Dilema e Mjedisorëve

Nëse ekziston ndonje dilemë në përpjekjet vizionare të mjedisoreve sot, padyshim më kryesorja është ajo e përzgjedhjes midis zhvillimit dhe ruajtjes. Është përqasja ndaj kësaj dileme ajo që i kushtëzon edhe modelet, qofshin këto të huazuara apo të improvizuara, që u jep aktorëve mundësinë për të negociuar apo mosnegociuar, dhe që vlerësohen nga publiku pikërisht në varësi të zgjidhjes së kësaj dileme. Duhet pohuar që në fillim se problemet, si ato të mjedisit ashtu edhe ato të zhvillimit, në Shqipëri hasen mjaft të mprehta dhe emergjente, dhe rrallë lënë kohë për të reflektuar për zgjidhjet më të mira. Ndaj ato janë shpesh të destinuara të instrumentalizohen për interesa që nuk kanë të bëjnë as me zhvillimin dhe as me mbrojtjen e mjedisit.

Ato që instrumentalizohen të parat sigurisht janë interesat e pushtetit të ndikuara nga grupet e interesit. Dhe nëse i referohemi një rasti konkret si ai Petroliferës, aty ku edhe janë përqëndruar energjitë e mjedisorëve sot në Shqipëri, refuzimi i financimit të projektit nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (një institucion që financon projekte private me fonde publike të vëndeve anëtare për një seri vëndesh të Europës Lindore, për t’i ndihmuar zhvillimit të këtyre të fundit), nxjerr në pah më së miri këtë instrumentalizim. Ndërsa projekti i është prezantuar më parë publikut si jetik për zhvillimin e vendit, vetë refuzimi flet qartë për të kundërtën. I parë kështu, pra i vlerësuar nën besueshmërinë e këtij institucioni, ky rast përforcon shqetësimin se në mungesë të mekanizmave të kontrollit, të politikave të qarta planifikuese dhe të demokracisë në vendimarrje është korrupsioni ai që dominon proçeset e zhvillimit. Nën këtë presion që krijohet nga vakumi demokratik, politikat shtetërore, të orientuara si pragmatiste, nuk i nënshtrohen interesave të shoqërisë dhe elektoratit (të anashkaluar tashmë nga proçesi i vendimarrjes), dhe as nuk i frigohen votës së tyre apo presionit qytetar, por shndërrohen në zgjatime të grupimeve që dominojnë gjithnjë e më shumë interesat e zhvillimit.

E megjithatë, nësë do flisnim për rolin hipotetik të shtetit në lidhje me dilemën mjedisore,  nuk lë shumë shteg për të hamendësuar: ai (shteti) është aty për të promovuar zhvillimin! Shteti (koncepti) ashtu siç e njohim – duke ditur se, për shkaqe edhe historike, shqetësimet mjedisore janë relativisht të reja – tenton t’i shohë ato në kuadrin e stabilitetit social, dhe i ofron zhvillimit apo aktorëve për zhvillim, edhe ‘karrotën’ për ta stimuluar, por edhe shkopin aq të nevojshëm për ta kontrolluar.

Por a mund të thuhet e njëjta gjë për lëvizjen mjedisore, aq më tepër që duke qënë e lirë nga pikëpamja strukturore tërheq rreth vetes njerëz që i përkasin një spektri shumë të gjërë individësh dhe grupesh shoqërore me formime të ndryshme ideologjike por të interesuar për mjedisin, duke filluar nga: natyralistët, besimtarët,  individualistët, anarkistët, marksistët, sociologët, filozofët, inxhinierët, urbanistët; sa për të përmendur disa nga më të interesuarit? Sa e ndryshme  është përqasja e shtetit (hipotetike) ndaj çështjeve mjedisore në krahasim me ato të vetë lëvizjes? A nuk janë: stabiliteti social i synuar nga shteti, dhe interesat e një mase të konsiderueshme të shoqërisë të përfaqsuara nga një lëvizje, dy anë të se njëjtës medalje?

Pa pasur nevojë t’i japi drejtim dilemës aq të nevojshme midis ‘zhvillimit’ dhe ‘ruajtjes’, lëvizja mjedisore nuk mund ta injoroj ‘zhvillimin’ nëse e ka misionin e vet të pahamendësuar dhe seriozisht. Përqasjet mjedisore që nuk përmbajnë në vetevete alternativën e zhvillimit bëhen të pakonsumueshme për opinionin gjersa nuk përkthehen në realitete ekonomike, apo vizione zhvillimi. Mjetet si: protestat, mosbindja civile, apo manifestimet gjithfarëshe në formë fushatash ndërgjegjësimi të pashoqëruara me alternativa dhe platforma racionale gjithëpërfshirëse të zgjidhjes së problemeve shndërrohen në përqasje emocionale dhe për pasojë joefikase. Ndërsa pushteti në Shqipëri i largohet gjithnjë e më shumë modelit të vet demokratik, pra edhe misionit të vet, shoqërisë civile, rrjedhimisht edhe lëvizjes mjedisore, i lind detyra të plotësoj këtë vakuum demokratik. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është nëpërmjet alternativave dhe modeleve reale të zhvillimit, për të përballuar presionin e grupeve okulte të interesit të cilat janë të prirura ta shfrytëzojnë këtë vakum me më shumë efikasitet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s