Demokraci kjo, or tunjatjeta: ujë ti, ujë unë e së bashku gjol i madh!

Roli i kritikës së mirëfilltë nuk është ai denoncimit në vetëvete, as edhe kundërvënia ndaj ndonjë autoriteti, institucioni, individi apo opinionit në përgjithësi. Pëkundrazi, mendoj se ajo ka si funksion të adresoj problematikën e katalizatorit për ndryshim në shoqëri. Për këtë qëllim ajo mund të përdori mjete të tilla që variojnë që nga përimtimi (analiza) e realitetit social, ekonomik apo politik dhe deri tek përdorimi i miteve si struktura identitare. Për shembull libri më i fundit i Ben Blushit ‘Të jetosh në ishull’ mund të konsiderohet si kritikë ndaj shoqërisë, ose të paktën, e pranuar gjithësesi si e tillë, qoftë nga mbështetesit e veprës edhe nga “kritikët” apo “denoncuesit” e saj. Për një nga mbështetësit e tij sic është H. Çili  (këtu) Blushi ka bërë “një roman shumë të mirë dhe një debat që na bën mire”. Kurse për Lubonjën (këtu) vepra e Blushit kritikohet pikërisht sepse mënyra se si e ka adresuar “katalizatorin e ndryshimit” të pretenduar prej tij nëpërmjet një konstruksioni mitesh të ngjashëm me mitet nacional-romantike është jo vetëm larg realitetit historik por edhe atij aktual. Arsyeja përse e solla si shembull librin e Blushit, sigurisht nuk është kritika ndaj ketij libri, por ideja se letërsia  ka një dimension kritik të pamohueshëm. Po ashtu, besoj se kjo shërben për të sqaruar dhe dhënë përgjigje pyetjes nëse: ka traditë shqiptare në kritikë ose jo?

Vetë Lubonja, kur krahason veprën e Blushit me atë të nacional-romantikës, vë re se vepra e tyre në ate kohë ka shërbyer për te formuar identitetin e të qenit “shqipëtar” i cili nuk ishte një identitet i formuar në shumicën e shoqërisë. Pra në thelb edhe vepra e Rilindjes mund të konsiderohet një vepër kritike pasi ka adresuar nevojën për ndryshim në shoqëri. Në këtë kuptim disa vepra mund të jenë më kritike apo më pak kritike se të tjerat.

Gjithësesi, për të qënë të sigurt, është vepra e Konicës e cila e tejkalon çdo dyshim të prezencës së kritikës në kulturën shqiptare post-rilindase. Stili i tij shpotitës, i huazuar ndoshta edhe nga kritika moderne e kohes, është një model i lakmuar edhe sot në publicistikën shqiptare. Në lëmin e përshkrimit dhe kritikës urbane, ai ndoshta ka lënë nga të paktat dëshmi rrëqethese të masakras dhe mjerimit urban të kohës. Megjithëse e kam cituar edhe diku tjetër këtë paragraph të shkëputur nga ‘Shqipëria si m’u duk’ po e sjell përsëri këtu:

 

… Me të zgjuar, u lava, u rojta, u vesha, dhe dolla të shijoj për se largu dukjen romantike të Durrësit me kullat e Kohës së Mesme që e zbukurojnë posi gurë të cmuar në një brez prej ari. Kullat? Ku janë kullat? Anija sa vete po afrohet, hyri në liman, shtiri hekur: po kullat s’duken. Pyeta një officer të anijes. Cili qytet është ky? – Durrësi, u përgjigj oficeri. – Durrësi? Thashë unë. Jini i sigurt? Mos lajthiteni? – S’ka lajthim, është Durrësi, përsëriti duke nënqeshur oficeri. Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë. Dëgjova më vonë se nga tetë kullat e cuditshme që i jipnin Durrësit një madhështi të vecante, dy u prishën në kohë të luftës (për këtë s’kanë faj shqiptarët), po tri të tjera i rrëzoi dhe i fshiu një kryeplak qytetit, dhe të tri të fundit që kanë mbetur janë fshehur nga dukja prej ca binave të ra që u goditnë rreth e rrotull. Sic transit gloria Durrhachii

 

Në po të njëjtit nivel janë edhe dëshmitë e tij për gjëndjen urbane në Tiranë dhe pjesën tjetër të vendit.

Ndërkohë, për një nga kritikat me mbreselënëse në këtë drejtim do veçoja gjithashtu Kutelin, një autor që për shkak edhe të harresës së qëllimshme përgjatë totalitarizmit, ka qenë i panjohur për mua. Për dikë që merret me problemet urbane, sikurse bëj unë, përqasjet përimtuese dhe analitike të problemeve sociale janë vërtet të rëndësishme, porse vepra e Kutelit ka cilësinë që t’i afrohet realitetit në mënyrë shumë më të zhdërvjellet, dhe më mirë se c’do lloj kritike dhe përimtimi analitik. Në të gjithë veprën e vet Kuteli i trajton problemet e sturkturave, të veteorganizimit sic janë etika e grupit dhe komunitetit, duke i zbuluar dhe trajtuar në mënyrë të hollësishme. Por tregimi Lumi i Madh që po e prezantoj të plotë më poshtë, dhe që jam i sigurt se është i njohur për shumë lexues të këtij blogu,  ka vecantinë që prek në një sërë temash që janë edhe sot, pas më shumë se gjysëm shekulli, shumë aktuale sidomos në zhvillimin urban. Ngjarja, që trajton jetën e një komunitet disi të lirë nga  presionet vertikale të organizimit, dhe mardhëniet e tij me ambientin, me saktësisht nje lumi, i cili për shumë arsye përbën burimin kryesor ekonomik, dhe vendin ku më së miri pasqyrohen gjithë mardhëniet sociale të tij, përputhet fund e krye me problemet që has shoqëria shqiptare sot, duke variuar nga problemet e mbarevajtejs së demokracise që vijne si pasojë e mungesës së etikës; problemet e ambientit; mirëqeniës ekonomike dhe sociale; dhe deri tek problemet e familjes dhe individit. Problemet e planifikimit në demokraci, që janë të natyrës vertikale të organizimit, nuk mund të kenë mbarëvajtje asnjëherë nëse çalojnë ato të vetëorganizimit me natyrë horizontale, sic janë edhe ato të organizimit të komunitetit. Leximi i kësaj vepre të Kutelit shpresoj të qartësoj disa nga këto arsye, si dhe të ndihmojë për të parë se përse ndërmarrje planifikuese, siç mund të jenë ato në jug të Shqipërise në emër të turizmit, që kërkojnë njëkohësisht një sensibilitet ndaj ambientit dhe komunitetit, apo edhe ndërhyrjet në qëndrat e dendura urbane, nuk mund të jenë të suksesshme pa pasur parasysh vetëorganizimin  e komunitetit si element kyç rregullator.

Sic thashë, për mua leximi i tregimit ‘Lumi i Madh’, ishte shumë mbreslënës dhe uroj që të jetë i tille edhe për ju!

 

 

Lumi i Madh

Mitrush Kuteli

 

Njërezit – të mirë a të ligj, të bukur a të shëmtuar, të pasur a të varfër – vijnë e shkojnë, por Lumi ynë i Madh lumë ish e lumë është. Kur me ujë shumë e kur me ujë pak, vëtret, por atë ma ke aty për jetë e mot, kurse unë e ti, or tunjetjeta, sot jemi nesër s’jemi: bëhemi dhe e bar, dru e gjeth gështenje, se andej, në gështenjat, e kemi vendin.

Ama duhet ta dish se ky që sheh zotrote sot – i drejtë, i urtë, i platitur – ndryshon shumë nga lumi i vogelisë sime, sepse ka hapur udhë të re, siç desh vetë, mespërmes fshatit. Dhe këtë udhë e ka hapur me shpatë në dorë!

Atëhere, dua të them në kohën e vogelisë, pasi merrte fill nga kronjtë e largët të Hijes së Zezë, i kulluar si jar e i lehtë sa ta pinje me grushte e të mos ndjenje kurrë të ngopur, çante grykën e Krushës duke u hedhur zdrang-zdrund, prag më prag, nëpër shkëmbenj me myshk e pa myshk, shtohej me ujra të tjera që i vinin nga e djathta e nga e mëngjëra: me ato të kronjve që dalin nën gurin e Kol Branës, ato të Kabashit me shokë, të Stregës, të Fitit, nën pllajën e gështenjave të Katjelit, në Shën Djelë, e soste poshtë, nën Gurin e Etheve, aty ku ndahet jazi i mullinjve. Jazi ia pakësonte ujin, po Lumi i Madh ish bujar e nuk mbante mëri: “Le të marrin, thosh, njerëzia, te bluajnë, të bëjnë bukë e kulaç”, pastaj rusej nën mullinë e Veselit, nën atë të Emin Blacërit (e mbani mend Emin Blacërin apo Emin Jargon, siç i thosh gjithë fshati? Në s’e mbani mend ua them unë: një burrë i trashë, gushëmadh e zëngjirur, që vrau të nipin, të vetëmin, nga inati, me nje gur kokës; më tej Eminë e vrau me sopatë, në gjumë, për të marrë hakun, Aliu, i biri, i vetëmi, dhe kështu dera u mbyll vetvetiu), çante udhë nën Najazmë, përmes arave me dhe të butë e shelgjishta, gurgullonte midis drizash e kulprash ku që në muaj prill këndonin ferrakët dhe dilte me bujë, duke kercyer rrasë më rrasë, nën shtëpinë e djemve të Velës, shkonte nën vigun e udhës së Mokrës – të ngushtë sa mezi mund të vinte dhija këmbën – futej prapë në një amëzë të butë gjer aty nën Gurët e Meros, merrte nën urën e Nackes dhe bënte t’i turrej gjolit, sepse, siç e dini, uji i shumtë ndjell të paktin.

Mirëpo aty njerëzit ishin ngjeshur bri për bri në ca rrypa toke që holloheshin shumë e më shumë kur ndaheshin vllazëria. E me që këta s’kishin se ku të shtriheshin e të zgjeroheshin, ia nxirrnin inatin lumit… Pa kish edhe nga ata me kopshte pak më të mëdhenj, po që nuk ngopeshin me kaq e donin më shumë. Zotërit e njërës anë thoshin: “O lumë, largohu nga sinori im e hidhu matanë, në sinor të fqinjit: grryeje, batise, batërdise!” Ata të anës tjetër ia prisnin: “Jo, lumë, mos cëno këtej, po kafsho sa të mundesh andej: prish, shkreto, shkatërro!”

Këto nuk ishin vetëm me të thënë, po edhe me të bërë: e ngushtonin lumin, ndërtonin ledhe të fortë me hunj e purteka gështenje. Këta ledhe i forconin poshtë, brenda në lumë, me grazhde, me gurë kraste e me gëlqere, që t’ia prisnin hovin lumit e ta shtynin matanë. Ashtu bënin edhe ata të aneës tjetër, se shtrati i lumit qenka mall pa zot: shtyje ta shtyjmë, ngushtoje ta ngushtojmë! Asnjë s’çante kokën se lumi është lumë e rrjedh nga lart poshtë, pra do udhë të gjërë, gjithnjë të hapur. Lumi i Madh s’tha fjalë goje: rrodhi nëpër ngushtica sa një vragë dhije, gjarpëroi nëpër dredha, shkoi nën ura e vigje.

Një herë dikush e tepëroi: si i zhaviti lumit nja tri a katër pëllëmbë dhe e forcoi vendin e tij sa mundi, zgjati ca trare sipër pothuaj gjer në gjysmë të lumit, i mbështeti këta trarë në tabanë gështenje, të shëndoshë, vuri sipër një trirë, e qarkoi me gardh dhe bëri kështu një kotec. Brenda në këtë kotec futi një alamet derr që ta majmë për Ignasht. I thanë: “Ore,ske mirë! E ngushtove shumë lumin.” Ay qeshi: “Le të shkojë t’i qahet gjykatores!” Lumi nuk iu qa gjykatores se e dinte që hante ryshfet, po i duroi të gjitha. Kështu, rrinte derri majë kotecit, si në tetrivan, mbi lumë, edhe gau-giu tërë ditën, të thoshte se s’ishte derrë me kreshte, po zog me pende i vënë në kafaz për të kënduar.

Ashtu bëri edhe Agënushka e Mokrarit, që kish kazan rakie: hodhi trarë mbi lumë e ndërtoi një kotec e s’di ç’gjë tjetër. Pak më poshtë, lumit i doli përpara Kozman – beu – Dajo Mani s’ish be i vërtetë, po teneqexhi që punonte tërë ditën me çekan në dorë e me paguren e rakisë pranë, po i kish shkrepur qejfi t’i thosh vetes “be”, se kish një palë mustaqe të mbushura, të gjata, që ia kishin zili bejlerët e vërtetë, ata mingot-pipingot gjysmë qose e gjysmë njerëz, po që kishin rrëmbyer shumë mall e u shkonte vula. Them, i doli përpara, ashtu siç ish, vetullvarur, edhe i shfryu:

– Ore ti! Unë të kam vënë sinor gardhin, që t’i vish rrotull ngadal. Hap sytë e mos ma gërryej kopshtn, se të ha xhuxhullima. More vesh?

Thua se kur i tha keto fjale Kozman Beu duhej të kish qënë i dehur? Jo: ish si ngahera – dua të them gjysmë kështu e gjysmë ashtu, me paguren në brez – po ashtu kish të folurit, se ish burrë me çallëm. Dhe i pashëm: i gjatë, faqekuq – gjer thellë në pleqëri. Kish shumë çupa dhe të gjithave t’u rrëmbenje kokën. Dera e tij ish dera e bukurisë në fshatin tonë, si në vajza ashtu edhe në djem.

Pas Dajo Manit, sic i thoshim ne, a Kozman beut, sic i thosh vetes, tërë lagja i dha urdhër lumit që të shkonte nën një urë të unjtër ku mezi hiqej zvarrë dhe gjarpri, të bënte një bryll para portës së Çaçes, të merrte për nga Çomollarët, pastaj një të kthyer, për nga Kolça e të thyente qafën tatëpjete, ku të donte.

Të gjitha këtyre nyjeve iu shtrua Lumi i Madh. Jo nga frika e jo për gjë tjetër, por se ishte shpirtmirë e i duruar si s’ka lumë tjetër të madh në botë.

Mirëpo me të shpëtuar nga kaq tevatyra, kur të thotë “lavdi o zot”, i doli nga njera anë xha Petrea  e nga ana tjetër Risto Lushi me shtatë a tetë të tjerë. Sikush e ngushtoi mot për mot një pëllëmbë a dy, me gjerdhe, ferra, kulpra, mure – ashtu sic  i thoshte ëngjëlli që kish në bark.

         Dua të mbjell një qershi belicë, jam mun këtu, në rrëzë – tha xha Petrea i shkurtër, i shoqi i Çaçe ballabanes.

         Mbille – ia ktheu lumi

         Dua ta bëj ledhin si kala, me ferra e kukurak, sa të mos hyjë as breshka, as gjarpëri.

         Peqe.

         Dua të bëj një urë…

         Bëje.

Matanë u hodh e tha Risto Lushi, që kish një rryp kopështi:

         më ka shkrepur të mbjell një shtog këtu, rrëze gardhit, që të ma forcojë mezhdën.

         Mbille.

         Dua të mbjell e ca shelgje, se e kanë rrenjën e fortë e t’i anoj mbi ty. Aty të mblidhet shpeshëria e të më këndojnë kur të nëmëroj tespijet e të ngre paguren e rakisë me cëke.

         Mirë.

Aty më poshtë u hodhnë e thanë të dy ata të derës së Panos:

         Duam të bëjmë nga një palë përdheska me themelet në shtratin tënd.

         Bëni.

Ashtu thanë edhe djemtë e Bices.

Edhe sikush punoi sic desh vetë: mbuall shelgje, shtogje, kulpra, bën ura me këmbë e pa këmbë, e ngushtuan mot për mot lumin.

Kur të dalë nga kaq shtrëngesa – njëri shty këtej, tjetri shty andej – si bëri një të kthyer në Grop’ e Silkës, i doli përpara Piti Ruvina edhe e shtyu tutje nja dy pëllëmbë. Pastaj, kapak mbi të gjitha ia preu udhën beu i madh, me dy a tre sejmenë prapa, e tha:

         Dëgjo, or ti, përrua mali!

         S’jam përrua, be, por tamam lumë. E në do ta dish mirë e paq, më thonë Lume i Madh.

         Tyt, bre! Harbut! Përrua thashë, përrua je!

        

         Dëgjo, o përrua mali! Ata njëzet e kusur dyqane e shtëpi e ata katër mullnj, nuk i kam mjaft. Dua të zgjerohem, po s’kam ku. Çdo “mall pa zot”, mall raeje, e përlava. Tashti kam fqinjë bejlerë të tjerë e s’dua ta prish punën me ta. E me që s’kam ku të zgjerohem, dua të bëj këtu, mbi ty, nja dy dyqane, se i thonë vrom pazari dhe lot qira e madhe. Ti të shkosh poshtë, urtë, urtë e butë, edhe hap sytë se po solle gurë e drurë që t’u bjesh mureve, të ha gjarpëri i zi.

Të theënë, të bërë: urdhër të gjorit Petro të Ninës, që ish burrë i urtë e s’trazonte as mizën, të marrë qysqinë, varenë e çekanët e të nxjerrë gurë në Krastë, urdhër gjemisë së Didos e asaj të Kaçamakut që t’ia sjellin gurët gjer buze gjolit, urdhër Qafkos, Dangos e Ndrios që t’ia mbajnë gurët me qerre nga buza e gjolit e gjer në vend, urdhër tushemishtarëve t’i djegin e t’i sjellin gëlqere, urdhër një mjeshtri Vllahie që t’ia shuaje gëlqeren, urdhër s’di se kujt të presë e të sjellë qereste të shëndoshë gështenje. “Me pagesë?” – më pyete zotrote? “Jo, ore, c’është ajo pagesë? Bukën sikush në torbë nga shtepia e një kopaçe kurrizit. Pastaj dërgoi e thirri mjeshtrit e Pevelanit të Mokrës, të vine me çekanë e mistri. “Ardhtë ore?” – “Ardhmë be”. – “Hajt ndërtoni mbi lumë dy magaze të mëdha me qemer. Muret i dua qereç e rosan të fortë, që të mos i prishë lumi”. Edhe magazet u ndërtuan.

Ç’të bënte lumi i gjorë? Be, ky! Pa ç’pa e hyri nën kuben me qemer si në furiq, edhe i mbajti vjete me radhë magazet përsipër, se këto i sillnin qira beut.

Kur të dalë që aty, nga furiqi, e t’i turret gjolit, i lodhur pas kaq kthesash e ngushticash, i doli përpara, nën jaz, kopshti e shtëpia e Azis Efendiut të tapive dhe, më tej, luadhi i madh i beut të madh, e bënë të dredhoje përsëri udhën midis shelgjesh e plepash. Më së fundi, shkoi edhe nën një urë tjetër me qemer, si samar gomari, pranë mullirit të fundit të beut, u zvarrit rrëzë avullisë afer përdhesave të evgjitëve, tababinjve të beut, edhe hyri ne gjol, i kapitur, i turpëruar e përunjur si s’ka lumë tjetër të madh në botë.

Aty, në gjol, ish mirë, se uji përzihej me ujin e s’të pyet cili je ti e cili ka qënë yt atë e yt gjysh. Demokraci kjo, or tunjatjeta: ujë ti, ujë unë e së bashku gjol i madh!

Kur e kur, më fort në dimër, kur frynte veriu, dallga e gjolit i sulej lumit përpjetë, kështu që ky mbushej me ujë, e dilnin njërzit ta gjuajnë natën me hoste e fener. Beu varte vetullat, po ç’t’i bënte veriut e dallgës?

Në mot të ngritë, në cikmën e Shënëndreut, peshku i mirë – belbica e lekna pikalore – ngjiteshin gjer lart fare. Si e qysh i kaperxente pragjet e shkëmbinjve, nuk e di, po di se ay që ishte i zoti kthehej në shtëpi me shportat e torbat plotë me peshq pa hala nga ata qe i do lala… Dhe tërë bota e lëvdonte Lumin e Madh.

Kësaj s’ke ç’i thua, se dallga e gjolit s’pyet për be e për aga: turret kur e ngre veriu dhe e mbush grykën e lumit. Bashkë me dallgën hyn dhe peshku. Po e keqja ishte se njerzit e kishin bërë lumin kutullaç si litarin në thes e si të drejtën nëpër nenet e ligjeve.

Vjete me radhë, që kur zuri të ngushtohet vendi e të shtohet lakmia, Lumi i Madh i duroi të gjitha. Jo vetëm ato që thashë, po edhe tërë plehrat dhe fëlliqësitë e botës – që ne macet e qentë e ngordhur e gjer ne kominat e kazaneve te rakisë e sa të tjera (se kjo botë paska shumë të palara e të gjitha i hedh ne lumë).

Zemërmadh, siç ish, lumi zbriste kur e kur me vërtik dhe i lante e spastronte. Atëherë bota dilte në pragu i derës dhe shikonte se si u vinte fshesën palavive. Si mbaronte punë, lumi tarakste, shteronte e i dukej tërë shtrati i pastër si pasqyrë. Atëherë shihej edhe ç’kish sjellë nga lart e ç’kish lënë në shtrat. E ç’mund të sillte veçse gurë, e kërçelë? Tamam këta i duheshin botës: kërçelët që t’i djegë në zjarr e gurët që të bëjë mure të reja.

Një herë, kur e pa veten shumë ngushtë, lumi i tha fshatit:

         Ore, mua po më shtrëngon puna të vijë me rrëmbim, se m’u pre mali e m’u shtuan rrëketë; ca nga Guri i Frengut, ca nga Guri i Lakuriqkave, nga Gjinavdolli e Likoveci, nga Shën e Djela e s’di që ku. Kur bjenë shira të rrëmbyera, s’kam ç’bëj e doemos do mbushem majë me majë, do bëj kërdinë. Vëri gishtin kokës. Pleq ke për të pleqëruar, të rinj ke për të punuar. Hapmë udhë, se po s’më hape ti, do ta hap vetë. Mos harro se as ti s’më pyete kur i preve e dogje korijet e gështenjat që të bësh vreshta e skërka.

Si tha këto fjalë, Lumi i Madh priti sa priti që t’i vijë mendja fshatit, pastaj, një ditë, kur u nxi qielli andej mbi Krushë, u lëshua me bujë të madhe. Më parë i ardhi buçima se sa vetë uji. U tund e u tremb tërë fshati. Kësaj here solli nga lart jo vetëm gurë e drurë si ngahera, po edhe bagëti të mbytura dhe gjarpërinj të mbledhur kutullac.

Dhe që ta shohë gjithë bota se ç’ishte i zoti të bënte, shembi shumë mure e ledhe, ia mori atij mikut derrin me gjithë kotec dhe ua shpuri peshqve, në gjol. Se, si tha një i vjetër, mjaft hëngri njeriu nga uji, le të hajë edhe uji nga njeriu. Pastaj grreu mezhda e gjerdhe, përkuli plepat e shelgjet që rrinin si devrie anës. Disa i shembi fare. Si bëri këtë punë, çau përrenj nëpër kopshte, doli udhëve, hyri oborreve, shtëpive, qilareve, rrëmbeu ç’mundi: aty nje pash me dru, më tej një govatë, një kade me armë e pyperka turshi, një voze me verë a raki (se si do të hahet ay goxha derr pa arme, pa verë e raki?) dhe i hoqi të gjitha poshtë.

Ç’bëjnë njerzia?

Ç’të bëjnë? Ata gjith me avazin e Mukes…

Kur binte shiu e gjëmonte lumi, vajtnë në kishë e xhami, për duva, se helbete, për këtë punë kishin bërë kishë e xhami! Ranë kambanat – e madhja dhe e vogla, këndoi prifti. Doli hoxha në pragu i xhamisë, se në minaret nuk ngjitej dot, e thirri të tijat.

Disa i lanë ata me mjekerr të bëjnë të tyret dhe vetë bënë sipas kanunit shumë-shumë të vjetër: nxuarr ne pragu i derës sëpatat e latat, thikat e hanxharet, pallat e mocme – të gjitha që presin – e i vunë me heun lart, që pika e shiut të pritet përgjysmë, të vritet, të vdesë. Ca, edhe më trima, i ranë qiellit me stringa e pisqolla, që ta hapnin, t’i bëjnë copë retë… Pellazgë këta, ore!

S’di cila nga këto lidhi e u dëgjua lart atje ku ngjizet shiu (ca thoshin fjala e priftit, ca – ajo e hoxhës, e ca të tjerë – heu i thikës, shpatës e sëpatës), po di se pas pak u kthjellua moti, taraksi shiu, lumi e preu hovin, u kthye në shtratin e tij, u plati, shterri.

Atëherë doli tërë fshati me kuç e me maç për të mbledhur drutë e kërçelët. Si mbaruan këtë punë, zunë të mbledhin gurët e grendat për të bërë mure të rinj. Ay i derrit, ata të kadeve e të vozeve hypën lundrat e shkuan në gjol të gjejnë ato që u kish marrë lumi. Gjoli ish mbushur me pyperka turshi që notonin mbi valë, nëpër resa, me dru e shumë të tjera. Po derri e vozët s’dukeshin gjëkund…

Nga inati, njerezia mbyllën përrenjtë që kish hapur lumi nëpër kopshtet, forcuan e më shumë anët: kush kish patur ledh e grazhd – bëri mur; kush kish patur mur me gurë të vegjël – bëri mur me gurë të mëdhenj me qerec e rosan, që të mos e prishe jo lumi, po as topi i Moskovit!

Pastaj bota e lanë me të harruar e ra sikush pas fitimit: njëri me dyqan – me të blerë e të shitur – tjetri me vreshtë e gështenja. Krisën dasma e gëzime, të lusura e përlusura: njeri luste Shënkollë, tjetri Shëngjergjin qorr, ky – Sulltan Nevruzë, ay – s’di se cilin bumbareq. Ama me kurbanë: një dash të tërë a një këndes lafshëkuq. Lumin e harruan fare. Ky qeshi nën mustaqe e tha: mirë, mirë, po do të vijë një ditë…” herë herë turrej pak më i rrëmbyer, po nuk e teperonte shumë.

Pastaj, një vjeshtë (të keqen e asaj vjeshte!) e bëri fora, me pallë në dorë.

Në fillim vetëtiu e gjëmoi, po hehe, sa larg! S’ia vari njeri. “Ehu, thanë, sa e sa herë vetëtin e gjëmon maleve, që mbarsen-mbarsen e pastaj pjellin një mi…” pastaj vetëtiu më afër e më afër. “Pun’ e madhe, thanë. Vetëtin e gjëmon më të thatë. S’ka punë tjetër…” Ama tërë këtë kohë Lumi i Madh kish vetëm një vijë uji, që e kapërxente edhe këndezi pa lagur pendët. Në këtë vijë mezi laheshin roast. Mirëpo këto, roast, dual më të zgjuara se njeriu: e ndjenë shinë e gagaritnë me të madhe. Ashtu edhe galat. Zunë të vijnë vërdall mbi fshat, të qëndrojnë xhumble majë plepave e shelgjeve, të ndjellin shi. Fëmijët thoshin se galat bënin dasmë, se shkonin të merrnin nusen, e prandaj thërrisnin: “Gala, gala, nusja prapa!”

Dhe nameta një buçimë nga ato që s’ish dëgjuar nga koha e Nuhut: uturiu e vrungulloi tërë gryka e lumit, nga Krusha poshtë. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë çatisi lumi: i eger, i turbullt – të thoshe se s’ishte lumë, po det me valë. Përlau si shaka roast e këndezët (këndezët i mbyti, rosat i shpuri të gjalla në gjol, se ato ujë donin) shëmbi e vuri përpara vigun e urës së Mokrës, pastaj urën e Nackës, atë të Çaçes. “Hajt, u tha, me mua, në gjol, se mjaft më shtyptë e munduat…” Mirëpo ia preu udhën ajo kubja me rosan që mbante përsipër magazet e beut. Të fortë ishin muret, që kishin ndërtuar mjeshtërit e Pevelanit, po dhe lumi s’binte më poshtë. Dhe nuk vinte vetë, po me shokë! Shokë kish lisat e grendat. Këta u ranë mureve sic i bje dashi me brirë ujkut.

U vulos gryka e drurë. E gjer të çajë udhë e të shembë qemeret, lumi teptisi tejmatanë, u bashkua me ujin e jazit. Dhe sa vinte shtohej, se shiu binte me stomna, rrëketë valonin në të katër anët. Çau udhë drejtpërdrejt nëpër kopshtin e Kozman Beut, shembi një shtëpi me tre kate e u turr përmes kopshtit te xha Petres. Ku gjeti mur – e prishi, ku gjeti pemë – e shkuli, e vuri përpara. Teptisi udhëve, nëpër Pazar, u bashkua me rrëketë qe vinin nga lart. Atje ku gjeti krypë e sheqer të kycuratyxharce (që të shitet më shtrenjtë kur mbyllen udhët), i treti në vend se nuk e mbante barra qiranë t’i shpjerë më tutje; ku gjeti tefterë me senate për borxhe, tapi e më the e të thashë – i resiti të gjitha. Lume ky, ore, e Lume i Madh! Bën si do vetë. Solli edhe shumë gjarpërinj, ujq e dhelpra të mbytura, qe i kish gjetur strukur nëpër strofka e një gomar të zi, që e kish gjetur tek kulloste më nge. I gjori gomar s’kish bërë ndonjë faj – ay s’kish as dyqane, as ara e vreshta, as tefterë e senate – po kish ndodhur pak si teknefes e nuk i qe larguar lumit kur kish parë që po vinte i turbull-turbulluar. Lumi e mbyti dhe e solli poshtë. E gjer të shembë qemeret me rosan, e shtyu nëpër ulicën dhe e nxori në mes të pazarit, me të katër këmbët përpjetë që ta shohë gjithë bota. E shëtiti sa e shëtiti kështu, të fryrë me ujë të turbull, pastaj e shpuri në gjol e nuk u pa as u dëgjua më.

E bija e Dajo Manit u gjend kaluar mbi një but dhe buti në mes të lumit. Thirri, po kush ta dëgjonte? Edhe sikur ta dëgjonte – kush guxonte të hidhej në lumë? Ky e tundi dhe e dhkundi, pastaj e fail dhe e hodhi në anë, megjithë but: gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur. Dajo Mani mbeti rob lufte ne qilar, kaluar në një but tjetër, që s’gjente dot udhë të dalë. Ndenji ashtu gjersa pushoi lumi madh, se i shkoi shtëpia e kopshti me pemë. Për inat, që atëhere e gjer ditën e vdekjes s’vuri ujë në gojë, po vetëm raki.

Atë mot u shemb ajo kulla e lartë e Hysen Beut e shumë shtëpi të tjera. Muret që nuk i shembi dot, lumi i vulosi me vulë – pesë pëllëmbë mbi dhe që ta dijë bota: ja, gjer këtu shkela kësaj radhe. Herën tjetër, pot ë ma zini udhën, kini për ta parë se do t’ju fshi fare nga faqja e dheut!

E nëse herë tjetër ndofta, mund të thoni ju, nuk i kish patur hije emri “i madh” – që vjen, siç dihet, nga Leka e Pirrua me shokë – asaj dite i ka ndenjur bukur siç i rri trimit kappa mbi sy.

Por, medet, asaj dite lumi e tepëroi në ca gjëra – jo për ujqit, gjarprinjtë e dhelprat, as për gomarë e zi, as për mullinë ë beut, po mori më qafë edhe shpirtra foshnjash e grash pa faj. Këto ishin dera e Ndrios, një plak i gjatë, eshtërmadh, flokëbardhë, që s’i bënte keq njeriu. Dikur kish qënë bujk, po që kur ia kish marrë arat beu, qe bërë qerrexhi: shkonte e mbante bar nga luadhet e Sovjanit e të Velitërnës (të beut edhe këta) edhe ua sillte haneve. Kur mbarohej bari, mbante me qerre gurë kraste nga buza e gjolit. Shtëpinë e kish pramë lumit, po jo në buzë, se i kish lënë nja njëzet e ca pash vend, që të hapej, kur t’ia donte puna. Mirëpo aty afër ishin ata dyqanet e mallkuar me rosan, që i kishin zënë udhën lumit. Prandaj, gjer t’i shembë këta, lumi teptisi anëve, hyri në shtëpi të Ndrios, ia mbyti të renë me gjithë dy foshnja – një në djep e një sapo të përkëmbur… U mbytnë të mjerat foshnja në ujë të turbull e shkuan bashkë me nënën në atë botë ku s’ka lumenj të turbull as dhembje as lotë. Murgu Ndrio shpëtoi gjallë se ndodhi shumë i gjatë, me kokën gjer lart në tavan, dhe uji nuk arrit dot atj… po nuk duroi dot dhembjen dhe pas pak kohe shkoi me të shumtit.

Më në fund, lumi shembi kuben e beut, cau udhë e hoqi përpara.

Që atë ditë mënxyre, fshati nuk i vuri më pengesa, nuk e bëri kutullaç, poi a la udhën të drejtë e të gjatë ashtu siç e kish hapur vetë. Tani, kur zbret nga malet, s’gjen përpara as qoshe, as mure, as ledhe, as magaze me qemer dhe shkon drejt ne punë të tij e nuk i bën dëm ndokujt: nuk gërryen, nuk shemb, nuk mbyt se s’ka përse të gërryej, të shembë e të mbytë – udhën e ka të hapur. Se si tha ay i miri: vetëm e drejta s’prish punë, po e shtrembëra të merr më qafë.

Po ca kohë buza e lumit mbeti kërr, e xhveshur, aty s’kish bimësi që të bënin zogjtë folenë e të këndonin. Pastaj u rritnë shelgje, plepa e drurë të tjerë dhe ana u mbush me blerim e blerimet me zogj, që ia thanë këngës. Vetëm shtërgjet u rralluan shumë. Nuk vijnë më në pranverë tufë-tufë për të ngritur cerdhet maje plepave. Po për këtë fajin s’e ka lumi. Andej poshtë shterroi balta, u tha këneta, kështuqë s’ka zhaba e gjarperinj uji për të ushqyer zogjtë e shtërgjet. Në vend të baltës e kënetës të dikurshme ka sot mollë qe celin buzë vere sa mbushet tërë vëndi me erë të mirë. Pastaj, në vjeshtë, ju e dini: koshat lart, në ato faqet e zhveshura të dikurshme të prroit të Gjinos që s’bënin dikur as thekër e ku shtoheshin e shumoheshin vetëm breshkat. Kur hidhni sytë andej buzë vere mos pandehni se ka rënë dëborë, jo, jo! Zbardhin lulet e mollëve. Afërmenç, kur vishet mali me pemë, shiu nuk sjell rrëke poshtë në lumë, se ujin e pi dheu. Nesër a pasnesër do të vishet me drurë edhe ajo faqja e këtejshme – guri i Frëngut e shumë rripa të tjerë që vijnë mbi shtratin e Lumit të Madh. Atëherë të urdhëroni të ngjitemi bashkë përpjetë për të parë tërë atë vend të bleruar e lulëzuar e të dëgjojmë këngën e ferrakëve.

 

One thought on “Demokraci kjo, or tunjatjeta: ujë ti, ujë unë e së bashku gjol i madh!”

  1. Po le pa prekur vleren letrare te fragmentit te Konices dhe tregimit te Kutelit, se jan aq brilant.

    Dua te nenvizoj ne vijim te mendimit qe ka lidhje me organizimin kolektiv per vendbanimin. Uji i lumit rrjedh lirshem edhe ne pengesa, por ne shohim veten tone te deformuar ne pengesat qe i behen lumit ne tregim nga banoret. Po ashtu jan edhe njerzit/kolektivi si lumi, ata mund ti pengosh me ndalesa gjithfarelloje por do vazhdoj te rrjedh si uji i lumit qe gjithnji tendencen e ka te jet ne shtratin e tij ne toke, ndryshe nga njerzit qe shtratin e tyre e kane ne mendim. Lumenjt e mendimit jane po aq te fuqishem sa edhe te ujit. Lumenjte derdhen ne liqen/det/oqean, mendimet e njeriut/kolektivit/shoqeris/njerzimit derdhen lum ne toke, uje, ajer, ku do. Fisi i mendjes eshte si kafsha e shtepise; duhet trjtuar si kafshe qe te shijoj fisin/kafsherin e saj, ndryshe kafsha behet zot, sic e shohim mendjen shpesh te behet zot i njeriut.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s