njeh këtij të fundit kosheincën për të njohur realitetin urban të qytetit pavarësisht përpjekjeve për të krijuar një të ri parallel që dominonte realitetin “oriental”. Ndërsa plani i Brazinit sic e thekson me të drejtë Lubonja as nuk tentoi të ofronte një zgjdhje “organike” të zhvillimit të qytetit, porse Zogu pati instinktin e duhur (apo pafuqinë) për të mos e përdorur pushtetin për t’i pajtuar të dy realitet – që do të thoshte eleminim i qëndrës historike.

Unifikimi i zhvillimit të qytetit në fakt është tentuar si fillim në projektin Italian të 1940 dhe më pas nga planifikimi i periudhës së komunizmit ku plani i 1989 është më i ploti në realizimin e këtij përfundimi. Ky i fundit në ndryshim me planin Italian ka hequr dorë vetëm prej elementëve estetikë dhe arkitktonikë, duke u përshtatur si një virus i fortë. Është pikërisht kjo vecori që e ka bërë atë më të zhdërvjellët se cdo plan tjetër për të realizuar qëllimin final – unifikimin. Dhe në fakt ja ka arritur. Tirana është më e unifikuar sot se kurrë në atë që mishëron ky plan: në joarkitekturë, në joestetikë, në jourbanistikë, në jopublikë në emër të një qëllimi – Unifikimit. 

Ndikimet e Tiranës kryeqytet 

Por për të kuptuar fenomenet që e kanë shoqëruar Tiranën si kryeqytet do desha t’i kthehesha së pari origjinës së historisë së saj si kryeqytet. Kongresi i Lushnjës  dhe shpallja e Tiranës kryeqytet ka qënë moment vendimtar në urbanistikën shqiptare. Gjatë procesit të përzgjedhjes janë lënë pas qytete të strukturuara nga ana historike kulturore me elita të arrira si Durrësi, Shkodra, Vlora, Berati, Korca apo edhe Kruja – kandidatë të denjë për kryeqytetin Shqiptar – vetëm për t’i hapur rrugën Tiranës, një qyteti me një strukturë urbanistike dhe qytetare ende të paformuar. Roli i këtij vendimi i konsideruar ‘pozitiv’ qoftë për historinë e mëpasme të Tiranës por edhe të Shqipërisë pak ose aspak është vënë në diskutim.

Kongrsi i Lushnjës shënon momentin e parë ku statusi politik është vlerësuar me i rëndësishëm se statusi qytetar për arsye të njohura – vleresim që do të kishte ndikimin e vet në zhvillimet urbane të mëvonshme.

Profecia e rlindasit në ‘Shqiperia C’Është C’Ka Qenë dhe C’do të Jetë’, e reflektuar besnikërisht edhe ne vendimin e Kongresit të Lushnjës, prej shumkujt është konsideruar e përmbushur ose shumë afër përpumbushjes. Edhe refleksionet racionale të Konicës për të krahasuar përzgjedhjen e Tiranës me atë të Washington D.C në Amerikën e largët duket sikur e mbështesnin përpuethshmërinë e një zgjidhje ideale dhe racionale njëherësh, ku ëndrra e rilindjes dhe realiteti shqiptar bëhen një.

Por si do të kishte rrjedhur historia e Shqipërisë nëse në vënd të Tiranës do të ishte zgjedhur si kryeqytet një nga qytetet e përmendura më sipër? Përvecse pasoja në dukje pozitive a kapasur ky vendim pasoja negative?

Mendimi dhe përgjigjja ime këtyre pyetjeve do të ishte: po, ka patur shumë pasoja negative që kanë ndikuar jo vetëm realitetin urban por atë shoqeror.

Kam përshtypjen se një qyetet me një strukture të formuar, me lidhje historike e kulturore me qytete analoge në rajon dhe më gjërë dhe për më tepër me prezencën e nje koshience qytetare të zhvilluar do t’i shërbente një vendi të vogël si Shqipëria shumë më tepër se sa sprova e krijimit të identitetit të një kryeqyteti nga e para. Askush nuk mund të thotë se si do kishin rrjedhur ngjarjet historike nëse vendimi i marrë nga paria e kombit do të kishte qënë i ndryshëm. Por cfarë i sjell kjo përimtimit tonë në histori? Disa përfundime si pasojë e kësaj vendimarrje mund të lexohen më lehtë në këtë moment.

Së pari, përzgjedhja e Tiranës mund të ketë pasur (dhe ka pasur) ndikim në mbylljen e vendit përbrenda vetvetes – sidomos gjatë regjimit komunist ku perceptimi i pushtetit dhe pozita gjeografike përputheshin – përkundrejt efektit të kundërt, pra atë të hapjes që mund të kishte zgjedhja e Durrësit, Vlorës apo Shkodrës. Ndërkohë qytete si Kruja apo Berati padyshim që do kishin avantazhin e qytetit të strukturuar me një prezence të fortë historike dhe arkitektonike, mungesën e vleresimit të të cilave e kemi ndjerë aq shumë më pas. Shembujt ku përzgjedhja e kryeqyteteve ka luajtur rol parësor në fatin e shteteve dhe perandorive janë të shumta. Në rastin e Kinës zhvendosja e kryeqytetit nga Nanking në periudhën e dinastisë Ming drejt Pekinit mendohet se ka luajtur një rol parësor në zbehjen e rolit të fuqisë tregtare dhe detare të Kinës dhe kthimin e saj në një fuqi të mbyllur në vetvete. Po ashtu zgjedhja e Madridid si kryeqëndër e një fuqie detare sic ishte Spanja në mesjete ka qënë pothuajse fatale për fatet e nje perandorie detare, përkundrejt rritjes së vazhdueshme që patën vende të tilla si Anglia dhe Hollanda të cilat i kishin qendrat politike edhe porte të rëndësishme detare e nyje lidhëse me botën dhe që vazhduan të mbeten fuqi detare dhe ekonomike për një kohë të gjatë.

Së dyti një qytet si Tirana me një zhvillim tregtar mesjetar të pazhvilluar krahasuar me shumë qytete të tjera në vend, krijimi i një strukture politike pa mbështetjen e duhur ekonomike dhe anasjelltas do të krijonte probleme serioze jo vetëm për qytetin por për gjithë shoqërinë. Është e tepërt të analizosh disavantazhet që paraqet për një vend rural si i yni krijimi i qyteteve nga fillimi nën shembullin e atyre amerikane, të cilat shumë shpejt pas fitores së pavaresisë nga amerika do të merrnin rolin e drejtuesit botëror në revolucionin industrial.

Efektet negative të përzgjedhjes së Tiranës si kryeqytet kanë qënë të menjëhershme, sa në vështirësitë e ndërtimit të një kryeqyteti nga e para, aq edhe në efektin degradues të qyteteve përreth.  Këtë zhgënjim se ka përshkruar askush më dëshpërimisht se vet Konica në shkrimin e tij ‘Shqipëria si m’u duk’. Ja si e përshkruan ai prezantimin e parë me Durrësin 15 vjet pasi ishte larguar nga Shqipëria prej nga 1913-ta:

… Me të zgjuar, u lava, u rojta, u vesha, dhe dolla të shijoj për se largu dukjen romantike të Durrësit me kullat e Kohës së Mesme që e zbukurojnë posi gurë të cmuar në një brez prej ari. Kullat? Ku janë kullat? Anija sa vete po afrohet, hyri në liman, shtiri hekur: po kullat s’duken. Pyeta një officer të anijes. Cili qytet është ky? – Durrësi, u përgjigj oficeri. – Durrësi? Thashë unë. Jini i sigurt? Mos lajthiteni? – S’ka lajthim, është Durrësi, përsëriti duke nënqeshur oficeri. Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë. Dëgjova më vonë se nga tetë kullat e cuditshme që i jipnin Durrësit një madhështi të vecante, dy u prishën në kohë të luftës (për këtë s’kanë faj shqiptarët), po tri të tjera i rrëzoi dhe i fshiu një kryeplak qytetit, dhe të tri të fundit që kanë mbetur janë fshehur nga dukja prej ca binave të ra që u goditnë rreth e rrotull. Sic transit gloria Durrhachii

Dhe Tiranën e përshkruan si më poshtë:

… Kushedi se c’do të gjeja në Tiranë, të cilën, në duroni të përsërit dhe ca të tjera vija nga ‘Doktor Gjelpëra”, e kam përshkruar atje me këto fjalë të pakta:

“Një tok plepesh të gjata shënuan ardhjen në Tiranë, – në qytet të kopshteve, ku cdo shtëpi është si e fshehur në mes të pemëve e te luleve, në qytet të përmbledhur e të qetë, i cili s’duket para së të shkelësh në prag të tij.”

Po plepet në majat aq të larta sa retë u prenë që prej kohe, dhe shumica e kopshteve ose u zhveshnë nga dimri, ose u shtinë për të hapur vend për bina të ra.”

Por cfarë kupimi ka ky përimtim?

Së pari se qysh nga shpallja e Tiranës kryeqytet nuk kanë rreshtur pëpjekjet për unifikimin dhe qëndërzimin e saj, në një gjëndje konstante “rindërtimi” dhe “rikonceptimi” që pushteti përgatiste për të.

Së dyti, ky qëndërzim e ka bërë Tiranën një qytet të mbyllur dhe ka patur një ndikim sado psikologjik në izolimin e shoqërisë shqiptare dhe me ndikime negative në qendrat e tjera urbane. Lidhjet me qendrat përreth si Durrësi, Elbasani, Kruja – të cilat nuk mund të jenë qëndrore por vecse lineare – diktojnë një qytet të hapur dhe marrëdhenie reciproke midis këtyre qëndrave. Dhe në këtë këndvështrim projekti Durrës – Tiranë është parësor. 

Momenti planifikues. 

Dy janë elementët kryesorë që e bëjnë të mundur planifikimin; vizioni i qarte dhe përcaktimi i marrëdhënieve që do përputheshin me këtë vizion.

Me përimtimin e vizionit historik që bëmë më sipër një nga gjërat që nuk u shqyrtua mbetet sigurish problemi i marrëdhënieve që formësojnë dhe i formëson ky vizion. Këto marrëdhënie mund të konsiderohen si pika më e dobët e shoqërisë shqiptare (sot tek ne flitet vazhdimisht për konsensus si një moment në të cilin palët pajtohen, por rrallë flitet për marrëdhënie të cilat ndryshe nga konsensusi janë një proces reciprok i vazhdueshëm).

Një nga marrëdhëniet universale të bashkëjetesës në qytet apo urbane do të ishte marrëdhënia “publike – private”. Dhe mënyra se si angazhohen ato te njëra tjetra së bashku me vizionin i japin karakterin hapësirës urbane. Për shembull përqasja e këtyre marrëdhënieve në qytetet amerikane dhe europiane në planifikim është e ndryshme. Qytetet amerikane i janë përshtatur më shumë modelit të biznesit të rregulluar tashmë jo më subjektivisht dhe estetikisht por si garantim lirish dhe të drejtash, që sigurojnë gjithashtu lirinë e urbanistikës nga arkitektura dhe anasjelltas. Qytetet europiane në anën tjetër nuk e kanë shkëputur srukturën urbane nga ndikimi estetik i arkitekturës, porse diktatin e arkitekturës kanë arritur ta barazpeshojnë me një pjesmarrje demokratike më të gjërë të publikut në planifikim. Kurse në Azinë lindore modelet amerikane të përziera me tradita mijra vjecare sidomos ato që kanë të bëjnë p.sh. me marrëdhëniet e shërbimit në publik,  të përdorimit të hapësirës etj. kanë krijuar modele të vecanta suksesi apo krize sipas rastit dhe përputhshmërisë në nocionet e marrëdhënieve.    

Suksesi apo dështimi në planifikim do matet kryesisht nga cilësia e hapësirës publike dhe i marrëdhënieve që e krijojnë dhe i krijon. Problemet që shtrohen përpara këtij plani nuk është vetëm garantimi i infrastruktures dhe kontrolli i territorit. Plani mbi të gjitha duhet të garantoje zhvillimin, ndërsa snaksionon marrëdhëniet e individit me hapësirën publike. Sic u përpoqa ta argumentojë edhe më lart personalisht jam për vizionin e një qyteti të hapur por edhe të kontrolluar ku drejtimi Tiranë Durrës i zhvillimit ka potencialin më të madh për të cliruar energjitë e zhvillimit në nivel rajonal. Prëparësitë e këtij vizioni janë në fakt disa:

  • Prezantimi me infrastrukturën qoftë kjo urbane apo private dhe sherbimesh është shumë më e lehtë se në zonat të cilat plani i 1998 përcakton pa ndonjë kriter.
  • Kontrolli i territorit jashtë qëndrave ekzistuese urbane por edhe në territorin e ri të planifikuar bëhet më i lehtë – ndërsa qëndrat ekzistuese i nënshtrohen një procesi rinovues nevojat për hapesira ndërtimi sigurohen nga plani i ri.
  • Perparesite mjedisore dhe ekologjike te kesaj nderhyrje jane te padiskutueshme. Sikurse edhe me qendrat ekzistuese urbane, ato do mund te clirohen nga presioni per tu urbanizuar.
  • Si pasojë e vendosjes midis dy poleve me potencial të fuqishëm urban qëndrat e reja nuk perceptohen më si periferike, satellite të një qëndre, por si qëndra urbane që kanë një rol ndërmjetsues dhe në shumë raste të mirëpërcaktuar.
  • Potenciali i madh i zonës për të prezantuar një hapësirë publike të nxitur transportin publik dhe investimet publike, ndërsa marrëdhëniet individuale dhe të biznesit me hapësirën rregullohen nëpërmjet ligjit të planifikimit dhe kodeve urbane që shpërndajnë përgjegjësinë në mënyrë vertikale. Marrja e përgjegjësive jo vetëm ligjore nga pushteti vendor dhe qëndror për suksesin e kësaj ndërmarjeje është vendimtare.

Lorjan Agalliu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s