Kriteret e një planifikimi të “papërshtatshëm”

Planifikimi si katalist shoqëror

 

“Në kulmin e debateve dhe shqetësimeve mbarëbotërore për krizën ekonomiko-financiare dhe pasojat e saj, në Shqipëri harxhojmë pothuajse tërësisht energjitë politike e sociale për ligjin zgjedhor, ruajtjen e votës, legjitimitetin e përfaqësimit, etj. Në kulmin e nevojës për të konsoliduar demokracinë shumë shpesh “humbasim” në problematika specifike biznesi, qofshin këto modeste dhe të parëndësishme për fatet e ekonomisë kombëtare në momentin e dhënë. Duket sikur jemi të pa fokusuar dhe të çekuilibruar përballë sfidave të zhvillimit ekonomiko-social dhe raporteve të saj me funksionimin e një demokracie reale.”

 

Ardian Civici  “Zgjedhja e vështirë: Kapitalizëm apo Demokraci”

 

Nëse politikat e palnifikimit, sikurse edhe të gjitha politikat, deri dje bëheshin me “direktiva nga lart”, bëhën edhe sot në të njëjtën mënyrë: nëpërmjet “direktivave” të sistemit të tarafeve, interesave të ngushta legjitime ose jolegjitime të bizneseve, duke anashkaluar shpesh edhe strukturat ligjore. Rrjedhimisht modelet që kërkojnë transparencë hasin në vështirësinë e fshehtësisë që nënkupton kultura e grupit dhe e klanit, modelet që kërkojnë vendime gjthëpërfshirëse hasin në bllokimin e tyre nga  grupet e interesit, problemet që kërkojnë njëtrajtëshmëri në zgjidhje hasen në mënyrën selektive të aplikimit të ligjit etj… Dhe gjersa të jetë kështu sistemet politike përfundojnë natyrshëm në oligarki, kurse ato ekonomike ne monopole; demokracia nuk e kryen me rolin e saj gjthëpërfshirës kurse sistemi financiar e humbet karakterin e vet egalitar (barazinë në konkurrencë); dhe së fundi sistemet politike (demokracitë) dhe ato ekonomike nuk janë më dy “binjakë identikë” (nëse do mund të përdor një metaforë po të Civicit nga “Zgjedhja e vështirë: Kapitalizëm apo Demokraci”).

 

Ndërkohë, aferat e shumta që implikojnë qeveritarët dhe qeverisjen në nivelet më të larta në projekte aspak transparente dhe pjesërisht të imponuara mbi komunitet përkatëse për parqe enrgjitike apo industriale, fabrika çimentosh, depozita, tendera rrugësh, privatizime të dyshimta nga nafta deri në telekomunikacion, implikimi me biznesin e inkriminuar rajonal, kontrabanda e armëve dhe Gërdeci, si dhe “tranzicioni paqësor” i këtyre aferave nga qeveritë Meta tek qeveritë Nano,  Berisha dhe sipas të gjitha gjasave të prirura për t’u kaluar më vonë edhe tek Rama, janë shënjat e strukturimit të një oligarkie financiare dhe politike që nuk e njeh vlerën e demokracisë.

 

Përballë kësaj panorame të zymtë qytetatri shqiptar ndodhet krejtësisht i çarmatosur dhe ende pa disa nga mjetet më të fuqishme që do mund të transformonin rrënjësisht peizazhin ekonomik dhe rrjedhimisht do ndikonin mbi politikën dhe demokracinë, siç janë zgjidhja e problemit të pronësisë, vendosja e bizneseve në mardhënie të drejta ligjore me shtetin (nëpërmjet taksave dhe tatimeve) dhe me bizneset midis njëri tjetrit, zhdukja e informalitetit etj… por sidomos ajo që edhe preket veçanërisht nga ky shkrim: zgjidhja e problemit (demokratizimi i proçesit) të planifikimit.

 

Papërshtatshmëria

 

“Nëse ka një mësim që duhej të ishte nxjerrë këto vjet të etiketuara si “të tranzicionit” është se importimi i institucioneve në Shqipëri në përgjithësi është bërë keq,me ngutje dhe pa përfillur shumë nevojën e pajtueshmërisë me traditat kulturore…

 Kapitalizmi, demokracia, parlamentarizmi, të drejtat e njeriut, tregu i lirë e të tjera fjalë të mëdha kërkojnë një vetëdije shoqërore të caktuar, pa të cilën nuk e bëjnë dot kalimin nga fjalët te sendet.”

 

Ardian Vehbiut, “Kulti i Kargove”

 

Së shpejti pritet të miratohet Ligji për Planifikimin e Territorit dhe Plani Rregullues për Tiranën, të dy projekte – megjithëse të vonuara –  të shumëpritura. Megjithatë nëse i hedhim një sy historisë se si kanë përfunduar shumë ligje dhe ristrukturime të bëra gjatë kësaj kohe të ashtëquajtur “tranzicioni” shqetësimi se ato mund të bëhën të paaplikueshëm dhe të trashëgojnë mangësitë e strukturave të mëparshme nuk duket aspak i ekzagjeruar.

 

Nëse i hedhim një sy kulturës totalitare të mbiplanifikimit  është e lehtë të thuash se ajo thjesht dështoi. Por nuk është i lehtë injorimi i vazhdimësisë së saj qoftë institucional ligjor apo politikëbërës. Si metodologji ligjore dhe institucionale planifikimi i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me atë totalitar – që ndiqte llogjikën e “direktivave” në vend se të ndiqte arsyet ekonomike apo aq më tepër llogjikën e tregut si rregullator. Dhe megjithatë duhet thënë se ato vuajnë nga e njëjta sëmundje: papërshtatëshmëria.

 

Në stukturat e mbiplanifikimit të sistemit totalitar që paracaktonin që nga sasia dhe lloji i mallrave që i duheshin tregut, llojin e industrisë, llojin e zhvillimit, numrin e apartamenteve etj…, (duke pasur parasysh të ashtëquajturën “të mirë shoqërore”), ishte papërshtatëshmëria me kërkesat reale (në mungesë të tregut rregullator) e përforcuar nga një izolim i pashembullt ekonomik dhe shoqëror që do të shndërrohej në një sëmundje kronike. Po ashtu, thelbi i problemit në mungesën e planifikimit të sotëm – që ia beson formulimin, si të mjedisit ekonomik ashtu edhe të atij urban, sipërmarrjes individuale dhe tregut me shpresën ose besimin ende të papërligjur e të qënit rregullatori “suprem” – është, përsëri, papërshtatshmëria me interesat e publikut të cilat nuk mbrohen as me ligj dhe as planifikohen gjëkundi. Janë “direktivat” ato që vendosin mbi llogjikën e tij dhe jo mëkanizmat: ligjorë (mëpërmjet kodeve të ndryshme te urbanistikës, mjedisit, etj…); skekencorë (parashikimi i nevojave të zhvillimit nëpërmjet studimeve dhe aplikimit të tyre nëpërmjet mekanizmave politikbërës); dhe vendimarrës (sigurimi, miratimi dhe aplikimin i politikave nëpërmjët miratimit të gjërë mbarëpopullor ose në rang komunitëtesh). E thënë ndryshe roli rregullator, koordinues, integrues etj… i planifikimit është zëvendësuar me rolin e përmbushësit të planeve nevojave dhe interesave të grupit dhe aspak të shoqërisë në kuptimin e saj të gjërë.

 

Në këtë kuptim, për të kapërcyer ngërçin paraqytetar në komunikimin shoqëror, ose për të kaluar nga strategjitë e mbështetura tek psikologjia e grupit drejt strategjive që reflektojnë koherencë shoqërore, platformat planifikuese dhe urbane kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm për të luajtur. Përderisa këto platforma natyrshëm duhet të formulohen nga platforma kulturore, arsimore, mjedisore, turistike, energjitike, kontroll territori, zhvillimi industrial, mbarëvajtje sociale etj… janë edhe çelsi i përditësimit të demokracisë në politika. Pikërisht si të tilla ato sjellin në vëmëndje proçesin e gjithpërfshirjes si domosdoshmëri. Ndryshe nga bindja se; proçeset demokratike të planifikimit, miratimi në rang komunitetesh dhe fqinjësie i projekteve, apo deri edhe përdorimi i referendumeve, ngadalësojnë zhvillimin  (e cila nuk ka ndonjë bazë reale, aq më tepër nëse do konsideronim kundërproduktivitetin e zhvillimit abuzues), proçeset gjithëpërfshirës janë pothuajse të vetmit mekanizma që garantojnë koherencën shoqërore të zhvillimit.

 

 

Kriteret e zhvillimit

 

>  Strategjia e Zhvillimit tëTiranës

>  5.2 Strategjia e veprimit

> Theksimi dhe “kanalizimi” i dinamikave aktuale në sektorin e ndërtimit

 

“Ajo çfarë po ndodh në Tiranë është rezultat i një energjie të madhe në nivelin individual, familjar dhe komunitar, duke u përhapur si një lumë me drejtim të pacaktuar. Kjo energji nuk mund dhe nuk duhet të ndalohet nga asnjë proces akademik. Pra, procesi i planifikimit duhet të përfshijë energjinë e qytetarëve dhe promovimin e cdo ideje.”

 

Edi Rama, në “Tirana Metropolis”, raport kërkimor, Berlage Institute, 2004

 

Pasazh i shkëputur nga raporti i ndërmjetëm i “Planit Rregullues të Tiranes”.

 

Përqasja në mënyrë populiste, apo nënëvleftësuese ndaj “tutelës akademike” në emër të hapjes së rrugës për “promovimin e çdo ideje” – e cila për të qënë i ndershëm më shumë se një një ambicie aspak realiste më duket një retorikë e papërgjegjëshme – tërheq vëmendjen gjithësesi mbi problemet kronike të planifikimit në Shqipëri: papërshtatshmërinë të shkaktuar nga mungesën e proçeseve gjithëpërfshirëse.

 

Më duhet të them me keqardhje se dy projektet/dokomentet që priten të miratohen, megjithëse të huazuar nga modelet më të mira perëndimore janë paraqitur si dy dokumente statikë. Ato anashkalojnë pjesmarrjen e drejtëpërdrejt në planifikim, duke ia besuar atë përfaqsuesve vendorë dhe hierarkisë administartive dhe shtetërore të zgjedhur apo të emëruar, e cila ia ndryshon rrënjësisht karakterin planifikimit duke e kthyer atë në një proçes që kryhet nëpërmjet “direktivash”  nga lart poshtë, duke e bërë qytetatrin që të shijojë vetëm konsekuencat e planifikimit, apo të ftohet për të parë spektaklet e prezantimit, pa qënë asnjëherë pjesë e proçesit.

 

Në rastin e Ligjit për Planifikimin e Territorit, me gjithë punën e admirueshme, përjashtimi nga pjesmarrja e drejtëpërdrejtë e qytetarit në vëndimarrje rrezikon që dy nismat e tij reformuese: ndërveprimin institucional, dhe lehtësimin e proçedurave administrative, t’i vërë në rrezik dështimi. Në rastin e ndërveprimit (bashkëpunimit) institucional marrja e vendimeve në mënyrë të drejtëpërdrejt është e vetmja rrugë për të shmangur konfliktet midis institucioneve me karaktere të ndryshme, por edhe për të mundësuar politika rajonale dhe lokale stabël afatgjatë dhe që i përgjigjen vullnetit qytetar. Po ashtu nuk duket se lehtësimi i proçedurave administrative pa forcuar instrumentat e kontrollit teknik do jetë në gjëndje të kapërcej ngërçin korruptiv nëpër të cilin ngec proçesi i miratimit duke pasur parasysh kapacitetin e ulët të gjyqësorit për të adresuar probleme të tilla, siç e dëshmon edhe situata aktuale. Në këtë këndvështrim roli i komuniteti dhe pjesmarrja e tyre në proçeset e miratimit dhe aprovimit të lejeve është garanci më e mirë për të vendosur kontrollin mbi zhvillimin urban.

 

Të njëjtën gjë do thosha edhe për Planin Rregullues të Tiranës i cili ndonëse i huazuar nga modelet e planeve rregullues të qyteteve europiane, por i zhveshur nga “pjesmarrja e drejtëpërdrejt”, duket se i është dhënë një kuptim statik që mbart në vetvete rrezikun për t’u kthyer në një mjet të papërdorshëm, të mbingarkuar dhe mbi-sofistikuar. Kjo bën që në thelb si politikat, si planet e ardhshme të mos jenë pasojë e kërkesave dhe nevojave reale të komunitetit por rezultat i arbitraritetit, shpesh dhe i kapriçove dhe metodave abuzuese ende prezente. Në thelb ky Plan Rregullues nuk ka asnjë ndryshim nga metoda e tanishme, ku duhet thënë se ka qënë abuzimi me “planet pjesorë” shpesh edhe të kundraligjshëm që i kanë hapur rrugën abuzimit. Pra ai vuan nga tendenca për ta mbështetur zhvillimin urban mbi të njëjtët faktor dhe të njëjtën filozofi që ka qënë përgjegjëse kryesore për situatën e tanishme në urbanistikë; konceptimi i planit rregullues si një plan ndërtimi, dhe vënia e interesave të sektorit të ndërtimit në rolin e motorrit të zhvillimit urbanistik.

 

Në raportin e ndërmjetëm për Planin Rregullues të Tiranës flite vetëm për: kriteret e vlerësimit “përdorimi i tokës”; “arritshmeria e parcelave të lira”; “Predominimi i zonave informale në pjesën veriore të qytetit si një shtysë shumë e madhe për ndërhyrje” dhe deri edhe paragrafeve dhe citate të Ramës që u drejtohet qoftë tërthorazi apo drejtë përdrejtë ndërtuesve si rastet më poshtë:

 

“Orientimi i zhvillimit urban”

 

“ne, gjithashtu po i themi zhvilluesve te mëdhenj se ne nuk do të pranojmë më projekte arkitektonike që nuk i shtojnë cilësi qytetit. Këto projekte duhen të lënë shenjë në zhvillimin urban të Tiranës, veçanërisht në pikat e “nxehta”të qytetit rrotull qendrës.

 

Dhe: “Udhëheqja e zhvillimit urban”

 

“shansi për ndërtuesit abuzivë, është rezultat i komunikimit nga ana jonë se objektet që ata kanë ndërtuar ilegalisht bazohen në një traditë jo të rregullt, por mund të jenë një shans për zhvillimin ekonomik të qytetit tonë.

 

Me gjithë akrobacitë midis të ligjshmes dhe të jashtë-ligjshmes që parashtrohen në përfshirjen dhe paraqitjen e një citati të tillë, në një dokument që pritet të jetë ligji i zhvillimit urbanistik të Tiranës, si të ishte krye-shëmbulli se si një “Udhëheqje e zhvillimit urban” duhet të funksionojë, ajo që të bie më shumë në sy në gjithë raportin e ndërmjetëm është mungesa e politikave të vërteta urbane. Mungojnë aty strategjitë planifikuese në energji (të e rinovueshme ose jo); në trajtimin e ujrave; në trajtimin e plehrave dhe mbrojtjen e mjedisit; nuk flitet për strukturat urbane si struktura që kanë për qëllim të sigurojnë shëndetin e qytetatrëve; të minimizojë rreziqet nga katastrofa të mundshme dhe të tjerë elementë të cilët janë aq të nevojshëm të integrohen në mënyrën se si duhet t’a konceptojmë planifikimin e qyteteve tona; por sidomos dhënia qytetarëve e një plan së bashku me institucionet që duhet të vijonin prej tij; institucionet e mbrojtejes së mjedisit, mbrojtjes së monumneteve, institucionet e politikave të zhvillimit, të arsimit, të kulturës, dhe ç’ka është e rëndësishme institucionet e miratimit/kontrollit qytetar.

One thought on “Kriteret e një planifikimi të “papërshtatshëm””

  1. Sot gazeta Panorama ka botuar një shkrim të Artan Fuges që i trajton më hollësishëm problemet e planifikimit
    Planifikimi i kaosit
    • Prof.Dr.Artan Fuga*

    Eshtë kënaqësi e veçantë që bashkë me paraqitjen para publikut të numrit të dytë të revistës “Gjeopolitika” që sapo doli në qarkullim me titull “Territori në fokus”, të diskutojmë edhe për.. projektligjin e përgatitur nga Ministria e Punëve Publike lidhur me rregullimin e territorit.
    Teksti i projektligjit për rregullimin e territorit ka ardhur vazhdimisht në përmirësim. Këtë e kam ndjekur nëpërmjet konsultimit të herëpashershëm të tij në faqen elektronike të Ministrisë së Punëve Publike. Ndjesia e mirë që merr në këto raste është se nëpunësit dhe specialistët e ngarkuar me këtë punë kanë qenë me siguri të hapur ndaj vërejtjeve dhe sugjerimeve që të tjerët iu kanë bërë, shprehje kjo si e një etike profesionale të lartë, ashtu edhe e një kompetence të sigurt në lëmin që ata veprojnë.
    Na ka interesuar ky projektligj jo vetëm si qytetarë të kujdesur për të pasur një hapësirë territoriale dhe të banuar sipas kritereve moderne. Larg shkatërrimeve dhe kaosit të sotëm urban që vjen kryesisht nga mbivendosja e presionit të interesave egoiste të aktorëve financiarë mbi nëpunësit dhe vendimmarrësit lokalë që paguhen nga shoqëria dhe komunitetet lokale për të mbrojtur dhe zhvilluar të mirën publike. Por edhe për dy arsye të tjera profesionale.
    Së pari, kemi qenë të interesuar si redaksi e revistës shkencore “Gjeopolitika”, e cila në fokusin e vet mban marrëdhëniet e gjera dhe të ndërlikuara midis politikës dhe hapësirave gjeografike e territoreve administrative e politike dhe e ndjek këtë problematikë me vëmendje të veçantë.
    Së dyti, për shkak se qysh përpara dy a tre vjetësh kam marrë pjesë në një grup studiuesish për të shqyrtuar problematikat e urbanizimit në zonën turistike Durrës-Kavajë.
    Vë re me kënaqësi se disa nga shqetësimet themelore që ne ngrinim në atë kohë në studimin tonë, botuar sot pjesërisht në faqet e numrit të dytë të revistës “Gjeopolitika” që promovojmë, gjejnë përgjigje në formulimet që ky tekst projektligji bën sot. Për të mos u zgjatur shumë do të ndalesha në disa nga elementet që na interesojnë më shumë.
    Së pari, kombinimi i interesit kombëtar që sigurohet nga autoritetet kombëtare të planifikimit të territorit, me autonominë vendimmarrëse të pushtetit vendor. Pra, kombinimi i kompetencave të autoritetit publik qendror dhe demokracisë vendore, çka është një problem shumë i rëndësishëm dhe që ka marrë zgjidhje të ndryshme në vende të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë, zgjidhje që shpesh rezultojnë problematike për bashkësitë lokale dhe minoritetet etnike dhe kombëtare. E theksojmë këtë aspekt, sepse nga studimi ynë, na rezultonte atëherë se me gjithë avantazhet e pamohueshme, demokracia vendore, nën presionin elektoralist dhe të grupimeve të fuqishme të interesit, nuk ka qenë në gjendje, në nivel komunash së paku, t’i qëndrojë korrekt politikave bashkëkohore të rregullimit dhe planifikimit territorial. Ky është një mendim që qarkullon fort edhe në literaturën e sotme perëndimore. Interesi i komunitetit të ngushtë qytetar mund të vihet lehtësisht në kundërshtim të hapur me interesat e kombit dhe me kriteret standarde të mbrojtjes dhe zhvillimit të burimeve natyrore, kulturore dhe ekonomike me rëndësi kombëtare. Këtë aspekt thelbësor ekuilibrimi projektligji e ka zgjidhur drejt.
    Së dyti, ajo çka më ka interesuar në këtë aspekt lidhet me garantimin e kompetencave të qarkut në planifikimin dhe rregullimin e territorit. Ka qenë fare evidente për ne gjatë studimit në fjalë se ka ardhur koha që të ketë një përputhje sa më të saktë midis kufijve të një zone të gjerë gjeografike dhe territorit administrativ. Sikurse ka më se njëqind vjet që këmbëngulet nga autorët më në zë në këtë fushë, çdo shpërputhje midis këtyre dy hapësirave, sikurse shprehet fort mjeshtri i Shkollës së Çikagos, Luis Wirth, (i rimarrë në faqet e numrit të dytë të revistës sonë) krijon pengesa në dinamikat e zhvillimit, prodhon korrupsion dhe shkatërrime të burimeve dhe pasurive natyrore. Qarku është sigurisht më afër konceptimit dhe zgjidhjes së disa problemeve të mprehta të rregullimit territorial në unitetin e një zone gjeografike, sesa të gjitha komunat dhe bashkitë e marra veç e veç e që shtrihen në territorin e tij. Kjo hallkë e dytë e vendimmarrësve është jetike për rregullimin e territorit dhe e përshëndes që rikonfirmohet në këtë projektligj.
    Së treti, projektligji jep zgjidhje të vendosura për pjesëmarrjen e publikut, të qytetarëve dhe të aktorëve të interesit në konsultimin e politikave dhe vendimmarrjeve të autoriteteve përkatëse lidhur me rregullimin e territorit. Masat e parashikuara normativisht lidhur me këtë gjë iu japin fund në planin ligjor spektakleve mediatike ku kjo procedurë kaq e rëndësishme në planin politik zëvendësohet nga mbledhje me militantë apo me pensionistë të rastësishëm. Qytetari ka vend të vihet në qendër të politikave të komunikimit dhe të transparencës vendimmarrëse jo si individ i zhytur në një masë anonime njerëzish, por si aktor interesash krejt të përcaktuara.
    Së katërti, është me shumë vlera që territori në këtë projektligj nuk është parë thjesht si hapësirë dy-dimensionale, por shumë më gjerë sesa kaq, pra edhe si një hapësirë simbolike vlerash shpirtërore dhe kulturore, edhe si burim pasurish natyrore, edhe për vlerat turistike, sikurse përmbledh edhe dimensionin e tretë të hapësirës, lartësinë, që gjykoj se mbërthen në vetvete të gjitha krizat e marrëdhënieve midis hapësirës dhe shoqërisë, e bashkë me të problematikën e nivelit të pastërtisë së ajrit, të zhurmave, sikurse e trajton territorin edhe si peizazh etj. Humbja e vëmendjes ndaj problemeve të mprehta të lartësisë e bën të dështuar edhe planin më të mirë rregullues për territorin si shtrirje dy-dimensionale. Ky kuptim i gjerë është i domosdoshëm për t’u mbajtur parasysh në zbatimin e këtij ligji.
    Ai i shpëton gjithashtu trajtimit të gabuar që bazohet te ngatërrimi kaq i përhapur në të folurit publik te ne midis hapësirës rurale dhe zonave bujqësore. Sikurse e trajton me kompetencë studiuesi i sotëm Marsel Jollivet, i rimarrë edhe në faqet e këtij numri të revistës, me pëlqimin e vet, thjeshtësimi i hapësirës rurale dhe trajtimi i saj thjesht si hapësirë bujqësore, do të ishte ekonomikisht një procedurë administrimi katastrofike për ekonominë e sotme.
    Sidoqoftë, nuk mund të mos përfundojmë duke shprehur shqetësimin e një rreziku eventual, i cili mund të kërcënojë vendimmarrësit lokalë gjatë zbatimit të këtij ligji të ardhshëm. Ka dy mënyra për ta zbatuar një ligj apo një normë. Mënyra e parë është për ta zbatuar mbi një realitet që tanimë ekziston. Mënyra e dytë, ka të bëjë me strategjinë për ta zbatuar duke pasur parasysh një perspektivë tjetër nga ajo që na shfaq shpesh brutalisht realiteti i sotëm. Nëse këtë ligj, që e konsideroj shumë pozitiv, vendimmarrësit do ta zbatojnë brenda logjikave që na imponohen sot në planin demografik dhe urbanistik, atëherë, pavarësisht përmbajtjes së vlerësueshme të tij, me të nuk do të bëjmë tjetër veçse do të planifikojmë kaosin, do të legjitimojmë kaosin e sotëm demografik dhe urbanistik. Do të ndodhemi përpara atij fenomeni të dhimbshëm që në logjikat e shkencave sociale e quajmë “racionalizim i absurdes”.
    Çdo standardizim racional ligjor i një situate reale kaotike, të ndërtuar keq, nuk jep veçse rezultate perverse duke legjitimuar një realitet që në fakt nuk duhet legjitimuar, por ndryshuar, transformuar.
    E them këtë sepse prej më se njëzet vitesh ne ndodhemi përpara një procesi kaotik, i cili ka ardhur edhe si pasojë e shpërpjesëtimeve demografike e ekonomike kolosale të kohës së totalitarizmit, edhe si pasojë e ligjit pervers për tokën, edhe si pasojë e mungesës së shtetit për periudha pak a shumë të gjata, që e kthyen vendin në gjendje natyrore për ditë e muaj e vite të tëra, edhe si pasojë e keqkuptimit kulturor për jetën urbane të ngulitur në mendjen e popullsisë rurale, mbijetuar me vite në kushte të rënda jetësore.
    Sikurse e parashikon studiuesi amerikan Ezra Park, një referencë e padiskutueshme e mendimit sociologjik dhe filozofik mbi hapësirat sociale, për rrjedhojë, ne ndodhemi përpara faktit të grumbullimeve demografike që iu ngjanë “bashkësive vegjetative”. Kjo ka të bëjë me një ngulje të popullsive në hapësira shumë të ngushta urbane, pak a shumë me të njëjtin nivel popullsie si ato të Rripit të Gazës në Palestinë, çka sjell dy pasoja të rënda negative. Së pari, ngushtimin e frymëmarrjes në hapësirat urbane rreth qyteteve të mëdha kryesisht në zonën Tiranë – Durrës dhe prodhon atje tension social dhe kulturor, përpos problemeve ambientaliste. Çfarë i ka bërë pothuajse të pajetueshme kushtet njerëzore atje.
    Njoh me dhjetëra e dhjetëra individë të elitës kulturore që po i largohen qytetit të Tiranës për të jetuar jashtë tij. Është fillimi i një procesi që më vonë do të marrë me vete mijëra njerëz. Dhe këta janë individë me kërkesa të larta, të cilat pas njëzet a tridhjetë vjetësh do t’i ketë shumica e qytetarëve. Nuk mund të urbanizohen qytetet me shijet e popullsisë rurale të sapoardhur në qytete dhe me kërkesat e saj, ndërkohë që ajo, me meritë e me të drejtë, sapo i ka shpëtuar “baltës” ku e kishin pas detyruar të jetonte. Së dyti, braktisjen e territoreve kombëtare nga popullsia që ka sjellë dëme të pallogaritshme ekonomike, natyrore dhe të pasurive të kombit. Nëse ne do të urbanizojmë apo planifikojmë rregullimin e territorit mbi këtë bazë përqendrimesh demografike të sotme, kaotike, gjendjeje natyrore e vegjetative komunitetesh që instinktivisht mblidhen në zona të përqendruara për t’u mbrojtur, thjesht për të mbijetuar, ne do të jemi jo vetëm në kundërshtim me interesat e brezave të rinj të nesërm që do të lindin mbi bazën e realiteteve urbane, pra me kërkesa të reja, por edhe në kundërshtim me rentabilitetin ekonomik kombëtar, apo me vetë atë që po ndodh sot në shoqëritë perëndimore, pra me ripopullimin e hapësirave rurale. Nuk do të bënim tjetër veçse do të “racionalizonim kaosin” dhe duke bashkuar normën ligjore racionale me kaosin real nuk do të prodhonim veçse efekte perverse e absurde, që do t’i vuajmë për një kohë shumë të gjatë. Mos të harrojmë se sot për sot popullsia po zhvendoset paradoksalisht dhe përkohësisht në kahje të kundërt me mundësitë e punësimit dhe të burimeve natyrore. Po shkon drejt zonave të papunësisë dhe të një bote virtuale. Kjo kundërshti do të jetë burim krizash ekonomike dhe financiare afatgjata që sot amortizohen nga faktorë të tjerë me veprim të përkohshëm.
    Në të kundërt, na duhet që këtë ligj për rregullimin e territorit ta zbatojnë brenda strategjive afatgjata të një përqasjeje krejt tjetër të marrëdhënieve të ardhshme midis popullsisë dhe territorit dhe modeleve ekonomike të së ardhmes.
    *Anëtar i Akademisë së Shkencave

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s