Terapi për shock-un

Planet rregulluese, përtej të qënurit masa kufizimesh të ngurta, fshehin ose kanë potencialin e të qënurit strategji e politika me efekte mbi cilësinë e jetës në fusha si: shëndetësi, kulturë, edukim, dhe rrjedhimisht mbi ekonomi dhe politikë. Në ekonomin e tregut të lirë, ku është konkurenca dhe kokëfortësia e shifrave të përcaktuara nga forcat e tregut dhe jo planifikimi që dominon të ardhmen, planet rregulluese tërheqin (ose duhet të tërheqin) interesin si të qytetarit dhe të atyre që përftojnë politika makroekonomike, rregullore mjedisore apo energjitike, strategji të zhvillimit industrial apo të politikave për turizmin etj…. Në këtë kuptim këto plane bashkojnë nga njëra anë përpjekjet shoqërorë për zhvillim dhe në anën tjetër interesat e individit dhe qytetarëve, ç’ka i bën ato pa frikë të quhen planet e mbarëvajtjes shoqërore.

Por a perceptohen dhe formulohen planet tona – dhe plani rregullues i Tiranës si shembulli i një nga planeve më të mirëpërpunuara midis qyteteve Shqiptare – duke pasur parasysh këtë lloj mbarëvajtje shoqërore?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje po i referohem, disi në mënyrë anekdodike, një shkrimi të paradokohshëm në revistën Economist i titulluar “Mass murder and the market” (Vrasja masive dhe tregu) që shqyrtonte rënien drastike që pësoi mosha mesatare e jetës midis viteve 1991 dhe 1994 në vendet a Bashkimit Sovietik dhe veçanërisht në Rusi dhe lidhjet shkasore të kësaj me reformat ekonomike dhe planifikuese. Economist i referohej vetë një shkrimi të botuar në revistën mjeksore britanike Lancet e cila bën kryesisht anliza epidemiologjike për të nxjerrë përfundime sociale dhe politike. Analiza në fjalë, që ishte një përqasje statistikore, i lidhte këto vdekje gjatë kësaj periudhe në Bashkimin Sovjetik me reformat ekonomike të emëruara “shock therapy”, ose “terapia e shok-ut” siç njihet mirë ky term në shqip. Sipas tyre këto reforma ekonomike ishin një dështim i plotë, dhe për më tepër injoronin koston njerzore të politikave që promovonin, ku papunësia, varfëria që e shoqëroi , dhe efektivisht “privatizimi në mas” u bën shkakëtarët e vdekjeve duke e shndërruar gjithë proçesin e reformave në një “vrasje në mas”. Sipas tyre nëse Rusia do kishte adaptuar reforma më graduale edhe jetët e njerëzve do ishin shpëtuar.

Sigurisht që gjithë përqasja e revistës Lancet ka edhe kundërshtitë e veta, sidomos nëse pyesim, siç bën edhe Economist, se përse ekonomia Sovjetike ishte e rrënuar dhe në nëvojë për terapi shock-u më 1991-in? Pjesërisht, argumentojnë ata, sepse ekonomitë e planifikuara nuk funksionojnë (faji i mbetet Leninit dhe Stalinit për këtë); pjesërisht sepse politikanë të vjetër si Brezhnjevi dështuan t’i nisnin reformat qysh në fillim të viteve 70-të, kur gradualizmi mund të kishte shance për të qenë i suksesshëm; kur Gorbacovi filloi reformat (Glasnostin dhe Perestrojkën) në fund të viteve 80-të ekonomia ishte tashmë e rrënuar, dhe për më tepër hedhja në treg e monedhave të nevojshme për reformat krijuan një tepricë monetare që pas shpërbërjes së sistemit dhe liberalizimit të çmimeve krijoi hiperinflacion si dhe zhvlerësimin e kursimeve për njërzit e thjeshtë.

Po ashtu treguesit e anës morale të këtyre politikave, që lidhen me shëndetin publik në sistemin sovietik, përgjatë viteve 1965 dhe 1980, njohën një rënie të konsiderueshme me pasojë një rritje të vdekshmërisë nga dieta e keqe, duhanit por veçanërisht alkoli. Politikat e Gorbaçovit kundër “pijes” megjithëse jopopullore rritën jetëgjatësinë të paktën me tre vjet përgjatë 1985-1987-ës. Pas 1992-it monopoli i shtetit mbi pijet alkolike dhe mbi kualitetin e tyre ra. Efektet ishin spektakolare dhe katastrofike.

Por ç’lidhje kan politikat e “terapisë së shock-ut” dhe historia e planifikimit në Bashkimin Sovjetik me planet rregullues në Shqiperinë e sotme dhe me ato në Tiranë?

Për të qënë të vërtët, është e vështirë të thuash nëse terapia e shock-ut në Shqipëri ka pasur të njëjtat efekte sikurse në Bashkimin Sovjetik, sidomos kur bëhet fjalë për vdekshmërinë apo shëndetin publik, qoftë sepse për këto gjëra nuk duket të ketë ndonjë të dhënë apo studim të veçantë, por edhe për faktin se me shumë gjasa, duke pasur parasysh falimentimin e hershëm të shtetit dhe të shërbimeve, vetë hapja duhet të ketë pasur efekte pozitive të menjëhershme, pavarësisht reformave. Por në një vështrim afatgjatë këto reforma dështuan po aq sa edhe në Rusi, pavarësisht se efektet e tyre, duke reflektuar edhe strukturën ekonomike dhe sociale të secilit rast, shfaqen të ndryshme dhe në sektor të ndryshëm. Por ajo që është më kryesorja, ato nënvleftësuan mbarëvajtjen sociale si një komponente e rëndësishme e suksesit të tyre të mundshëm.

Jo rastësisht një nga sektorët ku terapia e shock-ut duket të ketë dhënë efekte negative të padiskutueshme është mjedisi urban. Reformat mbi tokën bujqësore, vënia dorë mbi pronën publike deri në grabitje, keqtrajtimi i pasurive natyrore kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë pasoja shoqërore dhe politike të pallogaritshme. Nëse në industri vetë falimentimi i saj nuk linte shumë hapësirë për reforma duke e bërë braktisjen të detyrueshme, privatizimet pa asnje lloj kriteri i tokave bujqësore në fshat pa garantuar vazhdimësinë e prodhimit bujqësor, në perspektivë nuk e justifikuan veten. Po ashtu nuk e justifikuan veten as edhe lëvizjet e mëdha demografike pa kontrollin e territorit, as liria për të ndërtuar pa siguruar standarte minimale në urbanizim, as shfrytëzimi i pasurive publike pa kontrollin e shtetit, dhe sigurisht as zvarritja pa fund e zgjidhjes së problemit të pronave dhe sa e sa problemeve sociale që në fillim të viteve 90-të dukeshin aq të zgjidhshme.

Mund të thuhet pëfundimisht se këto reforma, midis shumë faktorësh të tjerë, shtruan rrugën për një tranzicion të gjatë dhe të vështirë, dhe se pas kaq vjetësh shoqëria shqiptare paraqitet edhe më konfuze se në fillim të viteve 90-të për rrugën që duhet të ndjekë drejt një demokracie dhe ekonomie tregu funksionale. E gjithë kjo periudhë aq sa i ngjan një goditjeje pas të cilës na duhet njëfarë kohe për të rimarrë frymën, po aq i ngjan edhe një ëndrre surrealiste, çelësi i kuptimit të së cilës i ka rrënjët vetëm në dhunimet dhe gjymtimet e shkaktuara në të shkuarën. Pas 18-të vjetësh tranzicioni jo vetëm nuk u zgjidhën problemt e trashëguara nga komunizmi, por mbi to duket se janë shtuar të tjera probleme dhe padrejtësi sociale të cilat presin njëherësh përgjigje.

Në këtë kontekst vetë tradita e zhvillimit, që pati si pikënisje reformat e terapisë së shock- ut, të konsoliduar tashmë në formën e një traditë pothuajse pseudoplanifikuese të filozofisë së zhvillimit me çdo kusht, rrezikohet nga mungesa e kohezionit social. Individualizmi ekstrem, dhe të besuarit se: çdo gjë që prodhon para, çdo gjë që prodhon energji, çdo gjë që lëviz mbi rrota pa nevojen e një shtyse fizike të dukshme, çdo teknologji, apo çdo ndërtim me vetrata të reja është zhvillim, ka çuar në asfiksimin e hapësirës publike për t’ia lënë vëndin ndërtimeve pa fund, transformimit të qyteteve nga hapësira të dominuara nga këmbësori dhe shërbimet urbane në hapësira të uzurpuara nga automjetet private dhe ndotja e mjedisit, rendjen pas çdo projekti energjitik pa marrë parasysh as strategjitë, as nevojat reale, dhe as pasojat në në shëndetin e popullsisë apo mjedis si garanci të zhvillimeve të qëndrueshme. Dhe kjo e fundit (ndotja) së bashku me pluhurin që endet mbi Tiranë ka potencialin që të shkaktojë – në mos është duke shkaktuar sipas të gjitha raporteve serioze – të njëjtën tragjedi që kolapsi i sistemit komunist ishte në gjëndje të shkaktonte në fillim të viteve nëntëdhjetë në Rusinë postkomuniste.

Ndërkohë planifikimi i sotëm ashtu sikurse edhe në Rusi nuk është një planifikim që i paraprin zhvillimit nëpërmjet garantimit të mbarëvajtjes shoqërore. Përkundrazi ai ushqehet nga krizat e saj. Sikurse reformat e tipit “terapi e shock-ut” mundësohen nga falimentimi i sistemeve shoqërore dhe ekonomike dhe përdorin pikërisht argumentin e zhvillimit të justifikojnë neglizhencën ndaj barrave sociale, ashtu edhe platformat urbane, ekonomike dhe energjitike, po vazhdojnë të ndërtohen sot mbi po të njëjtën filozofi. Ndoshta nuk ka asgjë të keqe nëse edhe në mes të krizave enrgjitike të flitet për planifikime që e projektojnë Shqipërinë si superfuqi rajonale në energji, apo në mungesë të traditave në turizëm të pretendohet që sektorë të tërë të ekonomisë të varen prej tij. Po ashtu nuk ka asgjë të keqe që edhe në mes të kaosit urban, ajrit të ndotur, trafikut të pakontrolluar, transportit publik pothuajse të pamenaxhuar, të flitet për projekte vizionare që e projektojnë qëndrën e Tiranës sikur të ishte zemra e një parku të vendosur diku në mes të ndonjë oazi i rrethuar nga gjelbërimi dhe fushat e golfit diku në Azine jug-lindore.

Për të hequr ç’do lloj dyshimi mbi arsyetimin e deritanishëm dua të shpreh se se planifikimet e guximshme të cilat tentojnë të ndryshojnë tërësisht realitet ekonomike dhe shoqërore janë tërësisht të mundshme dhe legjitime, sikurse është gjithashtu e vërtet që ato gjithmonë e kanë pikënisjen nga realititet ekonomike, sociale, politike dhe kulturor të kohës.

E megjithatë realiteti shpesh është krejt tjetër. Për shëmbull dihet mirë se realiteti energjitik, më shumë se nga numri i teceve varet nga burimet energjitike dhe lëndët e para. Dhe nëse për shkak të standarteve të ulta në mbrojtje të mjedisit jemi, fjala vjen, më të favorizuar se Italia për t’i ndërtuar ato kjo duhet të bëhet me ndërgjegjen se këto standarte të një vendi Europian nuk do arrihen edhe për shumë vjet, ose me rriskun e pamundësise për t’i menaxhuar këto vepra pas njëfarë kohe si pasojë e konjukturave të tregut apo atyre politike, sikurse janë shëmbuj shumë të mirë për këtë veprat industriale të komunizmit, duke filluar nga Teci i Fierit për të përfunduar me metalurgjikun e Elbasanit. Pra dua të them se relaiteti shqiptar i momentit i bën ato të domosdoshëm, por nuk duket se e justifikon përpjekjet për të ndërruar balancën e prodhimit të energjisë në vënd, nga hidro në termo.

Po ashtu duket se janë krejt tjetër përpjekjet planifikuese edhe realitieti i problemeve të planifikimit në Tiranë. Ato me siguri që nuk janë “planet tridhjetëvjeçare” të hartuara nga studiot e huaja arkitektonike, por janë emergjencat që lindin nga ndotja; porblemet e trafikut; ngritja e një sistemi të transportit publik, efiçent e të qëndrueshëm; ruajtja e karakterit të qytetit (nëse ende mund të flitet pë një të tillë) nga ndërtimet e reja monstruoze; furnizimi me ujë; problemet e mjedisit dhe të shëndetit publik etj… Janë emergjente plotësimi i boshllëkut institucional që vjen si pasoj e ndërrimit të legjislacionit dhe hartimit të planeve rregullues që janë larg të qënit të koordinuara. Është emergjent harimi e rregulloreve të urbanistikës, përcaktimi i normave dhe standarteve, por çka është më e rëndësishme hartimi i vizioneve që do mund t’i integronin të gjitha këto në një realitet tashmë të shokuar. Eshtë emergjent një vizion i trajtimit terapeutik të këtij realiteti dhe jo një vizion i ikjes ndaj tij.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s