Pas 17-të Nëntorit

Gazeta Tema në numrin e djeshëm të datës 20 Korrik 2008 kishte një intervistë të botuesit Mero Baze me publicistin  Artur Zheji. Në pjesën më të madhe intervista trajtonte problemet e ndryshimeve më të fundit kushtetuese, dhe qëndrimin e Zhejit nën cilësinë e kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Unë kam shumë pak për të thënë për problemin e mbrojtjes së kushtetutës, përveç faktit që bie dakort për ç’ka thotë Zheji, dhe që ajo që ndodhi më kushtetutën ishte vjedhja e radhës në serine e të drejtave që vazhdojnë t’i vidhen qytetarit shqiptar. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte një pjesë e intervistës që nuk kishte të bënte me kushtetutën:

 

Mero Baze: Nëse Edi Rama bëhet deputet në vitin 2009, kush mendon se do të promovohet si kandidat për Bashkinë e Tiranës?

 

Artur Zheji: Nuk e kam idenë. Bashkia e Tiranës e betonoi kryeqytetin, e kreu pra funksionin e vet të radhës. Rama i ka dhënë pothuajse të gjitha lejet monstruoze të mundshme të ndërtimit. Tirana po vdes nga smogu dhe nga densiteti i stërmadh i betonit, në kurriz të hapësirave të gjelbra. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe nuk di ku t’i shpie të luajnë. Të tjera premtoi Edi dhe krejt të tjera bëri, prandaj dhe banon në Pezë, për t’iu shmangur smogut dhe ndotjes që ai vetë e shumëfishoi.

 

Personalisht nuk mund të imagjinoja ndonjë përgjigje më lakonike se kjo, e cila përmbledh në pak fjalë problematikën politike, sociale, urbanistike dhe mjedisore me të cilën përballohet Tirana. Por nga ana tjetër nuk mund të mos më lërë një shije të hidhur fakti që shqetësimet për qytetin vazhdojnë dhe ngrihen vetëm brenda një konteksti politik, dhe jo si shqetësim shoqëror. Për shëmbull unë nuk mund të rri pa pyetur; përse duhej pritur që Rama të jepte të gjitha lejet e mundshme monstruoze të ndërtimit, dhe të mos flitej më parë për to nga ana e Zhejit? Ato (lejet) nuk janë dhënë brenda një orë, as brenda një muaji apo një vti; ato janë dhënë për tetë vjet rresht. Ajo që dua të them është se ne si shoqëri nuk i adresojmë problemet kur ato lindin edhe nëse jemi në gjëndje t’i dallojmë ato që në fillim; dhe kjo vlen akoma më shumë për elitën kulturore dhe opinionbërëse. Për shembull, unë nuk e kam të qartë se c’farë ka parë Zheji pozitive tek Fatos Nano për të mbyllur sytë përballë korrupsionit që gëloi përgjatë qeverisjes së tij, apo se ç’farë e bënte Bazen të mos shifte karikaturën në personalitet dhe në qeverisje tek Berisha përpara se ajo të shfaqej e plotë në Gërdec, por di të them se pavarësisht nga qëllimet e mira mosdenoncimi në kohë i problemeve shoqërore, dhe kapja pas kalkulimeve politike apo ndonjëherë edhe thjeshtë pas përfitimeve personale i ka kushtuar shumë shoqërisë sonë. Sido që të jetë, për mendimin tim vërejtjet apo denoncimi i Zhejit për gjëndjen ku është katandisur qyteti duhet të jenë shumë të mirëpritura dhe them se meritojnë vëmendje. Edhe nga ajo pak ekperience dhe njohje që kam si profesionist ne fushën e urbanistikës mund të them me bindje se nuk është asnjëherë vonë per të shpëtuar nje qytet.

Por ajo që më ngacmoi në intervistë ishte thelbi i pyetjes që ka të bëjë më largimin e mundshëm të Ramës nga drejtimi nëntë vjeçar i Bashkisë së Tiranës. Ky eveniment i pritshëm, që unë do ta krahasoja me 17 Nëntorin, (jo me evenimentin e prishjes së kinemasë me të njëjtin emër, por me atë të çlirimit) sjell pashmangshmërisht pyetjen: ç’farë vjen pas saj? A duhet të vazhdojë të gatuhet e ardhmja e qytetit në kuzhinat e politikës – respektivisht të PD-së dhe PS-së me gjithëfarë aleatësh që u vijnë nga mbrapa – e cila e katandisi në këtë gjëndje që është sot, apo mos ka ardhur koha për një alternative tjetër? A është e drejtë që qytetarët e Tiranës të kenë veçse dy zgjedhje; ose një Shals, ose një Medi?

Unë nuk mund të parashikoj se sa e mundëshme është shmangia e skenarit të një ndeshje të tipit Shals-Medi, por ajo që mund të them është se nuk është ajo për të cilën ka nevojë qyteti. Një ndeshje pak a shumë të këtij lloji, me mungesë totale alternativash, ku u fol për ç’do gjë, që nga çertifikatat deri tek fotot private dhe publike të kandidatëve, por vetëm për qytetin, qytetatrët patën rastin ta përjetonin jo më larg se në zgjedhjet e fundit lokale. Rezultatet e këtyre lloj ndeshjesh tashmë janë të qarta: degradimi i vazhdueshëm i qytetit vetëm përkeqsohet.

Por a kanë mundësi qytetatrët ta shmangin këtë lloj skenari? A është i mundur një skenar realist dhe vizionar jashtë politikës e cila e ka sjellë qytetin dhe shoqërinë në këtë gjëndje? Unë them se po! Gjatë kësaj periudhe tranzicioni pothuajse shokuese për vlerat e shoqërisë, disa vlera të prezantuara në opinionin publik nga qytetarë që kanë ditur t’i nderojnë ato kanë mbijetuar dhe mund të thuhet pa frikë se janë bërë pjese e opinionit të gjërë. Dhe nëse do kishte një skenar që do t’i përfaqsonte më së miri këto vlera për qytetin e Tiranës ai nuk mund të ishte më shumë se vetë emri i Fatos Lubonjës, i cili jo vetëm që nuk është tunduar asnjëherë ndaj pushtetit, por nuk rreshti gjithashtu asnjëhërë se ofruari vizionin e tij për qytetin. Dhe si për ironi nëse qytetatrët e Tiranës do kishin fatin të kishin Lubonjën për kandidat, në sajë të këtij vizioni i cili ireferohet vlerave ekzistuese te qytetit dhe jo ndonjë “vlere europiane” të importuar, do ishte nga të paktat (e vetmja?) herë që nuk do kishin nevojë të dëgjonin ritualin e series së premtimeve boshe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s