Pushteti 48-të orësh i “naivëve”

“Ah sikur të vijë në fuqi një Qeveri që do të ndalojë me dorë të hekurt ndërtimet pa leje dhe të bllokojë shkatërrimin e mjedisit, të anulojë licencat e shfrytëzimit të lumenjve dhe të guroreve, të ndalojë makinat të parkojnë në trotuar dhe parqet të mbushen me pallate, të ndalojë fshatarët të presin pyjet dhe qytetarët të djegin plehrat… Çdo të ndodhë pas kësaj? Asgjë, një Qeveri e tillë do të bjerë brenda 48 orëve.”

…thotë Artan Lame – ish – Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ish – nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, ish-zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit (poste të mbajtura gjatë tetë vjetëve të qeverive Socialiste) – në një shkrim të vetin të titulluar “Shkatërrimi i sistemit” botuar në Gazeta Shqip, 02, 02, 2009. Ç’të jetë kjo hata vallë që na i rrëzoka qeveritë për 48 orë? Qeveritë tona nuk kanë mundur t’i rrëzojnë kaq shpejt (apo fare?) as Gërdeci, as Otranto, as piramidat, as pushtimi i institucioneve, as djegjet, as plaçkitjet, as hetimet parlamentare, as Fazlliçët, as hetimet e bujshme në prokurori, as lufta me gjykatat, as ajo me ndërkombëtarët, dhe as skandalet me Bankën Botërore! Dhe këtu po flas vetëm për vitet e “demokracisë liberale” sepse revolucionet, rrebelimet, uzurpimi i institucioneve me çfarëdo lloj mjeti, dhe ajo e famshmja, që aq lehtë e anashkalon Lame, qëndrimi me të gjitha mjetet në pushtet, kanë qënë pjesë e historisë së pushtetit në Shqipëri që kur nuk mbahet mend.

Kur lexova sa më sipër nga artikulli i Lames, nuk u habita shumë nga fakti se si një ish drejtues i shtetit mund të përdori një arsyetim të tillë, që pak a shumë të lë të nënkuptosh se ata që na qeverisin më shumë preokupohen për kohëzgjatjen e qeverisjes sesa se si të zgjidhin ndonjë problem për sa kohë janë në pushtet. As edhe për faktin se përse nuk ngulmoi Lamja për këtë “dorë të fortë” kur ishte në pushtet por kujtohet tani. Jo. U habita se përse mendon, apo është i bindur, Lamja se një qeveri mund të bjerë për 48 orë nëse kryen punën të cilën në fund të fundit ka për detyrë ta kryej!?

Të them të drejtën nuk po e kuptoja! Por u ftillova veç në momentin kur, si pa e ditur sepse, mu kujtua një shprehje që kaq shumë është përdorur kohët e fundit: “It’s the economy, stupid!”. Po idot – i thashë vetes – e ka fjalën për ekonominë. Po, po, për ekonominë, sepse pavarësisht se Lame thotë, po perifrazoj, se: “shqiptarët paskan pjesë të gjithë në këto zarare dhe janë përzier të gjithë me të keqen saqë edhe qeverive, u del më mirë hesapi të vazhdojnë udhën që kanë zënë, sesa të rrezikojnë nëpër monopatin e thepisur e gjithë rreziqe të reformave të thella” dhe se “shqiptarët nuk dashkan një qeveri që mendon për popullin, por një qeveri që e do populli.”, unë përsëri nuk mendoj se Lame është kaq naiv sa t’i besoj edhe vetë këto që thotë, sepse historikisht në Shqipëri asnjë qeveri nuk është rrëzuar sepse paska dashur populli, por shumë shumë sepse ka falimentuar, siç falimentoi edhe qeveria ku bënte pjesë Lame.

Por, më lejoni t’ju sqaroj, se përse mendoj se Lame e ka pasur fjalën për ekonominë.

Burimet natyrore: tokat, pyjet, lumenjtë, plazhet, rërat, kripërat, mineralet, çimentoja, nafta, gazi, ajri etj… janë të gjitha lëndë e parë dhe burimi kryesor i mbarëvajtjes ekonomike. Logjika ta do se si të gjitha input-et dhe output-et e tjera të cilat përdoren për të llogaritur GDP-në e një vëndi, edhe shfrytëzimi i këtyre pasurive duhet të llogaritet. Por si llogariten ato? E mira e do që kësaj pyetje t’i përgjigjemi përpara se të na e bëj Kryeministri.

Në shumicën e rasteve këto pasuri llogariten duke iu shtuar prodhimit të përgjithshëm (GDP-së), pavarësisht se praktikisht ato shterojnë pausritë natyrore të vendit, gjë e cila sygjeron të kundërtën, pra ne duhet t’i zbresim nga GDP-ja. Githësesi, të ardhurat nga këto pasuri kapin shifra nga 10% – 90% të GDP-ve të vëndeve të ndryshme, siaps rastit. Për shembull vendet e pasura me naftë duhet ta kenë më të lartë këtë tregues se një vënd tjerët me më pak pasuri natyrore.

Siç e thashë pak më lart, përveç se këto pasuri llogariten në GDP pavarësisht nga fakti se ato shterojnë burimet natyrore, tek ne mungojnë gjithashtu edhe praktikat e ripërtëritjes së këtyere burimeve, ose të disa prej tyre. Shumica e sipërmarrjeve tona nuk duket t’i ushtrojnë këto praktika, siç mund të jetë rasti i mirëmbajtjes dhe ripërtëritjes së pyjeve, shtrateve të lumenjve, pastrimit të ujrave apo burimeve të tjera natyrore, të cilat kuptueshëm do rrisnin kostot e bizneseve që i shfrytëzojnë ato, dhe rrjedhimisht do ulnin vlerën e GDP-së.Të gjitha këto praktika mund të konsistonin në shifra 5-10% të të ardhurave të këtyre bisneseve. Pra siç shihet shrytëzimi i burimeve natyrore në Shqipëri përbën të paktën 10-15% të GDP-së, që do të thotë se sa më shumë të shfrytëzohen këto pasuri natyrore aq më e lartë është GDP-ja e një vëndi, por aq më e lartë mund të jetë gjithashtu edhe rritja ekonomike. Për shembull ekspertët ekonomik kanë vërejtur se vëndet e varfëra, në përpjekje për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejtë GDP-në, e kanë bërë këtë duke shfrytëzuar në maksimum burimet natyrore dhe duke dëmtuar mjedisin (Abel/Bernanke 1998). Ndoshta për këtë e ka pasur fjalën Lame kur thotë se “Janë aq të shumtë shqiptarët që kanë dorë e pjesë në një nga këto zarare…” Sepse në fund të fundit nga kjo rritje përfitojmë të gjithë, pavarësisht nga taksa e sheshtë që nuk bën dallim midis atij që shfrytëzon burimet natyrore dhe atij që nuk i shfrytëzon ato.

E megjithatë nuk e di sepse edhe ky arsyetim nuk ma mbush mëndjen. Në fund të fundit edhe sikur rritja ekonomike të jetë më e ulët, nuk më duket së do mjaftonte si arsye për të bërë që një qeveri të bjerë për 48-të orë! Atëherë ç’të jetë vallë kjo forcë që do mund të rrëzonte qeverinë për 48-të orë, vetëm se nuk do lejonte shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore dhe mjedisit?

Kam frikë se kjo force është ajo force për të cilën kemi frikë ne, ka frikë edhe Lame, por që nuk do ta thotë. Ështe forca që ka pjesën e luanit në shfrytëzimin e pasurive natyrore të këtij vendi, shfrytëzimi i të cilave nuk shkon tek qytetari nëprmjet taksave por u shkon atyre që kanë uzurpuar pushtetet ekonomike dhe politike në këtë vend. Pra kam frikë se është “forca” e të korruptuarit që e shohim të shfaqet gjithandej ku ka kritika për të, dhe që thotë “ose me mua ose kundra meje”. Është forca e atyre që pasi kishin mundësi të grabisnin pasuritë ekonomike të shqiptarëve në emër të reformave të tipit “terapi e shock-ut”, dhe privatizimeve pa fund, tashmë u janë drejtuar pasurive natyrore, here në emër të ndriçimit dhe të nxjerrjes nga kriza energjitike, dhe herë në emër të “strategjive turistike”. Është forca e paktit të të korruptuarve ajo që rrëzon qeveritë në Shqipëri dhe jo forca e njerzve të vuajtur. Është forca e oligarkisë, që Lame ka frikë qoftë edhe ta çojë nëpër mend dhe jo më ta përflasi me gojë. Por ndoshta është edhe shpresa për të pasur mundësinë e të qënit qoftë edhe 48-të orë në pushtet…

15 thoughts on “Pushteti 48-të orësh i “naivëve””

  1. Pikerisht tek oligarket shqiptare me shkoi mendja dhe mua kur lexova ketu thenien me 48 oreshin. Megjithate nuk duhet ti bejme ata aq te gjithpushtetshem. Per medimin tim oligarket shqiptare jane shume me te dobet se ajo qe mendohet.

    Rast shume i ngjashem me Shqiperine aktuale ishte Rusia para kohes se Putinit. Edhe atje oligarket kishin ne dore mediat kryesore dhe kontrollonin praktikisht te gjithe ekonomine ruse. Putini u ngjit ne pushtet me ndihmen e tyre e megjithate ja doli ti nenshtroje pa shume mund e brenda pak viteve. Rasti i Putinit ja vlen mbase per tu studiuar. Per mendimin tim Putini arriti te fitoje simpatine e ushtrise nepermjet luftes se ashper ne Ceceni si dhe shfrytezoi lidhjet e veta me ish-KGB per te ndermarre hapa te shpejta per neutralizimin me sukses te oligarkeve. Pra dy faktore qene tek ai kyc, ushtria dhe nje grup i vogel njerezisht te cilet ai i besonte.

    Le te marrim tani Shqiperine. Ekonomia shqiptare nuk varet plotesisht nga oligarket pasi ka dhe faktore te tjere madhore qe luajne rol si remitencat, ndihmat nga donatoret e jashtem, biznesi i vogel, bankat/kapitali i huaj etj. Pra kontrolli i oligarkeve ndaj ekonomise nuk eshte aq i madh sa ne Rusine e fundviteve 90. Shumices se aktiviteteve sipermarrese te oligarkeve dhe mediave te kontrolluara prej tyre mund ti gjesh njemije yckla qe nga evazioni galopant fiskal deri tek korrupsioni per ti nxjerre perfundimisht jashte loje. Pra ne kete pike oligarket jane shume te dobet.

    Cfare mungon per ta realizuar neutralizimin e oligarkeve eshte ne radhe te pare nje brez me i besueshem politikanesh si dhe kompaktesi te elitave ne luften ndaj korrupsionit.

    Kur flas per brez me te besueshem politikanesh nuk kam ndermend ndonje engjell apo profet por flas per njerez qe nuk kane njolla aq te medha sa psh. Berisha qe para zgjedhjeve te 2005 fliste per luften kunder korrupsionit dhe oligarkeve por nuk ishte i besueshem pasi askush nuk e dinte nese luften ndaj oligarkeve dhe mediave te tyre ai nuk do ta perdorte per luften ndaj kundershtareve te tij politike. Pra flas per njerez qe jane aq te besueshem sa te bejne veprime fillimisht jo dhe aq popullore si mbyllje mediash te lidhura me oligarke apo mbyllje firmash te kontrolluara nga oligarke.

    Kompaktesia e elitave ne luften ndaj korrupsionit ka poashtu shume rendesi ne menyre qe ne momentin kur fillojne goditjet ndaj oligarkeve te kete pak a shume kompaktesi dhe oligarket te mos shfrytezojne ndonje pjese elite te pakenaqur per tu kunderpergjigjur politikisht.

    Nese ka vullnet politik oligarket shqiptare nga gogolet e sotem kthehen menjehere ne tigra pre letre.

  2. Eni,
    Jam dakort me ty per shume gjera, vec se oligarkine une nuk e shoh te ndare nga aktiviteti politik. Perkundrazi kam parasysh nje simbioz te politikes dhe ekonomise ne termin oligarki, qe ne nje lloj kuptimi riciklojne njera tjetren. Kuptohet se kjo lloj simbioze nuk le te zhvillohet as ekonomine dhe as politiken sepse kemi riciklimin e vazhdueshem te se njejtes surrogato politiko-ekonomike. Nderkohe une nuk eshte se e njoh mire situaten ne Rusi, por megjithate dyshoj se disa nga vleresimet e tua jane dhe aq te drejta. Rusia e Putin vazhdon te vuaj pasojat e arbitraritetit dhe mungeses se ligjit ne trajtimin e biznesit. Shumcka nga suksesi i tij i dukeshem ai ia dedikon rritjes se cmimit te naftes, dhe kam frike se Rusia eshte ende larg standarteve te nje fuqie ekonomike dhe aq me pak te nje sistemi funksional demokratik.

    Jam shume dakort po ashtu me vleresimin tend se duhet nje lloj kompaktesie ne qendrimet morale te elitave ndaj korrupsionit apo edhe ndaj oligarkise ne pergjithesi.

    Faleminderit per komentin.

  3. Ujk, mora shembullin e Putinit jo per te thene se Rusia me Putinin eshte ne rrugen e drejte por thjesht per te treguar se cfare taktike eshte perdorur ne nje vend ku fuqia e oligarkeve ishte goxha e ndjeshme dhe mbi te gjitha cfare faktoresh sollen suksesin e Putinit ne luften ndaj oligarkeve si Berezovski etj. Fakti qe kompaktesine e bashkepunetoreve te tij Putini e siguroi me premtimin se ata do te zevendesonin oligarket qe po godisnin eshte tjeter gje dhe mbase duhet trajtuar vecan.

    Ne fakt per mua kompaktesia e elitave rreth nje sistemi eshte shume i rendesishem per mbijetesen e sistemit. Kina psh. si rast tjeter interesant ka nje sistem kontradiktor ku bashkejetojne ne dukje paqesisht elemente kapitaliste dhe komuniste. Per me teper Kina perjeton sot nje levizje gjigande popullsie nga fshatrat ne metropole. Si ka mundesi atehere qe sistemi politik kinez eshte po i njejti? Pergjigja eshte per mendimin tim edhe ketu kompaktesia e elitave drejtuese kineze. Kjo kompaktesi eshte praktikisht e blere nga perfitimet e medha ekonomike te kesaj elite dhe korrupsionit. Ne momentin qe Kina do te hase veshtiresi ekonomike kjo kompaktesi do te avulloje dhe mbase do te fillojme te shohim levizje per ndryshime politike te drejtuara nga pjese te pakenaqurish te elites.

    Qe te kthehemi serish ne Shqiperi ajo qe thua mbi simbiozen politike-oligarke eshte shume e vertete. Megjithate i mbetem besimit se nuk eshte e pamundur per te goditur oligarket shqiptare me sukses sepse sic e thashe ata nuk kontrollojne te gjithe ekonomine dhe jane te dobet ne shume aspekte.

    Principi i kompaktesise dikton se nese ndonje parti shqiptare e ka seriozisht me luften ndaj korrupsionit atehere mjafton te shohesh nese ka ndermend te bashkepunoje per kete lufte dhe me partine kryesore kundershtare. Per mendimin tim vetem nese do te kemi nje koalicion te madh PD-PS i duhet vene veshi dhe retorikes se tyre ndaj korrupsionit. Perndryshe, nese nga njera ane thuhet se do luftojme korrupsionin dhe oligarket e nga ana tjeter akuzon kundershtaret per korrupsion atehere kjo do te thote qe luftes ndaj korrupsionit i ke vene shkelmin. Pra per sa kohe nuk ka nje koalicion te madh te elitave nuk mund te flitet per lufte ndaj oligarkeve. Sa sa real eshte ne te ardhmen nje koalicion i madh ne Shqiperi dhe cfare e ka penguar te krijohet ate deri me sot eshte besoj teme qe duhet trajtuar me vete.

  4. Ujku, ta shkruajta edhe ke blogu im i ri: në fillim duhet të ndezësh “Num lock” në tastierë, pastaj duke mbajtur të shtypur Alt, shtyp 1, 3 dhe 5 dhe kaq e pat! Nuk është shumë e vështirë.

  5. Ujku, fakti që ti përdor një hekur hekurosjeje për të hyrë në internet, kam frikë se do ndikojë për keq më vonë. Më mirë gjej nja 600 euro dhe bli një kompjuter të ri…

  6. Ba Bái,

    Me kujtove nje hekur qe kishim ne shtepi kur isha femije. Mund te ishte pa frike 7-8kg. Pervec se ishte nje pllake e rende gize, nga brenda – sa here qe na duhej ta hapnim sepse i digjej rezistenca – mund te shihje nje pllake azbesti dhe nje pllake terrakote termorezistuese. Nje lloj strukture arkitektonike e habiteshme metali dhe balte, neper te cilen kalonte korenti qe skuqte rezistencen si ne nje labirint te ndricuar, reflektimi i te cilit mund te shihej fare mire edhe pasi e kishe mbyllur dhe montuar pjeset, ngase pjesa e siperme (catia?) nuk puthitej mire me pllaken e gizes.

    Sot shumica e sendeve nuk e kane ate rendesine qe kishte ai hekur. Shumica e tyre jane plastike, ose ne rastin me te mire alumin (metal i lehte ne peshe), kurse azbesto eshte shpallur material kancerogjen dhe eshte hequr nga qarkullimi. Sa per tullen (terrakoten) as qe behet fjale; eshte kthyer ne nje material qe e sheh vetem ne muzeume.

    Ky kompjuteri im nga ana tektonike as qe i afrohet atij hekurit te asaj kohe. Eshte shume “boring”, si i thone keta ketej. Megjithate, them se eshte mark e mire – Black&Decker – dhe i blere me dollare nuk ka kushtuar edhe aq shume.

  7. Kjo esse e vogël për hekurin e hekurosjes më kujton edhe problemet e shumta ambjentale që shkaktojnë të ashtuquajturit “pastrues të skorjeve” që më shumë dëmtojnë ujërat dhe detet ku derdhen sesa heqin smërçin. Është shumë e thjeshtë kur e mendon sesi lehtë ishte zgjidhur ky problem në kohën e qepës: hidh nja dy pika uji mbi rrobën që hekuros dhe u zgjidh problemi. Ma do mendja që hekuri ishte “Made in Elbasan”!
    Kemi pasur edhe ne një të tillë, nuk e di se ç’u bë. Ndoshta e kemi hedhur.

  8. Ba Bái,

    Komenti yt i meparshem qe krahasonte hekurin me komjuterin m’u duk i
    holle apo “witty” si i thone keta ketej, prandaj edhe iu pergjigja.
    Nuk ka ndonje rregull ketu ne kete blog qe duhet t’i permbahesh
    patjeter temes; problemeve te mjedisit ne kete rast. Megjithate,
    mendoj se Shqiperia me shume problem se skorjet industriale ka skorjet
    e ushqimeve qe hidhen ose fluturojne nga dritaret, qofte te banesave
    apo te automobileve sipas rastit.

  9. Ujku, se harrova, mund të lesh ndonjë koment të tipit «Big Black Wolf» ke posti im i ri, dedikuar muzikës tallava – ose më mirë fenomenit tallava! Të fala, Ba Bái.

  10. Ba Bái, nuk jam shume i sigurt c’do te thuash me “koment te tipit «Big Black Wolf»”, dhe nese komenti yt ishte nje kerkese apo dicka tjeter. Megjithate, nese vertet kam ndonje gje per te thene, me gjithe qejf!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s