Për një dhomë gjumi tek liqeni

Duke parë videon shpjegese të MVRDV në faqen online të Bashkisë së Tiranës, animacionin e kullave që lëviznin drejt ujit, si dhe shpjegimin e përfaqsueses së Bashkisë që mbronte projektin në emër të kushedi kujt (në emër të MVRDV-së? apo në emër të pronarëve dhe investitorëve privatë?) për të bindur publikun për një projekt që duket se nuk e ka dhe aq përzemër, më erdhi ndër mend një tregim i Mitrush Kutelit i quajtur “Lumi i Madh”. Ndërsa komentuesja / shpjeguesja e Bashkisë fliste për natyrshmërinë dhe lidhjen që ka njeriu me ujin – një lidhje aq e fortë sa e bën gjithcka, edhe kullat njëzetë apo tridhjetë kate të projektit të lëvizin drejt tij – imagjinoja një përfundim apo të ardhme të kësaj zone shumë të ngjashme me përfundimin e tregimit të Kutelit. 

Tregimi i Kutelit rrëfen për një fshat jeta e të cilit ndërtohej dhe begatohej në sajë të rrjedhës së ujit të një lumi që e përshkonte atë mespërmes. Ujtë e lumit u siguronte fshatarëve peshkimin, u shunate etjen bagetive, u ofronte materialet e ndërtimit ndërtuesve, u vinte në punë mullinjtë mullixhinjëve, apo edhe i çlodhte dhe argëtonte banorët e fshatit me bukurinë e vet dhe ujtë e pastër që sillnin burimet nga malet përreth. Megjithatë banorët kërkonin të përfitonin nga ai jo vetëm gjërat që vetë lumi i ofronte aq bujarisht, por edhe ato që lumi i kishte aq të nevojshme per t’u quajtur lum. Banorët filluan një nga një të pushtonin vetë shtratin e lumit. Ai duke mos qënë prone e askujt bëhej pre e uzurpimeve, ngushtimeve, pengesave dhe prerjeve të vazhdueshme. Ndërsa banorët e fshatit filluan ta trajtonin lumin e tyre si një hapësirë mbi të cilën nuk kishin asnjë detyrim. Po ashtu harruan edhe për pasojat që mund të kishin veprimet e tyre, aq sa edhe paralajmerimeve të herë pasherëshme që lumi sillte me prurjet e tij të bubullimshme që sa vinin e shtoheshin, filluan të mos ia vinin më veshin. Tashmë vetë shtrati i lumit ishte tërësisht i zënë nga dyqane, kasolle, magazina, shtëpi banimi, dhe gjithçka e mundshme që mund të ndërtohej në ate hapesirë pa zot. Më në fund lumi nuk vonoi dhe nje ditë të stuhishme vjeshte mori gjithçka kishte përpara, brenda dhe jashtë shtratit të vet, duke prishur shtëpi, duke mbytur bagëti e të mbjella, por edhe duke marrë jetë njërzish; pikerisht jetën e më te pambrojturve, më të vuajturve dhe më të pafajshmëve.

Duke pasur parasysh pikërisht përfundimet e këtij tregimi aq të afërt në smbolikë me atë se ç’ka ndodhur në hapësirën tonë urbane gjatë këtyre viteve, por edhe kritikat që i janë bërë projektit pikërisht për këtë arsye, pra për ndërhyrje në një nga zonat e vetmë që ende mund të shpresosh të shërbej si prani e rrallë e natyrës qoftë edhe artificiale në qytet, më bëri shumë përshtypje argumeti i prezantueses i ilustruar nëpërmjet një vidioje në faqen e internetit të Bashkisë. Nëse argumenti që njërzit tërhiqen nga prania e ujit është i vërtët, nuk i shërben patjetër argumentit që duhet ndërtuar në atë zonë. Përkundrazi, përforcon idenë se për rigjallërimin e kësaj zone mjafton vetëm ta mirëmbash atë pasi njerzit tërhiqen vetvetiu, jo për shkak të ndërtimeve por për shkak të natyrës dhe aftesive çlodhëse që ajo ka. Argumenti (dhe videoja e MVRDV-së) për përqëndrimin e ndërtimeve përgjatë digës, mund të jetë një argument shumë i mirë kur prezantohet përpara një grup investitorësh duke u munduar t’i bindësh se garanci për investimin e tyre është pikerisht prania e ujit, por vetë publiku është i interesuar për të kundërtën.  Publiku është i interesuar për garanci që natyra dhe peisazhi në atë zonë nuk do të preken.  

Por mënyra se si i është prezantuar publikut ky projekti nga Bashkia, në fakt jep garanci vetëm për të kundertën dhe duket sikur Bashkia e Tiranës nuk kërkon të konsideroj shqetësimet e publikut, por të adresoj ato të biznesit të ndërtimit.

Nëse ndërtimet u dashkan të përqëndrohen përkrahë vijave ujore, qofshin këto edhe liqene artificiale përbrenda parqeve, dhe me dëndësi të njëjta apo edhe shumë më të mëdha se të qëndrave ekzistuese, atëherë ky argument fare mirë mund të përdoret edhe nga ndërtues të tjerë për të ndërtuar ku të jetë ë mundur përreth liqenit, apo edhe për ta shfrytëzuar atë si vlerë komerciale.  Gjithashtu ndërtimi i një qëndre që siç përpiqet ta prezantojë Bashkia do e kthekërka qyetetin me shumë qëndra, më shumë se është garanci për këtë të fundit, është garanci për mbipopullimin e një zone pa infrastrukturë e të përjashtuar nga struktura e natyrshme e qytetit, po aq sa edhe për impaktin (negativë) e garantuar të saj në mjedis. Nëse dëndësia dhe ç’virgjërimi i trojeve do kishte qënë garanci që një zone të kthehej në një qëndër të rëndësishme të qytetit ato duhet t’i kishim sot gjithandej, duke filluar nga Komuna e Parisit dhe duke përfunduar në Kinostudio e Kombinat. Por të gjitha këtyre zonave u mungon ajo që quhet hapsirë publike, armatura e të cilës përbëhet nga institucione shoqërore, duke filluar nga institucionet publike tek kinematë, teatrot, bibliotekat, muzeumet, kishat, xhamiat dhe duke përfunduar tek parqet dhe këndet e lodrave, si dhe pishinave ku mund te pushohet ne ajër të pastër pa qënë nëvoja të jesh i rrethuar nga “kullat e rrëzuara” të prezantuara fillimisht në Tiranë nga Architecture Studio & Co. Pra për të krijuar qëndra të reja dikush duhet t’i ushtrojë vëmëndje atyre ekzistuese për t’ua rikthyer dimensionin publik, përpara se t’i shndërrojë edhe ato pak hapësira që e kryejnë këtë funksion në dhoma gjumi.

 

 

 

4 thoughts on “Për një dhomë gjumi tek liqeni”

  1. Blogu duket fort i mire, por me vjen keq qe teksti i bardhe mbi shtroje te zeze, eshte nje zgjedhje qe shkurajon vemendjen dhe e ben leximin te lodhshem.

  2. Shqato,
    Ke te drejte per tekstin qe eshte shume e veshtire te lexohet, dhe jo vetem per shkak te ngjyres por edhe per llojin e tekstit dhe madhesine. Kur e zgjodha fillimisht kete format mendova me shume per prezantimin grafik – pamje fotografike, plane, renderime – sesa per tekstin. Megjithate faleminderit qe e more mundimin te lexosh me gjithe veshtiresite qe paraqet teksti.

  3. “por mënyra se si i është prezantuar publikut ky projekti nga Bashkia, në fakt jep garanci vetëm për të kundertën dhe duket sikur Bashkia e Tiranës nuk kërkon të konsideroj shqetësimet e publikut, por të adresoj ato të biznesit të ndërtimit.”

    ok, une jam mbushur me thashetheme shqiptare dhe mund te t’i kaloj edhe ty. Perse tek liqeni?

    Berisha i preu kembet pastrimit te parave ne ndertim. Kjo coi qe klasa e re e ndertuesve, parate per ndertim t’i merrte nga bankat. Pra, kemi futjen ne loje te nje shtrese aspak te pasur ne lojen e biznesit te ndertimit. Sesi funksionon kjo loje ne kete background te ri ja vlen nje artikull me vete, nje studim; eshte megjithate aq interesant sa edhe i frikshem. Po i bie shkurt: bankat kane dhene me shume kredi se sa jane ne gjendje kredimarresit te paguajne. SI zgjidhet ky problem? Mendohet se, pikerisht, projekti i liqenit, qe nuk ishte fare emergjent konsideruar me pikat e tjera emergjente qe kane nevoje nderhyrje ne Tirane, do perdoret te mbuloje humbjet e shkaktuara deri tani nga politikat ne ndertim. Edhe pse, nuk ka asnje studim se ne se ka nevoje per keto ndertime nga pikepamja e ofert-kerkeses, dhe kur shume ndertime te dezinjuara per zyra nuk jane mbushur akoma, jane bosh.

    Dhe po i kthehem prape asaj temes se Libeskind qe e kishe me aq shume per zemer:

    Mua me thane qe Liebeskind as nuk e kishte kuptuar fare perse ishte ai konkusrsi. Deri ne zgjedhjen e finalistit, LIbeskind nuk kishte paraqitur asnje projekt. Ai u kualifikua ne inale me deshiren e doravete z. Rames, duke shfrytezuar menyren per t’u kualifikuar; piket ndaheshin midis kurrikulumit te konkurrruesit dhe projektit te paraqitur. Liebeskind u kualifikua ne finale pa paraqitur asnje projekt. ASNJE! Piket e kualifikimit i kishte marre per kurrikulimin (plus kujdesi i z. Rama). Ne finale pastaj, kishte derguar dicka, qe miqte e mi arkitekte duke qeshur me thane, qe ishte komplet jashte kontestit te gares.

  4. Anonim,
    Faleminderit per “thashethemet”, qe ne fakt nuk jane edhe aq thashetheme!
    Shumica e gjerave qe une shkruaj ne kete blog, jane reflektim i informacionit i bere publik dhe memories personale te eksperiencave qe kam pasur ne Shqiperi perpara se te largohesha prej andej. Ne Shqiperi jam marre gjeresisht (i punesuar) me industrine e ndertimit dhe me tregun e banesave. Ne ate kohe pervec nje pjese te madhe nevojtaresh, emigrantesh dhe ndokujt qe kishte ndonje bisnes te vogel si dyqane apo punishte (qe perfshinte rreth 30-40% te bleresve), pjesa tjeter qe blenin apartamente me te shtrenjta dhe njekohesisht ia rrisnin vleren ndertimit ishin nje klase kriminale te perfshire ne veprimtari te tilla si prostitucioni dhe droga, si dhe nje klase tjeter pothuajse aq kriminale do thosha une sic ishin politikanet. Keta te fundit, qofshin ne pozite edhe ne opozite i blinin apartamentet, ndonjehere edhe nga dy e nga tre, me kredi bankare nga institucione shteterore qe ne ate kohe ishin shume me te rralla dhe me te favorshme sec jane sot. Menjehere pas ketyre politikaneve te larte qe sot jane neper zyra kryeministrore, parlament etj, vinte edhe nje shtrese disi me e mesme e favorizoar nga keto lloj kredish e cila ishte pjesa e administrates shteterore qe perfaqsonte kasten e gjyqesorit dhe hetuesise, ku hynin edhe kryetare gjykatash dhe hetuesive qe nga ato me te lartat deri tek ato te rretheve (dhe perseri ketu po flasim vetem per tregun e Tiranes). Pra keto kredi te favorizuara ndaheshin diku tek 50%-50% midis politikaneve dhe administrates gjyqesore.
    Tani, duhet te imagjinosh qe duke pasur kete lloj klientele firmat dhe industria e ndertimit nuk mund te mos ngelen te implikuara, indirekt apo drejtepredrejt, nga ky aktivitet kriminal. Per te hyre ne rangun e thashethemeve – sepse ato qe thashe me lart nuk i konsideroj te tilla pasi i kam pervoje personale dhe mund te vertetohen fare lehte sepse gjithcka eshte e vrifikueshme nepermjet kontratave dhe transaksioneve bankare nese dikush ka vullnetin dhe deshiren – firmat e ndertimit jo vetem qe u perfshin ne kete aktivitet kriminal por ne shume raste drejtoheshin drjteperdrejt prej tyre. Si thashethem nund te permend rastet e ndertimeve te kryera nga Skender Gjinushi apo Makbule Ceco, apo edhe rastin e ministrit te financave Anastas Angjelit dhe keshtu me radhe. Shpesh pronaret e firmave ishin(jane) mbulese per pronarin e vertet qe mund te ishte politikan apo njerez te kerkuar nga drejtesia. A kishte njerez te ndershem qe merreshin me ndertim? Sigurisht qe kishte, por ishin nje minorance qe gjithesesi nuk mbijetonin dote ne menyre 100% te ndershme.
    Ketu po kthehem tek komenti yt se Berisha i paska prere rruge pastrimit te parase ne ndertim. Une nuk e di sa e vertet eshte kjo qe thua, por nisur nga informaliteti i ekonomise eshte shume e veshtire te flitet ne Shqiperi per pastrim parash apo akoma me teper per ndalimin e pastrimit te parase. Perse e them kete? Sepse siaps te gjitha standarteve qe perkufizojne aktin e “pastrimit te parase” te gjithe shqiptaret jane te perfshire ne te. “Pastrimi i parase” eshte koncept qe vjen nga shoqerite me ekonomi te strukturuar dhe formale, dhe eshte shume e veshtire te aplikohet ne nje ekonomi si e jona. Per mendimin tim kur thuhet per kriminalitetin shqiptar se “merret me pastrim parash” u ben nder sepse i paraqet ata me te zgjuar dhe me te sofistikuar sec jane. Aktivitet kriminale ne perendim sot luajne me shifra marramendese dhe nuk eshte aspak llogjike te mendosh se ato mund te perdorin industrine e ndertimit ne Sqiperi per kete pune. Ato perdorin ishujt si Islanda qe nuk kane asnje lloj ekonomie dhe qe jane te detyruar te shnderrohen ne “tax haven” per keto lloj kriminelesh apo ne vende si Zvicra ku nuk te duhet patjeter te deklarosh origjinen e parave. Pra industria e ndertimit mbahet nga aktiviteti kriminal i klases perkatese shqiptare, por qe jo patjeter eshte pastrim parash.
    Po perse e them gjithe kete? Sepse mendoj se klasa kriminale shqiptare nuk niset ne aktivitetin e vet nga ndonje nevoje per ta fshehur apo pastruar parane, por perkundrazi niset nga nevoja per te zoteruar territorin ku vepron, “sense of ownership”. Ne vende si Shqiperia kjo klase kriminale ka nevoje vazhdimisht ta beje te njohur prezencen dhe statusin e vet, si e vetmja menyre per te sheshuar cdo lloj konkurrence qofte ne syte e rivaleve ashtu edhe te njerezve te thjeshte te cileve u thuhet hapur se ky eshte territor kriminal.
    Ajo qe mendoj une se ndodhi me Berishen, ishte nevoja e madhe e tij per te marre aprovimin e perendimit per te ardhur dhe qendruar ne pushtet. Dhe nje nga menyrat per ta marre kete aprovim ishte edhe nderpreja e trafiqeve (njerezor dhe te drogave) qe zhvilloheshin nga Shqiperia ne drejtim te perendimit. Kjo padyshim qe perbente nje burim te madh te ardhurash per kete shtrese, por jo patjeter per ekonomine Shqipetare qe burimin kryesor ka remitancat e emigranteve. Nderkohe duket se kjo shtrese kriminale mendon se ka forcuar pozitat. Jo vetem qe ka bere te dukshme prezencen e vet por edhe ka krijuar nje industri te veten te ndertimit si burim kryesor te te ardhurave te veta. Por kjo industri nuk mund te mbahet pafundesisht ne kembe me blerjet dhe shitjet brenda-perbrenda kesaj kaste. Ndaj eshte e nevojshme hapja e nje fronti bleres nepermjet kredive ne mase te gjere.
    Por problemi nuk jane keto kredi por eshte fakti qe industria e ndertimit mbetet gjithesesi peng i kesaj klase kriminale e cila per te mbijetuar do vazhdoje te beje palacolleqe te tilla ne planifikim, sic eshte edhe ky projekt tek liqeni. Demokratizimi i planifikimit, pra marrja publike e vendimeve, ka per te ndihmuar jo vetem njerzit e thjeshte por edhe kete lloj klase per te nxjerre veten dhe gjithe te tjeret nga bataku ku na kane futur. Sa me shpejt ta kuptojne kete aq me mire eshte per te gjithe. Por me sa duket ato nuk duan te degjojne nga ai vesh…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s