Çfarë Mjedisi?

Nëse mund të përmendet nje filozof i vetëm që ka ndikuar posaçërisht në lëvizjet moderne mjedisore dhe civile ai patjetër është Henry David Thoreau natyralist dhe filozof amerkikan i shekullit te 19-të, formulues i nocioneve të rezistencës civile paqësore, dhe partizan i individualizmit dhe të drejtës së tij për t’i rezistuar abuzimit të pushtetit. Një nga thëniet e tij që ngjall debat edhe sot është: “In wildness is the preservation of the world” (Ruajtja e botës është në të pakultivuarën) që shpreh njëkohësisht nocionin e tij i mbi natyrën dhe mardhëniet e saj me njeriun. Për të “wildness” – përkundër fjalës tjetër “wilderness” që në anglisht  ka kuptimin e natyrës në gjëndje të egër e pa ndikuar nga civilizimi – ishte natyra e pasur e pakultivuar përkrah një civilizimi të pasur në bashkekzistencë, si dy nocione që nuk përjashtojnë njëra tjetrën. Por ajo që është e rëndësishme është ndikimi që ky mendimtar ka pasur tek aktivistë të tillë si Gandi, në lëvizjen e të cilit mendimet e Thoreau gjejnë aplikim të plotë. Dy nga shtyllat e lëvisjes Gandiste, lëvizja e “Kripes” dhe ajo e “Tjerrjes” janë në vetvete lëvizje që së pari synonin rregullimin e mardhënieve njerzore me mjedisin. Këto lëvizje sa ç’ishin antikoloniale dhe synonin t’i vinin kufi shfrytëzimit të burimeve natyrore nga Perandoria Britanike, aq ishin edhe zhvilluese dhe synonin rritjen e ekonomisë vendase. Rrallë mund të jetë njohur ndonjë lëvizje me një koherencë të tillë politike, sociale, kulturore, zhvilluese dhe integruese, që të adresontë njëherësh një gamë kaq të gjërë problemesh me një ndikim në një numër kaq të madh njërzish, dhe mbi të gjitha paqësore. Është kjo e fundit, si dhe programi thellësisht kulturor dhe lidhja me mjedisin, që e dallon atë thellësisht nga lëvizjet Marksiste, dhe që e bën atë një ofertë të lëvizjeve civile me karakter thellësisht demokratik. Në thelb të lëvizjes është transferta paqësore e kontrollit mbi rendin social. P.sh. vetë lëvizja e “kripës” e cila synonte t’i kundërvihej një ligji Britanik që i njihte vetes monopolin mbi prodhimin e kripës, kishte njëkohësisht si qëllim të tregonte se Britanikët e kishin humbur kontrollin mbi territorin dhe burimet materiale dhe njerzore. Mbi të njëjtat shtylla mbështetej edhe lëvizja tjetër e “tjerrjes” (spining) e cila kërkonte t’i vinte fre importimit te veshjeve nga Britania, si dhe të ringjallte traditat e përpunimit dhe prodhimit vendas dhe vetëqëndrueshmërinë ekonomike. Nga ana tjetër lëvizja Gandiste, karakterizohej nga besimi në domokraci dhe në ligj, pasojë e profilit prej juristi të Gandit, e reflektuar në këmbugljen e tij për të realizuar transferimin paqësor, përkundër marrjes me dhunë të kontrollit mbi shoqërinë; duke besuar gjithashtu tek ndërgjegjësimi, sidomos i kundërshtarit, dhe tek nocionet e lirisë dhe të përgjegjësisë si baza të zhvillimit. 

Çfarë modelesh ofron sot mendimi dhe lëvizja mjedisore në Shqipëri?

Ato pak alternativa reale që i ofrohen opinionit sot – siç janë edhe alternativat e një Shqipërie turistike – në kushtet kur mungojnë infrastruktura, dritat, uji, por edhe tradita, duken më shumë si shmangie ndaj sfidave zhvilluese, sasa një lloj ‘prerje e artë’ midis problematikës së mjedisit dhe asaj të zhvillimit. Përqasjet emotive shpesh marrin përparësi ndaj përqasjeve racionale. Për shembull, t’ia paraqesësh si emergjente rrezikun e humbjes së perspektivës turistike, një popullate që sot për sot nuk fiton dhe as jeton nga turizmi, për shumicën e saj është njësoj sikur t’i thuash një endacaku se “po i digjet shtëpia”.

Nga ana tjetër këto lloj përqasjesh kanë bërë lëvizjen mjedisore të paraqitet më shumë si “grupi i interesit” i radhës sesa një lëvizje që transmeton vlerat e një spekrti të gjërë shoqëror. Lënia e platformave të zhvillimit si ekskluzivitet i grupeve të interesit nga njëra anë dhe politikës nga ana tjetër, pa bërë të mundur angazhimin e komuniteteve, individëve që promovojnë çështjet mjedisore por që përndryshe, pa mbështetjen e komunitetit nuk do e kishin të mundur  dëgjimin e zërit të tyre, i ka hapur rrugë jo vetëm instrumentalizimit të zhvillimit por një shkatërrimi të pashmbullt të mjedisit. Rastet janë pa të panumërta, por ai më i fundit i publikuar – i masakrës mbi Syrin e Kaltër në Këlcyrë – përbën ndoshta edhe më flagrantin. Sipas gazetës Tema, biznesmeni Hari Lena midis të tjerash u kishte premtuar fshatarëve të zonës edhe shtrimin e rrugës në shkëmbim të lejes për të shfrytëzuar inertet e zonës, me të cilat më vonë do betononte edhe vetë Syrin e Kaltër. Po sipas gazetës Tema për këtë ai duket se kishte  përdorur si pasaportë në “negocimet” e tij me pushtetarët e zonës mbështetjen nga pushteti qëndror dhe bisedat e hamendësuara me kryeministrin.

Ajo që ky rast ilustron më së miri është pikërisht fakti se komunitetet janë lënë pa alternativa zhvillimi dhe pa mbrojtje ndaj presionit të binomit pushtet – grup interesi. Ndërsa fushatat ndërgjegjësuese, megjithëse shumë të nevojshme, e fokusojnë vëmendjen e tyre tek ndërgjegjesimi, ky i fundit nuk duket të jetë problemi kryesor i të ashtëquajturës apati të publikut. Publiku dhe komunitetet duket se janë përpara mungesës së alternativave; qoftë lokale; qoftë qëndrore, apo qoftë ligjore.

Nëse mund të flisja së pari për alternativën ligjore, më është dukur më shume se ironike fakti që askush nga përfaqsuesit e lëvizjes mjedisore nuk është angazhuar në ndonjë bëtejë të tillë (ligjore) për t’iu dhënë komuniteteve të drejtën e vendimmarrjes për projektet e zhvillimit të zonave të tyre. Ndërsa Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve ka përfunduar një draft ligjor të ligjit të ri të planifikimit, që besoj pritet të miratohet dhe hyjë në fuqi vitin tjetër,  asnjë fjalë nuk thuhet për të në shtyp, megjithëse ligji është i publikuar në faqen zyrtare të Ministirsë. Dhe aq pak sa jam i informuar: në dëgjimet publike për këtë ligj nuk ka pasur asnjë oponencë nga aktivistët e interesuar për mjedisin. Siç mund të imagjinojë shumëkush – përveç të qënit një ligj që fokusohet në sofistikimin dhe kontrollin e metodave të planifikimit dhe zhvillimit – roli i komunitetit (publikut) në vendimmarrje është vetëm dekorativ.

Ndërkohë, nëse do t’i kthehemi edhe njëherë diskutimit mbi alternativën turistike, që me sa duket është oferta e pranuar gjerësisht për shumë nga zonat të cilat sot rrezikohen nga shfrytëzimi pa kriter apo shkatërrimi i pakthyeshëm, duhet thënë se ajo ka ngelur në nivelet e një alternative utopike. E vërteta është se vendet e tjera të rajonit me të cilat ne pretendojme të konkurrojmë, përveç karakteristikave të përbashkëta natyrore me ne, problemet e zhvillimit siç janë: infrastruktura; shërbimet hoteliere; shërbimet urbane; kontrollin mbi tregun; instrumentat e marketingut; promovimin e kulturës vendase dhe përshtatjen e saj me shijet e kulturës globale; stabilitetin social, ekonomik, politik; i kanë shumë më të zgjidhura sesa ne. Dhe si për ironi sa herë flitet për turizmin në Shqipëri është pikërisht kjo listë e gjatë ajo që harrohet e para, por që është njëkohësisht lista që garanton afrimin e turistit “dembel”, i cili përbën masën më të madhe të turistëvë, dhe në të njëjtën kohë bazën e asaj ekonomie që quhet: “e mbështetur mbi turizmin”.

Pra me sa duket ajo që kemi nevojë më shumë sot nuk është thjesht paraqitja e një alternative turistike, por e një alternative zhvillimi, i cili duhet të perfshijë në diskutim që nga alternativat makroekonomike deri tek zhvillimet komunitare për t’i integruar në një vizion të vetëm. Në një ekonomi të drejtuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në Shqipëri nuk dëgjon të flitet dhe debatohet për modelet e zhvillimit. Përshembull a duhet Shqipëria të ndjek modele të tipit ISI, një politikë ekonomike që bazohet në premisën që vëndi duhet të zbusë varësinë e vet nëpërmjet stimulimit të prodhimit vëndas, apo duhet të ndjek politika dhe reforma liberale të orientuara drejt të tregut të jashtëm dhe ekonomisë globale? Pra a ka kuptim që nëse në Shqipëri do të zgjidhnim alternativën turistike të zhvillimit të vazhdonim me politikat e hapura të tregut ku importet dominojnë exportet dhe prodhimin vendas apo subvencionimi i prodhimit vendas dhe i eksporteve që do të shërbenin si për të forcuar aftësitë prodhuese dhe shërbyese aq të nevojshme për turizmin sikurse edhe një reklamë e vërtetë për turizmin shqipëtar qç i drejtohet konsumatorit të huaj më mirë se c’do reklamë televizive? Në të njëjtën mënyrë; a ka kuptim që monedha vendase të vazhdojë pafundesisht të forcohet kundrejt monedhave kryesore apo duhet të dobësohet kundrejt tyre për të bërë të mundur uljen e çmimeve dhe tërheqjen e turistëve nëpërmjet politikave monetare? Ndërkohë si duhet të trajtohen prurjet e emigrantëve që përbëjnë edhe burimin kryesor të të ardhurave të ekonomisë së sotme në kuadër të përgatitjes së bazave të një ekonomie turistike? A mund të shërbejnë këto të ardhura për të realizuar një integrim të politikave makroekonomike dhe ekonomise komunitare? Pra a duhet të ketë përparësi zhvillimi i turizmit lokal mbështetur në ekonominë familjare dhe të grupit (komunitetit) përkunder gjigandëvë të zhvillimit të siç janë Club Med? Në planifikimin dhe politikat urbane a duhet të marrin përparësi ndërtimet e reja, apo restaurimet dhe ruajtja?

Këto lloj pyetjesh thërrasin për nevojën e ndërgjegjësimit me problematikën që has zhvillimi shqiptar sot, por është një nevojë për ndërgjegjësim që nuk u drejtohet qytetarëve që janë të ndërgjegjësuar deri në dëshpërim për situatën, por i drejtohet elitës se tij, qoftë kjo politike, ekonomike apo kulturore.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s